Kolumnist

Kryeministri ndëshkon gazetaren se ajo… bën pyetje! - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Nëse një qytetar sheh kryeministrin në rrugë, në avion apo në një restorant, a i ndalohet t’i bëjë një pyetje apo disa pyetje?

Unë them se jo. Kryeministri, në një vend demokratik, është një punonjës në shërbim të popullit dhe e ka jo vetëm detyrim ligjor të përgjigjet, por edhe moral.

A duhet të jenë pyetjet të kuruara bukur kur i drejtohen kryeministrit apo çdo pyetje është e drejtë?

Unë besoj se edhe pyetjet e formuluara rrëmujshëm nga qytetari pa përvojë gazetarie, do duhet të marrin vëmendjen dhe respektin e kryeministrit.

Po nëse kryeministri pyetet prej një gazetareje, a duhet t’i përgjigjet pyetjes? Nëse është një kryeministër i ligjshëm, transparent dhe në shërbim të publikut, do duhet t’i përgjigjet çdo lloj pyetjeje. Mund edhe të refuzojë, por sërish duhet ta artikulojë në mikrofonin e gazetares që refuzon t’i përgjigjet pyetjes.

Kryeministri Rama ka frikë nga gazetaria. Ka frikë nga pyetjet jashtë skenarit. Ka frikë të shfaqet jointeligjent, pa përgjigje. Pyetjet e gazetares Ambrozia Meta, i kërcënojnë imazhin dhe vetëkontrollin dhe për këtë ai e ndëshkon atë me 60 ditë riedukim.

Si e mori këtë vendim kryeministri?

Duke thithur flegrat e hundës, marrë frymë thellë, tundur lehtë trupin majtas e djathtas, rrotulluar sytë dhe përgatitur gojën me disa shtrëngime e lirime nofulle, Rama bëhet gati të mbajë fjalën e rastit, por hej, ai ndeshet me pyetje trazovaçe. (kliko këtu nëse je kurioz/e për ta parë reagimin)

E kështu, kaq u desh që të frustrohej kryeministri ynë, (ndoshta edhe shiu bëri të vetën). Nën efektin e emocioneve negative që gjeneruan disa pyetje të njëpasnjëshme të gazetares, kryeministri e humbi toruan sepse iu cënua autoriteti. Gazetarja nuk po e linte t’u shmangej pyetjeve që nuk i pëlqenin. Gazetarja Meta po insistonte të merrte përgjigje, ajo nuk po shfaqte admirim dhe as empati për kryeministrin që po rrinte pa çadër në mes dhjetra mikrofonëve. Pse moj Ambrozia kaq e pandjeshme ti?! Kryeministri u zemërua, se një gazetare, për më tepër zonjushë, nuk po impresionohej nga madhështia e tij.

Çfarë duhet të bëjë kryeminstri që ti tregojë vendin kësaj gazetareje “të paedukuar”?

“Ti e humbet të drejtën e përgjigjeve të mia për, le të themi, 60 ditët në vijim, kalon në riedukim”- kjo ishte hakmarrja e tij kreative ndaj gazetares që nuk i përulet autoritetit të tij.

Sepse të të përgjigjet kryeministri “duhet ta meritosh, është një e drejtë, privilegj dhe jo detyrim”.

E morët vesh? Vetëm mbani mikrofonët para kryeministrit e mos pyesni fare, lëreni të bëj monolog dhe kështu ju lehtësohet puna në montazh.

Kam një thirrje paralajmëruese drejtuar fillimisht televizionit ku punon gazetarja e gjithë të tjerëve që shfaqin lajme: Se mos guxoni ta ndëshkoni me 60 ditë pa minuta televizive (hapësirë mediatike) kryeministrin, se do na fikni derën si popull.

 

©JetaDedja, Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.