Shqiptarët, të mirë, të bukur, barbarë apo të përçarë?
- Nga: JETA DEDJA
Kur ecën rrugëve të Tiranës, apo edhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, nuk ka sesi ti shpëtojnë syrit antenat satelitore që u bëjnë hije mureve të pallateve. Ato mbinë si kërpudhat pas shiut, menjëherë pas hapjes së kufijve dhe tregëtisë së lirë. Shqiptarët i braktisën antenat prej bakri të sajuara e të fshehura mirë ballkoneve apo tarracave dhe vrapuan të siguronin ato që do t’u sillnin gjithë botën në shtëpi. Atë botë që për shumë kohë e kishin njohur edhe përmes shkronjave të librave që i qarkullonin poshtë bankave e nën dorë, duke i lexuar frymazi brenda natës. Kështu ishin shqiptarët, edhe janë ende, të etur, të uritur për të bukurën, për më të mirën.
Por, dashuria për të bukurën te shqiptarët ka qënë e pranishme në çdo kohë, vetëm se, në varësi të rrethanave ajo është ndrydhur apo shpalosur me kujdes. Më vjen disi keq kur shoh në dokumentarë, lajme apo filma mbi shqiptarët, të portretizuar në formën më të ashpër e të egër të mundshme. Duket sikur shqiptarët nuk kanë lidhje me të bukurën në ato pamje. Me atë të bukurën që duket së jashtmi, por që burimin e ka diku në brendësi të mendjes e shpirtit.
Po të kthehemi në kohë e të mendojmë, kurdoherë sipas kushteve shqiptarët janë munduar të shfaqen të hijshëm, edhe pse sapunë me tollonë apo parfume me raste festash. Dëshirat dhe mendimet nuk mund të përputheshin gjithmonë me mundësitë. Parukeritë nuk ishin çdo pëllëmbë rrugë, por gratë dinin të sajonin maska fytyre në kushte shtëpie apo të bënin flokët gërshet në stile të ndryshme. Kishte nga ato që siguronin një autorizim për makinë qepëse dhe sajonin edhe në atë kohë ndonjë veshje origjinale për veten, ose stilonin ndonjë model në rrobaqepësinë e qytetit, anipse mund edhe të etiketoheshin për shfaqje të huaja. Plot vajza të reja bëheshin kimiste të papara në prodhimin e manikyrëve. Marangozë që sajonin karroca bebesh për ata që s’mund të blinin karrocat kineze.
Shtëpi të rregulluara me kujdes edhe pse ngjanin pothuajse të gjitha njëlloj, për shkak të mallrave të kufizuara dhe unifikuara të asaj kohe. Por gratë nikoqire qëndisnin panorama me punim kryq dhe i vinin në korniza, të cilave sot u është rritur më shumë vlera në treg. Thurnin me shtiza, individualizonin veshje e perde, mbulesa krevatesh e tavolinash, për të bërë diçka ndryshe nga malli i dyqanit, për të sjellë të bukurën. Madje edhe me letra mund të sajonin zbukurime shtëpie kush kishte aftësi krijuese.
Eh, gratë shqiptare, të mira e të zonja sa më s’ka! Ndërsa burrat, pasi e pajisën shtëpinë me antena e televizorë, iu drejtuan kufijve të preknin e jetonin ëndrrën perëndimore. Atëbotë, nuk mendonin si sot të iknin për të mos u kthyer. Në atë kohë mendonin të iknin për të punuar e për t’u kthyer sërish në atdhe për të ndërtuar apo rindërtuar shtëpitë e tyre. Kjo sepse në ato vite, hapja e kufijve simbolizonte shpresën (sot nuk është vetëm një simbolikë, por fakt) për një jetë më të mirë e të bukur. Emigrantët po jetonin perëndimin, po rriteshin psikologjikisht, po dilnin nga guackat. Të njëjtën gjë po bënin dhe familjet e tyre të mbetura në Shqipëri me sytë nga familjarët që u dërgonin paratë, por edhe kulturën përmes veshjeve, muzikës, gatimit, gjuhës, leximit, apo çdo gjëje tjetër të ardhur prej perëndimit të ndaluar.
Shumica filloi t’i përdorte paratë e emigracionit për shtëpi, ca i ndërtonin me shumë kate edhe pse për shumë vite u mbeteshin bosh. (Ndoshta shihnin njëri-tjetrin ose sepse mendonin se gjithë fëmijët pas martese do të jetonin nën një çati). Ca të tjerë i dekoronin, porositnin mobilje, ndërroheshin perde, bliheshin tapetë, disa i modifikonin, prish një mur e hap një derë. Ëndrrat po realizoheshin. Shqiptarët po jetonin të bukurën e përtej kufijve, atë që e kishin mitizuar prej vitesh.
Veshjet shumë-ngjyrëshe, por edhe e zeza epike, dukej sikur i kishin shpallur luftë çdo tekstili ngjyrë bezhë ose gri në atë kohë. Modernizmin nuk kishte kush ta quante më shfaqje të huaj. Filluan të shfaqeshin plot njerëz me gjithë stilet e mundshme antikonformiste. Për çdo mollë dikur të ndaluar kishte neps për ta kafshuar. Shoqëria gjeti terrenin ta shfaqte pa frikë atë që në fakt e kishte prej kohësh, urinë për të bukurën që vinte prej jashtë. Pati edhe prurje të shëmtuara aty-këtu. Po konsumohej gjithçka me shpejtësi, dhe diku ndodhte të konsumohej diçka edhe pa inteligjencë, ose duke shkelur ligjet.
Por këta nuk përfaqësonin gjithë popullatën. Sepse ndryshe nga shqiptarët e kronikave të zeza të shfaqur nën ngjyra të errëta e kriminale, shqiptarët janë të kulturuar e plot me ëndrra të bukura, janë inteligjentë që spikatin ndër popuj për aftësitë e përshtatjes e shumëçka. Kush ka vullnetin e mirë e dallon këtë, ose së jashtmi, ose duke shpjeguar sjelljet, ose duke shfletuar historinë. E bukura është në genin e shqiptarit, qartësisht e provueshme që nga prodhimet ilire të ekspozuara në muze. Gjithashtu e mira është pjesë e shpirtit të shqiptarit, e vërtetuar sidomos nga historitë e pashkruara që janë përcjellë ndër breza si pasuri e vyer kombëtare. Prandaj uria shqiptare për të patur të bukurën e të mirën nuk mund të ngopet as me lugë të zbrazët e as gjysëm plot pavarësisht hapjes së kufijve, liberalizimit të vizave, apo premtimeve për anëtarësime. Sado t’i quajnë me raste edhe barbarë, shqiptarëve nuk do t’u pritet oreksi, por do dinë të tregojnë gjithmonë sesa vlerë kanë. Sidomos nëse bëhen bashkë dhe vlerësojnë njëri-tjetrin, pasi mes të bukurës dhe të mirës së shqiptarëve gjendet dhe e keqja dhe e shëmtuara që është vetëm një: përçarja mes vedi.
P.S (Ky shkrim nuk ka synim analizën e shqiptarëve, përveçse cekjen e disa elementeve sjellorë që bien në sy lehtësisht)











