Kolumnist

Secila klasë politike ka merita për lirinë e Kosovës - Nga Enver Robelli

Pa lëvizjen çlirimtare e përparimtare të Adem Demaçit që nisi në vitet 50-të, zor se do të merrte hov lëvizja për Republikën e Kosovës e vitit 1968. Në atë vit në Prishtinë u mbajt një simpozium për Skënderbeun dhe studenti Ibrahim Rugova shkroi një shkrim me plot kushtrim për heroin shqiptar të Mesjetës, por edhe prokurori Rezak Shala, vëllai i aktorit Abdurrahman Shala, kërkoi në forumet më të larta shtetërore që Kosova të bëhet republikë.

Pastaj udhëheqja nominalisht komuniste e Kosovës e udhëhequr nga funksionarët iluministë kryesisht gjakovarë arriti t’ia sigurojë Kosovës autonominë brenda Jugosllavisë, e cila e bëri Kosovën element konstituiv të federatës jugosllave. Pastaj, pa mobilizimin politik të shqiptarëve të Kosovës që u gjallërua në vitet 80-të, zor se do të merrte guxim klasa e intelektualëve shqiptarë të Kosovës të konfrontohej direkt me nacionalizmin serbomadh.

Edhe nëse do ta bënte këtë, nuk do të arrinte shumë, sepse nuk do ta kishte prapa popullin. Por populli i Kosovës tregoi pjekuri politike. Rrjedhimisht, mund të thuhet se rezultat i kësaj pjekurie është krijimi i lëvizjes politike properëndimore dhe proindipendiste të prirë nga Ibrahim Rugova.

Pa politikën e tij zor se lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës do t’i kishte dyert e hapura në Perëndim, siç i pati. Pra, pa politikën e Rugovës vështirë se do të ishin krijuar rrethanat për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa lëvizjen e armatosur, pra pa UÇK-në, Kosova nuk do të ishte e pavarur.

Në histori secila klasë politike luan atë rol që mendon se është më i miri për popullin. Disa ia qëllojnë, disa dështojnë. Nëse i marrim parasysh rrethanat e vështira në të cilat u gjend Kosova pas vitit 1945, secila klasë politike ka merita për lirinë e Kosovës.

Se cila ka më shumë merita, për këtë ende nuk është zbuluar peshorja. Por hajde të pajtohemi se të gjithë kanë kontribuuar që në fund NATO të bombardojë Serbinë për 78 ditë dhe në një ditë qershori të vitit 1999 të agojë liria. Kjo është, pak a shumë, historia e Kosovës. Të tjerat janë përralla.

©Enver Robelli