Kolumnist

Srebrenica dhe skandali i rëndë i Parlamentit shqiptar - Nga Enver Robelli

Dështimi i miratimit të Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë është një skandal i rëndë i parlamentit të Republikës së Shqipërisë.

Për shkak të polarizimeve të skajshme, urrejtjes së ndërsjellë e motiveve të ulët politikë, dy partitë politike dominuese në Kuvendin e Shqipërisë, socialistët dhe demokratët, kanë turpëruar rëndë shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Të paaftë për kompromise, të papërgjegjshëm mbi pasojat politike mbi vendin, të padenjë për të qenë përfaqësues dinjitozë të votuesve të tyre, deputetët që prodhuan këtë skandal meritojnë vetëm ndëshkim dhe përbuzje.

Dështimi i miratimit të Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë e nxjerr Shqipërinë para botës demokratike si shtet joserioz dhe qesharak.

Për shkak të kalkulimeve politikë u keqpërdor një tragjedi si ajo e Srebrenicës. Nuk u ngurrua të keqpërdoret edhe Kosova.

Në parlamentin shqiptar duket se nuk ka më asnjë fije përgjegjësie shtetërore.

Është një ditë e neveritshme në historinë e parlamentit shqiptar. Dhe një ditë e bukur për shtypin karnevalesk të Beogradit për të triumfuar.

Me ngjarjen e sotme makabre lidhur me Rezolutën mbi Srebrenicën, ky parlament i Shqipërisë e ka diskualifikuar veten të përfaqësojë qytetaret dhe qytetarët e Shqipërisë. Për fat të keq edhe kjo ngjarje e turpshme do të kalojë nën zhurmën e akuzave të ndërsjella mes të ashtuquajturve socialistë dhe të ashtuquajturve demokratë.

Tragjike është se Shqipëria nuk ka shoqëri civile që do të protestonte kundër këtij poshtërimi që parlamenti ia shkaktoi vendit sot. Nuk ka masë kritike. Nuk ka Shqipëria as klasë intelektuale me autoritet që ngre zërin kundër kësaj loje të ndyrë partiake për interesa të politikës së brendshme.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë do të heshtë. Do të heshtin shkrimtarët. Mediat do të jenë të ndara: njëra anë do ta mbrojë pushtetin dhe sulmojë opozitën, tjetra do të sulmojë pushtetin dhe mbrojë opozitën.

Një tragjikomedi si prodhim i mentalitetit mesjetar të politikës shqiptare. Mund të shpreh zemërimin ndonjë intelektual, por zëri i tij nuk do të dëgjohet. Shqipëria shumë shpejt, me gjasë nga nesër, i kthehet “normalitetit”. Një normalitet toksik.

©Enver Robelli