Edi Rama është në hall - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi
Nuk shkrova ditën e djeshme. Prita të ftohet pak kryeministri. Se dje ishte në flakamë. Kishte renditë fjalët më të dhunshme në verbin e tij kundër opozitës të adresuara te pjella e vet me emrin SPAK. I trishtueshëm në kulm ishte. Secilit i kumbonin ato fjalë si funeral pas një beteje të humbur rëndë. Donte me çdo kusht "ta mposhtëte armikun" pas humbjes.
Armiku për Edi Ramën është dhe mbetet opozita e Sali Berishës. Tetë vite investoi që DASH ta shpallte non-grata dhe tani e do prapa hekurave. I tha SPAK-ut se "aty i ke dokumentet e DASH". Por ato dokumente janë versioni i Delina Ficos në regjinë e Edit. E me ato letra bakalli SPAK-u nuk mund të veprojë. Se janë artikuj gazetash, madje që përsërisin shpifjen e vet me qindra here. Fakti se je non-grata nuk të bën fajtor.
I gjendur në kurthin e "larjes së leshit" me shpenzimet marramendëse kundër Sali Berishës, tani ka filluar të hajë vetëveten. Si qeni i plagosur që pi gjakun e vet. Kush e ka parë ditën e djeshme, ka kuptuar qartë se Edi Rama është në hall. Dhe halli që ka nuk i ngjan halleve të paraardhësve të tij nga Nano e Meta e deri te Berisha. Ndjehet gjithashtu i përdorur dhe i tradhëtuar. Sepse ata që e futën në vallen e kanabizimit dhe trafikut të drogës tani po e shesin. SPAK-u është instrumenti i goditjes fatale. Inceneratorët janë sinjali i parë serioz.
Ndaj Edi Rama është dyfish i zhgënjyer. Se e ndjen që po e tradhëtojnë ata të cilët e nxitën në paligjshmëri dhe se i është ndërprerë ëndërra për t'u bërë një lider global në një organizatë apo pakt politiko-ushtarak ndërkombëtar.
Zhgënjimi e nxjerr nga shinat Edi Ramën.
©Enver Bytyçi










