Republika e ambasadorëve dhe inceneratorëve - Nga Ilir Gjini
Ilir Gjini - Toronto
“Bir Selman i nënës kë të qaj më parë”?
Në katundin tonë dikur “hallall” - fanar ndriçues i gjithë botës, sot “haram”, që po braktiset nga rinia, dy gjëra po dominojnë debatin publik: Inceneratorët që në vend të plehrave po vazhdojnë të djegin miliona euro nga paratë publike dhe ambasadorët, që në vend të rolit diplomatik, janë shndërruar jo vetëm në avokatë të një qeverie të korruptuar, por po ndërhyjnë dhunshëm edhe në garën elektorale vendore e partiake.
Deklaratat aspak diplomatike të Ambasadores Kim kundër kandidatëve të “Shtëpisë së Lirisë”, janë skandaloze për një vend sovran që aspiron të futet në familjen europiane. E përfshirë njëherë në garën partiake të PD-së dhe tani në garën vendore, Ambasadorja Kim ka uzurpuar postin e pashpallur të “Kryetares së Kooperativës së tipit të lartë” - Shqipëri.
Dje kishim Lenka Çukon që nga mjelëse e dalluar e lopëve të Kooperativës së Krutjes, u bë udhëheqëse e madhe, anëtare “Biroje” që jepte orientime nga yllkat e kopshteve e deri te shkrimtarët e shkencëtarët.
Sot kemi Ambasadoren Kim që na orienton kë duhet të votojmë në zgjedhjet vendore, kë duhet të kemi në krye të opozitës dhe kush duhet të mbretërojë, pa i hyrë gjëmb në këmb në krye të qeverisë.
Nga ana tjetër skandali i inceneratorëve që po djegin miliona euro, po hyn në “kalendat greke”. I denoncuar me fakte uluritëse që dy vite më parë në SPAK, ky i fundit u “kujdes” që skandali të mos dilte para zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, sepse mund të digjte bashkë me miliona euro (plehra ende nuk po djeg), edhe partinë e plotfuqishme në pushtet.
Dy javë punë e komisionit parlamentar, prodhoi më shumë fakte se sa dy vite hetime nga SPAK. Në sytë e shqiptarëve tani panorama është e qartë: një supervjedhje pa iu dridhur qerpiku, sepse kemi në dorë edhe gurin edhe arën. Edhe paratë e shqiptarëve, edhe drejtësinë e “vetingarëve”.
Mirëpo kur muti bëhet mullar, askush nuk e fsheh më dot. Roli i SPAK si shërbëtori i dy zotërinjve: Kryeministrit dhe Ambasadores së kooperativës, u vu ca në vështirësi. Që edhe mishi i drejtësisë së vetinguar të piqet, edhe helli i qeverisë së korruptuar mos të digjet, u gjet një e mesme e artë.
U burgos një ministër dikur LSI-st, që çuditërisht dha dorëheqjen nga deputet sapo fitoi mandatin dhe i la kohë Klodit të Zotove të tregonte edhe një herë zotësinë e tij, duke ia mbathur në drejtim të paditur. Madje edhe pse në “kërkim ndërkombëtar”, ende emri i Klodian Zotos nuk është përfshirë në listat e Interpolit. Kuptohet që i duhet lënë kohë të fshihet derisa skandali të shuhet.
Teksa shoh këtë Republikë inceneratorësh e ambasadorësh, mu kujtua një shprehje popullore : Bir Selman i nënës kë të qaj më parë!?
©Ilir Gjini












