Kolumnist

Shteti shqiptar dhe injorantët e tij - Nga Dritan Goxhaj

Besoj që të gjithëve ju kujtohet kur vjet, Kryeministri ynë përbetohej me rob shpie, se Beketi nuk do të merrte asnjë qindarkë nga paratë e Albkontrollit, por ja që dje ndodhi e kundërta e asaj që Rama u mburr. Dje Gjykata Belge që shqyrtonte ankimimin e Shqipërisë për këtë problem, vendosi që Beketi t’i marrë të gjitha paratë që ka vendosur Gjykata e Arbitrazhit. Dhe dje e filloi me 20 milion eurot e para të bllokuara.

E di, që Rama nuk do të turpërohet nga kjo, dhe as që do të mbaje përgjegjësi. Bile ai, për të hequr vëmendjen nga ky skandal, është i gatshëm që të publikojë skandale të tjerë të tijët, vetëm e vetëm, që këtu të mos diskutohet për paratë që ne duhet të paguajmë, për shkak të veprimeve të tij diktatoriale, në rastin Beketi, ndaj televizionit të tij.

Për këtë, sot të gjitha mediat u morën me një skandal tjetër, me një veprim prej halabaku ordiner të Ramës për çështje të një maske. Po gjithsesi një skandal ky që ka ndodhur në dhjetor të vitit që shkoi. Pra siç edhe shihet, ai është i gatshëm që të nxjerrë edhe ordinerllëqe të vetes, por vetëm për paratë për të cilat u përbetua se nuk do prekeshin të mos flitet.

Dhe ai u përbetua, se si duket e ka garantuar haremxhesha e tij kryesore, ministrja Balluku se do bënte gjithçka për të bllokuar marrjen e këtyre parave. Kjo deduktohet nga veprimi i Drejtorit të Albkontroll. Veprim ky, të cilin e zbuloi Gjykata Belge në vendimin e saj.

Gjatë këtij vendimi gjykata ndër të tjera shprehet: “Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm, e prezantuar nga Albkontroll si dëshmi nuk respekton termat e neneve të Kodit Gjyqësor, sepse nuk përmban as datë, as vendlindje e as vendbanim të autorit. Po ashtu, nuk përmend as se si kjo deklaratë është përpiluar për përdorim gjyqësor dhe se autori i saj është në dijeni se deklarimi i rremë nga ana e tij e ekspozon përballë sanksioneve penalë. Së fundi, deklarata nuk përmban dokument që do ta vërtetonte identitetin e autorit të saj. Për këto motive, kjo deklaratë nuk konsiderohet e pranueshme”.

Ashtu siç edhe shihet brënda skandalit të marrjes së parave nga Beketi, shteti Shqiptar nëpërmjet Albkontrollit, ka bërë edhe një skandal tjetër, si pasojë e të cilit këto para tashmë përfundimisht iu dhanë Beketit.

Nuk ka turp më të madh sesa kur një gjykatë e huaj konstaton se një institucion shtetëror, si Albkontroll, me një zyrë juridike më vete të paguar si mos më mirë, nuk është në gjëndje qe të përpilojë një deklaratë juridike për në gjykatë.

Pra, tregon se ky institucion drejtohet nga një injorant dhe se juristët e këtij institucioni nuk e kanë haberin fare për punën për të cilën paguhen. Normal, injorantët mbledhin rreth vetes vetëm të ngjashmit.

Dhe duke qënë se për shkak të këtij veprimi delirant të drejtorit të Albkontroll, Shqipëria përfundimisht e humbi të drejtën e këtyre parave, ky është një veprim totalisht i papërgjegjshëm i drejtorit, me një dëm të pamatshëm ekonomik ndaj shtetit, dhe vetë institucionit në fjalë.

Më e pakta, kjo do të duhej të llogaritej menjëherë nga Prokuroria si shpërdorim detyre, ndërsa më e rënda si korrupsion pasiv, pasi ky veprim mund të jetë bërë me qëllim për ta humbur këtë gjyq.

Në të dy këto raste, vetëm një gjë vihet re qartësisht.  Këtu as drejtori i Albkontroll dhe as ministrja Balluku, nuk e pyesin (pjerdhin) për fjalët e Kryeministrit.

Tashti që Rama nuk do mbajë përgjegjësi për këtë që ndodhi, këtë e dimë, pasi natyra e tij prej sociopati nuk ia lejon një gjë të tillë. Por tashti, duke qënë se Balluku ka filluar të hiqet si e përgjegjshme, ose duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë që ndodhi, pasi drejtori i Albkontroll është emërim i saj, si kanakar i saji, ose kjo duhet ta kërkojë këtë përgjegjësi të drejtori i saj injorant dhe i papërgjegjshëm.

Sot gjykata Belge na tregoi me anë të një vendimi gjyqësor me pasoja të rënda për ne, se Shqipëria jonë, është në duar të sociopatëve, të injorantëve dhe të papërgjegjëshmëve.

©Dritan Goxhaj