Lulzim Basha, i paaftë edhe si gënjeshtar - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Çdo njeri gënjen nga pak. Shumica e gënjeshtrave quhen gënjeshtra të bardha. P.sh. - “Faleminderit kam ngrënë (në fakt je i uritur po të vjen zor). - Nuk erdha dot se isha pa qef, me temperaturë (në fakt harrove). - Shumë e bukur këmisha që më bleve (në fakt është demode dhe nuk të pëlqen fare)”.
Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, shumica e njerëzve gënjejnë mesatarisht 3-4 herë në ditë. Por në përgjithësi janë gënjeshtra të bardha, pa zarar. Madje sipas këtij studimi, fëmijët fillojnë të gënjejnë që në moshën tre vjeçare duke i fshehur lodrat që pëlqenin duke thënë që humbën, për të mos i ndarë me fëmijët e tjerë.
Dikur kam patur një mik që gënjente shumë. Por edhe pse e dija që më gënjente, vazhdoja ta dëgjoja me ëndje për “heroizmat” e tij dhe i thoshja: të dëgjoj me ëndje, se ti di të gënjesh bukur.
Pra pothuajse të gjithë gënjejmë nga pak dhe gënjehemi ose zhgënjehemi nga miqtë, të afërmit, e sidomos nga politikanët që në një farë mënyre, kanë në dorë fatet tona.
Kur dëgjova Bashën menjëherë pas disfatës së rëndë të 6 Marsit që fliste për fitore, mendova se edhe si gënjeshtar ka dështuar. Gënjen shumë trashë.
Në fakt gënjeshtra është pjesë e dëshirave që njeriu nuk i realizon dot në botën reale dhe që i realizon mjaft lehtë në botën sureale. Pra Basha është prijësi që nuk ka humbur asnjë betejë! Basha do mposhtë “Trekëndëshin e Bermudës”! Basha madje është Kryeministri i vërtetë i shqiptarëve.
Mirëpo vjen një ditë që edhe deputetët e tij besnikë po ftillohen. Jo se nuk e dinin që ai po gënjente, por tani e kuptuan se nuk po gënjen më bukur. Duke i bërë iso humbjeve të Bashës, nesër nuk do të jenë më deputetë as vetë. Jo pse i heq nga lista Basha, por se do t’i heqë populli opozitar. Zhgënjimit të Gridës e Salianjit do t’i përgjigjesha me disa pyetje:
Si prisnit rezultat tjetër kur bashkuat votat me Ramën për zgjatjen e Komisionit të Vettingut?
Si t’ju besojnë demokratët kur nga njëra anë thoni zgjedhjet u vodhën, po nuk kemi parë asnjë protestë për votën?
Si t’ju besojnë shqiptarët, kur ju merr për veshi një Ambasadore sikur të jeni fëmijë kopshti?
Ish-kancelari gjerman Otto von Bismarck ka thënë: “Njerëzit gënjejnë më shumë para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë”.
Fatëkeqësisht Basha vazhdon të gënjeje edhe pas zgjedhjeve, si humbës i çertifikuar nga KQZ-ja dhe gënjeshtar i dështuar edhe në aktrim.
©Ilir Gjini











