Kolumnist

Popujt janë gjithmonë të pafajshëm, pushtetet asnjëherë - Nga Dom Gjergj Meta

Rusia dhe Ukraina janë dy popuj të mëdhenj, jo aq nga numrat e kilometrat katrorë se sa nga tradita që përcjellin e përmbajnë. Kanë brenda vetes histori e përshpirtëri të jashtëzakonshme. Kush ka lexuar sadopak, apo ka dëgjuar muzikën, ka parë filmat, kush i ka vizituar apo ka kaluar sadopak kohë me rusë e ukrainas e kupton mirë çka unë po them.

Rusia me Perëndimin evropian ka pasur një ndërshkrirje të mrekullueshme edhe pse shpesh mes problemesh e përplasjesh, por janë pasuruar reciprokisht në kulturë, filozofi, letërsi dhe përshpirtëri. Se sa shumë ka ndikuar kultura franceze në sferat aristokrate ruse, mjafton të lexosh Dostojevskin. Sa shume rusia ka ndikuar në Perëndim mjafton të lexosh Kojève, apo disidentët rusë në letërsi, si Pasternak e Solzhenicini. A mund të kuptohet muzika klasike e romantike pa Çajakovskin, Rahmaninovin e plot të tjerë, apo letërsia pa Dostojevkin, Tolstojin, Çehovin etj?

Nuk është aq e lehtë të bëhesh palë në një konflikt që realisht nuk ka të bëjë me Rusinë e Ukrainën, por vetëm me gjeopolitikën dhe përplasjen midis dy (super)pushtetesh që duan të sundojnë botën, Rusia dhe USA.

Popujt janë gjithmonë të pafajshëm, pushtetet jo asnjëherë. Popujt e gjejnë gjuhën e komunikimit, pushtetet kanë vetëm një gjuhë: sundimin. Prandaj edhe shpërthejnë luftërat, sepse mbizotëron instikti i sundimit dhe i zaptimit të tjetrit për t'u ndjerë epror.

Megjithatë sot duhet të ndjehemi më të lehtësuar e të falenderojmë Zotin për çdo shenjë sado të vogël paqeje.

©Dom Gjergj Meta