Kolumnist

Përse kryeministri fshihet pas budallait? - Nga Agim Baçi

Agim Baçi

Kryeministri Rama iu rikthye në Kuvend gjuhës fyese dhe komunikimit banal, duke i akuzuar përfaqësuesit e opozitës si “të sëmurë nga budallallëku”, ndërkohë qu u mbrojt pas reagimit të ashpër të tyre përmes justifikimit se “nëse dikush më thotë budalla nuk kam asnjë problem. Nëse më thotë i korruptuar apo kriminel, patjetër e kam problem!”.

Por përse i nevojitet ky banalitet Ramës dhe ky bullizëm kaq i hapur në komunikim, ku shumica e përgjigjeve janë sharje, fyerje dhe delegjitimim i kundërshtarëve? Përse Rama vijon të mbajë një “fekalizim të diskursit publik”, duke përdorur fyerjet dhe akuzat si argument?

Së pari, banaliteti e ndihmon Ramën që të shmanget nga çdo llogaridhënie. Pas gati nëntë vitesh në pushtet, duket qartësisht se Rama nuk mund t’i ofrojë publikut asgjë të re. Por, banaliteti si mënyrë komunikimi nuk vlen vetëm për të fshehur llogaridhënien dhe mungesën e ideve për të nesërmen. Banaliteti më së shumti dekurajon qytetarët të bëhen pjesë e debateve realë. Ndërkohë, përmes banalitetit, Rama tenton të shndërrojë audiencën në turmë dhe të përcaktojë më pas debatin në bazë të termave banalë.

Përmes procesit të fekalizimit të gjithë debatit publik, ai kërkon të krijojë bindjen se nuk ka alternativë tjetër që duan shqiptarët për qeverisje. Me këtë mënyrë komunikimi ai tenton të zhdukë çdo urë debati që do të shkonte drejt analizimit të qeverisjes dhe sidomos drejt sqarimit të akuzave ndaj ish-ministrave, deputetëve dhe ish-zyrtarëve që janë nën hetim për korrupsion, si në rastin e hetimit për aferën e inceneratorëve.

E meqenëse gjatë gjithë qeverisjes ka bërë gjithçka që të ndërtojnë një vetëdije të rreme mbi realitetin, atij i duhet të përdorë gjuhën e dhunës dhe të fyerjes. Ndaj nuk ngurron të fshihet pas budallait, pasi për të mjafton që të mos ketë akuza si i përfshirë në korrupsionin për të cilën akuzohen zyrtarët e qeverisjes së tij.

E padyshim që tallja më e madhe është kur deklaron se “në qeverinë e tij gjithkush mban përgjegjësi personale”, ndërkohë që shqiptarët kur e kanë votuar, e kanë votuar atë si garant i qeverisjes sipas ligjeve, siç e ka dhe në Kushtetutë, dhe jo si i mbret i justifikimeve për çdo gjë që shkon keq.

©Agim Baçi