Shkaku i djeshëm dhe pasoja e sotme - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ajo që, nën efektin e propagandës dhe trushplarjes mediatike të demokracive perëndimore, njerëzit nuk e kuptojnë apo e anashkalojnë, është fakti që, ashtu si fenomeni "Adolf Hitler", edhe fenomeni "Putin" eshte Pasojë dhe jo Shkak. Pasojë e prishjes së ekuilibrave gjeopolitikë në favor të më të forteve (Angli, Francë dhe SHBA).
Shkaku (Traktati i Versajës bashkë me padrejtesitë në kurriz të Gjermanisë dhe popullit gjerman) prodhoi Pasojën (Adolfin).
Shkaku (thërrmimi i Perandorisë komuniste BRSS dhe vendosja në krye të saj e një klouni si Boris Jeltsin) e katandisi Rusinë nga superfuqi në një shtet rrëmbythje gjate viteve 90-te duke prodhuar Pasojën (Putin).
I shkruaj këto radhë me idenë që të bëhemi më shumë racionalë, se sa patetikë, kur gjykojmë ngjarje dhe personazhe që përgjatë historisë njerëzore trondisin botën shpesh në mënyrën më kriminale të mundshme.
Putin është lideri i Rusisë dhe sigurisht qëllimi i tij është të mbrojë dhe sigurojë interesat ruse me çdo kusht, me diplomaci dhe me luftë.
Togfjalëshi "me çdo kusht" u përket të fortëve.
"Me çdo kusht" u imponua Traktati i Versajës nga Perëndimi.
"Me çdo kusht" Hitler iu imponua gjithë Europës.
"Me çdo kusht" Regan dhe Papa Vojtila gjunjëzuan Perandorinë kriminale sovjetike.
"Me çdo kusht" Putin kërkon dhe ia ka ridhënë statusin e Superfuqisë Rusisë.
"Me çdo kusht" SHBA dhe NATO bombarduan Beogradin e Milosheviçit dhe e bënë Kosovën e diskriminuar shtet të lirë e të pavarur
"Me çdo kusht" globalistët po përhapin dhe zbatojnë axhendat e tyre shkombëtarizuese anti-atdhe dhe anti-familje.
"Me çdo kusht" Kina po kërkon dhe do marrë Tajvanin
Në një botë amorale si e jona, në marrëdhëniet ndërshtetërore, nuk ka “të mirë” dhe “të këqinj”, por “të fortë” dhe “të dobët”.
Putin i Ukrainës nuk është "djali i keq" dhe Amerika e Perëndimi i Irakut, Afganistanit, Sirisë etj., nuk jane "djemtë e mirë", por janë TË FORTËT E MOMENTIT në një kontekst historik të caktuar.
Pra, vënia në vend e një padrejtësie nga njera anë dhe forca e duhur nga ana tjetër, janë dy shinat mbi të cilat ecën makineria e "Me çdo kusht".
Përvoja tregon se edhe vetëm forca mjafton për të vënë në lëvizje këtë makineri. Ky është rasti Putin. Lëvizjet mbi një shine të vetme, atë të forcës, janë dëshmuar jo afatgjata, edhe pse e kanë kapur në befasi botën.
"Mos harro, gjithnjë është një më i forte se ty", është një këshillë që një plak i jep të birit të dhunshëm dhe arrogant në një film ëestern.
Putin do vazhdojë të putinizojë skakierën ukrainase, për sa kohë që është më i forti i momentit. Një forcë që i vjen nga dobësia e Perëndimit.
“Vakuumi mbushet” dhe “çfare mbjell do të korrësh” janë dy ligjësitë më absolute të ekuilibrave gjeopolitikë që konfigurojnë vetë Botën.
©Artan Gjyzel Hasani