Kolumnist

Kthimi i opozitarizmit - Nga Ilir Levonja

Sot bota e internetit është e gjitha me sytë tek kartonët e kuq të qeverisë Rama në lidhje me rezolutën për të dënuar genocidin e Srebrenicës. Taulant Balla dhe kryetarja e Kuvendit mund të kenë qënë dy nga njerëzit që Rama mbrëmë gjithë natën ua ka numëruar me prag shtëpie, ku i kanë e ku nuk i kanë, gjithë arsenalin e sharjeve vënçe nga bota shqiptare. Kjo u duk sheshit kur brenda një harku kohe prej 30 minutash postonte statuse në Twitter duke hequr dhe plotësuar, por dëmi tashmë ishte jo vetëm i madh por edhe i pariparueshëm.

Kuvendi i Shqipërisë dhe fytyrat me të qeshurat idiote të atyre që paguhen me flori të kulluar në raport me qytetarët shqiptarë, kartonët e kuq, tagri apo inteligjenca e kollareve përballë syve të botës tashmë u ngjanin karikaturave me meme që sjellin vetëm neveri. Qe një taktikë mjaft e zgjuar e Sali Berishës dhe Grupit të Rithemelit, ndofta edhe një resto për të shlyer atë përplasjen bajate mes tij dhe Alibeajt, në foltoren e Kuvendit, liderit të vetshpallur dhe gjoja përfaqësuesi i klasës së të përndjekurve. Megjithëse nuk ka fituar asnjëherë mban postin e Kryetarit të Grupit Parlamentar ku në raport me nënkryetarin ka një numër të theksuar votash të munguara. Pra nuk është askush tjetër por një humbës klasik ndaj edhe refuzon të votohet, megjithëse vota apo liria janë thelbi i përndjekjes civile. Por nuk ia vlen të merresh me humbësit.

Megjithatë vendi fitoi sot një kthim frontal të opozitarizmit ku në një paralelizëm me Srebrenicën, shqiptarët duhet të bëjnë mësëpari një rezolutë edhe për njohjen dhe dënimin e krimeve të diktaturës komuniste. I kemi një borxh të madh humbjeve, internimeve, persekutimeve. Sot paradoksi më i madh social është kur qeveria promovon vuajtjet e at Zef Pllumit përshembull, ndërkohë që nuk ka një ndjesë publike për krimet e baballarëve të tyre karshi priftit katolik. Rasti më fatkeq, më i kobshëm, më i dhimshëm me dy vajzat e mitura të Gjikolajve, në kampin e Tepelenës. Me dy nënat malësore Prena e Dila, që humbën vajzat foshnja aty. I varrosën fshehurazi dhe vetëm pas viteve 90-të shkuan t'i shvarrosnin.

Eshtë një turp kombëtar shqiptar për cilindo ligjëvënës, kollarexhi, deputet apo qytetar që voton. Ky makabritet ka ndodhur në vendin tonë, në Shqipëri. Më pas njihni dhe gjenocidin karshi shqiptarëve në Kosovën martire, ku edhe aty një nënë shqiptare shtron tavolinën me katër pjata, megjithëse i shoqi dhe djemtë që nga viti 1999 nuk i kthehen në shtëpi. Ne kemi plot pengje në raport me gjenocidin në rajon. Jo vetëm me boshnjakët. Kemi me armenët. Kësisoj fytyrat bajate e kartonët e kuq nuk janë asgjë tjetër por faqja jonë e zezë për shkak të cektësisë dhe përdorimit qoftë nga opozita, qoftë nga njëshi i tyre.

Kthimi i opozitarizmit duket tek lajthitja e Ramës që kërcënon SPAK-un. Megjithëse mund të ketë dëgjuar që edhe emri i tij është në listë. Tek lufta propagandistike me imponimin se kë duhet të zgjedhin si liderin e tyre anëtarët e një force opozitare politike. Tek taktika për kapjen e shtetit me pushtet. Rama sot është një nga më të tërbuarit, një nga më agresorët karshi jush, një nga më hileqarët, një nga më mishëruesit e të gjitha atyre që thotë për kundërshtarët e vet politikë. Dhe kjo falë kthimit real të opozitarizmit.

©Ilir Levonja