Kolumnist

Kjo luftë do ndaluar - Nga Ҫapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Nëse jeta e popullit ukrainas është shqetësimi ynë, atëherë perëndimi duhet të bëjë diçka për të ndaluar luftën  tani. Kështu shkruan ish korespodenti i BBC-së në Moskë Angus Roxburgh në një opinion që e publikon The Guardian. Në vijim po sjell lirshëm argumentet kryesorë të gazetarit britanik:

Pak njerëz në perëndim venë në dyshim faktin se Ukraina po bën një luftë të drejtë. Vladimir Putin në mënyrë të njëanshme dhe pa shkak nisi një agresion dhe pushtim territoresh të një vendi sovran.

Nga kjo rrjedh se mbështetja e Ukrainës është gjëja e duhur. Por lloji i mbështetjes që po jep Perëndimi lë shteg për diskutime.

Ndihmat perëndimore në armatime, ndërkohë që përjashtohet mundësia e nderhyrjes së NATO-s, janë qasje që do sjellin një luftë të gjatë. Përparimi i Rusisë mund të ngadalësohet, por ka shumë pak gjasa që të ndalet, ndërkohë shkatërrimi dhe krimet e tmerrshme do të vazhdojnë.

Në dy muaj luftë, zona nën kontrollin rus - fillimisht vetëm pjesët e shkëputura të Donbasit - është rritur ndoshta në pesë herë më shumë. Nëse Rusia vazhdon të pësojë "humbje" me këtë ritëm, atëherë në dy muaj të tjerë i gjithë Jugu i Ukrainës mund të jetë gërmadhë, qytete të tilla si Odesa do t'i ngjajnë Mariupolit dhe mijëra e mijëra ukrainas të tjerë do të kenë vdekur.

Problemi është se ka vetëm dy mënyra për të ndaluar shpejt luftën dhe asnjëra nuk është e këndshme për shumicën e udhëheqësve perëndimorë.

Njëra do të ishte që NATO të hynte në luftë dhe të bënte një goditje të shpejtë, masive dhe vendimtare për të gjymtuar forcat pushtuese të Rusisë. Ndryshe nga veprimet e Rusisë, ajo do të kishte çdo të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për ta bërë këtë. Kur Putin ndërhyri në Siri, e përligji si akt të ligjshëm ndaj një kërkese nga qeveria legjitime dhe e njohur ndërkombëtarisht e Sirisë. Perëndimi mund të bëjë të njëjtën gjë në Ukrainë.

Natyrisht kjo rrugë mbart rrezikun e një lufte të tretë botërore. Kjo është arsyeja pse perëndimi refuzon të ndërhyjë drejtpërdrejt.

Opsioni tjetër i udhëheqësve perëndimorë është të bindin Putinin të zbatojë një armëpushim të menjëhershëm, duke ftuar Rusinë në bisedime gjithëpërfshirëse të paqes. Udhëheqësit perëndimorë nuk janë të prirur të bisedojnë me një kasap si Putin. Por ata e bënë atë me Sllobodan Millosheviçin e Serbisë, vetëm disa muaj pas masakrës në Srebrenicë, dhe rezultati ishte marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje në 1995.

Për ta çuar Putinin në tavolinën e bisedimeve, gjithçka do të duhej të diskutohej - duke përfshirë kufijtë e Ukrainës, shqetësimet shekullorë të Rusisë për sigurinë etj.  Rezultati i bisedimeve nuk ka nevojë të paracaktohet. Gjëja më e rëndësishme është të flasim dhe jo të luftojmë.

Udhëheqësve perëndimorë mund të mos u vijë mbarë të flasin për këto çështje, por ndërkohë Putini vazhdon perpjekjet për të rivizatuar hartën me forcë. Ata më mirë do të luftonin - ose më saktë, do ta linin Ukrainën të luftonte, me shpresën për të mundur Rusinë. Por nëse ka gjë të sigurt është se Putini nuk do ta pranojë kurrë humbjen. Ai tashmë është investuar shumë thellë për t'u tërhequr pa asgjë.

Për hir të Ukrainës, kjo luftë duhet të ndalohet tani, në një mënyrë ose në tjetrën, para se të mos mbetet asgjë nga vendi që duam të mbrojmë.

Në esencë këto thotë Angus Roxburgh. Dëshiroj fort të jem gabim, por intuita më thotë se gazetari britanik ka të drejtë: kjo luftë do ndaluar. Mënyrat si e qysh e tek nuk i di se vetëm emrin kam prej luftëtari.

©Ҫapajev Gjokutaj