Kolumnist

Flas Shqip - Një portal për shqiptarët e Kanadasë

Nga: TAULANT DEDJA

Mediat online janë sot një realitet i kudondodhur. Pa më të voglin dyshim duhet pohuar që ato e kanë transformuar krejtësisht mënyrën e bërjes gazetari dhe të informimit në përgjithësi. Kanë transformuar dhe konkurencën në këtë drejtim. Ndaj, që në krye të herës na duhet të pranojmë se të marrësh përsipër editimin e një medie online kërkon angazhim të vazhdueshëm e të përgjegjshëm.

FLAS SHQIP, vjen tashmë si portal pas një eksperience më shumë se një vjeçare në print. Realiteti i ri i medieve online kudo në botë na motivoi të mbushim boshllëkun që ekziston në këtë drejtim për komunitetin shqiptar në Kanada. Fillimisht do të jemi modestë në këtë pikë, por të bindur se në të ardhmen do të jemi një faqe referimi. Kjo sepse FLAS SHQIP do të synojë në radhë të parë të shndërrohet në një instrument të vërtetë informativ për të gjithë bashkëkombasit në Kanada dhe jo vetëm. Ne të gjithë do t’ia japim këtë fuqi portalit tonë të përbashkët, duke ofruar vlerat më të larta intelektuale, krijuese e mbështetëse, të cilat mund t’i kemi strukur diku gjatë përditshmërisë ultraintensive amerikano-veriore.

Ju e dini se për shkak të rrethanave historike e gjeopolitike, ne shqiptarët kemi jetuar për më shumë se një shekull në shtete të ndryshme. Ajo që na ka bashkuar të gjithëve e vazhdon të na mbajë të tillë është gjuha jonë, elementi më thelbësor i identitetit të çdo kombi. Gjuha jonë shqipe, unike në llojin e vet, e folur dhe e shkruar vetëm nga ne shqiptarët, na obligon të kujdesemi për ruajtjen e vazhdimësinë e saj. Fatmirësisht, sot, në epokën e globalizimit dhe internetit, kur nocionet kohë dhe kufij nuk kanë kuptimin e dikurshëm, e kemi më të thjeshtë se të parët tanë ta bëjmë këtë. Sidomos ne shqiptarët e Kanadasë, që kemi zgjedhur të jetojmë në një shtet tipik të krijuar nga emigrantët, ku ruajtja e identitetit kombëtar dhe kulturor të vendit nga vjen, inkurajohet me ligj.  

Ndoshta për Kanadanë ne shqiptarët jemi një fluks emigracioni i ri në kohë, por dukshëm kemi treguar se jemi një komunitet me potencial e energji të jashtëzakonshme. Dikur ishin me dhjetra, por sot qindra e mijëra nëna dhe baballarë, gra e burra, vajza dhe djem, kanë ndërtuar apo kanë nisur të ndërtojnë karriera të suksesshme. Vlerat e tyre janë të provuara me punë e rezultate të prekshme në çdo veprimtari të jetës këtu në Kanada. Sigurisht që edhe historia e largët dhe e afërt e emigracionit shqiptar nëpër botë e dëshmon këtë. Ajo na tregon se ne kemi jo vetëm kapacitet të ekzistojmë e mbijetojmë, por edhe të ndërtojmë «kulla» rezistente ndaj kohës.

Kësisoj, duke vlerësuar e respektuar forcën krijuese, aftësinë e çdo shqiptari, për të gjetur kohë t’ia dedikojë dashurisë për vendin, jo vetëm përmes statuseve në facebook,  ne mirëpresim kontribute që me siguri do jenë me vlera dhe të ndjera.

Përmes fotografive apo shkrimeve të frymëzuara në çdo cep të botës ku do jeni, vende që do shëtisni, njerëz që do të takoni, ngjarje ku do bëheni pjesë, ndjesi që do provoni, emocione që do përjetoni, ju do të mund t’i dërgoni në portalin tuaj FLAS SHQIP. 

Në këtë mënyrë ne synojmë që ky portal të jetë qysh nga momenti i parë një portal i të gjithë shqiptarëve të Kanadasë, një forum që i shërben ruajtjes dhe trashëgimit të gjuhës dhe kulturës shqipe brez pas brezi, një hapësirë interaktive që kontribuon në harmoninë e komunikimit dhe ruajtjen e kohezionit mes gjithë aktorëve dhe faktorëve institucionalë të komunitetit tonë.

Ju bëjmë me dije se çdo publikim do të bazohet në disa parime themelore, për të cilat bordi drejtues i FLAS SHQIP ka rënë dakord njëzëri: profesionalizmi, paanshmëria politike, etika e komunikimit, respektimi i gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar, përfaqësimi gjithëpërfshirës dhe respektimi i mendimit ndryshe.

Të dashur lexues!

Rruga që do të përshkojmë së bashku mund të na duket e vështirë, por ne e shohim me optimizëm çdo pikë mbërritjeje. Siç thoshte Ëinston Churchill, "një pesimist shikon vështirësi tek çdo mundësi ndërsa një optimist shikon një mundësi tek çdo vështirësi". Ne urojmë që FLAS SHQIP të jetë një mundësi më shumë për tu ndjerë komunitet solid duke folur e shkruar SHQIP.

"Unë flas shqip"  ishte e vetmja fjali që dinte në gjuhën e të parëve një pasardhës arbëresh emigrant në Kanada që kam takuar dikur. Tingëlloi bukur në momentin e prezantimit por më pas trishtuese kur bashkëbisedimi ndryshoi gjuhë. Ne urojmë që ky portal të jetë një mjet më shumë ndihmues që pasardhësit tanë të flasin e të shkruajnë rrjedhshëm gjuhën amtare pavarësisht se ku do i hedhin rrënjët e jetës.

E paçim të mbarë rrugëtimin tonë!