Kolumnist

Kanadaja sot qeveriset nga një njeri i dobët - Nga Nador Bakalli

Për herë të parë në historinë e Kanadasë, kryeministri shpalli thirrjen në veprim të Aktit të Emergjencave, si masë sublime për të shtypur përfundimisht protestat e kamionistëve dhe përkrahësve të tyre.

Ky Akt i jep qeverisë fuqi të përkohshme dhe mund të përdoret sipas këtij parimi:

"Raste urgjente dhe situata kritike që rrezikojnë seriozisht jetën, shëndetin ose sigurinë e kanadezëve dhe janë të proporcioneve apo natyrave të tilla që të tejkalojnë kapacitetet e Provincave në përballimin e tyre"

Menjëherë pas shpalljes, tre provinca të ndikuara nga protestat, Saskatchewan, Alberta dhe Quebec bënë me dije se nuk e përkrahin këtë hap në territorin e tyre dhe nuk ia kanë nevojën. Nëse provincat nuk e duan këtë masë, vetvetiu lindin disa pyetje:

Kujt i shërben kjo masë? Çfarë e pengonte qeverinë dhe Policinë Mbretërore të vepronte pa evokimin e kësaj mase? Përse erdhi puna deri këtu?

Sipas leximit tim përgjigjen e gjej të përmbledhur në një fakt të vetëm. Kanadaja nuk është përballur kurrë më parë me një dështim të përmasave të tilla në lidership. Vendi sot qeveriset nga një njeri i dobët!

Dobësia e Kryeministrit në menaxhimin e pakënaqësisë popullore e ka vënë Kanadanë në një pozitë të turpshme në raport me historinë e saj të lavdishme. Pasi u fsheh për mbi dy javë dhe anatemoi qytetarët e tij protestues me epitete të padenja, sot mundohet të bëjë një hap burokratik për t'i dhënë vetes së tij atë që i mungon si uji i pakët: forcën e një lideri.

Le të më sqarojë dikush mbi situatën kritike, rrezikun e jetës apo kushtet ekstreme mbi të cilat u mor ky vendim. Jeta e kujt po rrezikohet nga bllokimi i një ure? Kush ndjehet i kërcënuar nga kamionët e parkuar apo protestuesit kur në dy javë nuk është thyer një xham apo gërvishtur një njeri i vetëm? Si e rrezikon ekonominë bllokimi i pak urave kur kufiri Kanada-SHBA ka mbi 100 pika kalimi kufitar? Po ajrin, lumin, detin, a i kanë bllokuar kamionistët?

Jo pra. I vetmi njeri që ndjehet i kërcënuar është Kryeministri, ai që provokoi zgjedhje të kota në mes të pandemisë dhe rriti zemëratën popullore me marrëzinë e tij sanitare deri në këtë pikë.

P.S. Argumenti se bllokimi i urës ka sjellë skarcitet mallrash, lënde të parë apo rrezikon vende pune është po aq i dobët sa vëtë lidershipi i Trudeau. Ka muaj të tërë që mungojnë artikuj të shumtë nëpër rafte dhe inflacioni po bën kërdinë si pasojë e mbylljes masive të bizneseve gjatë pandemisë.

Me pak fjalë, fajin nuk ua kanë fajin kamionistët.

Kërkojeni diku tjetër!

©Nador Bakalli