Presidenti i munguar - Nga Ilir Levonja
Për sa u fol deri tani dhe mënyra se si ua ofroi presidentin e ri Edi Rama shqiptarëve, më kujtoi atë dialogun e filmit 14 vjeç dhëndërr të Dhimitër Anagnostit. Gruaja donte në shtëpi një nuse për punët e dorës pasi nuk po ia dilte dot e vetme, një nuse për ta punësuar. Kështu i bie. Dhe bashkë me Vangjelin (Ramën) po seleksionionin kandidaturat. Gruaja thoshte Viton e Kozmait, kurse Vangjeli ngulte këmbë, Marigonë e zotit Kore, dhe e bukur dhe punëtore. Si përfundim, siç e dini edhe ju tashmë, ca prej Çajupit, ca prej filmit, fitoi kandidatura e Vangjelit, pra Marigoja.
Pa iu dridhur syri fare, por brenda një gjëndjeje tepër të lodhur, se kështu i paraqitet shqiptarëve Edi Rama, me demek po këputet për Shqipërinë, gjeti një gjeneral. I cili nuk dinte asgjë, por e pranoi menjëherë kandidaturën për postin e presidentit. Nga ana tjetër të mendosh tre raundet e djegur pa gajle, ku të gjithë u përfshinë aty me përjashtim të Edit. Të kujtosh atë vrullin e grupeve shoqërore në ato nismat intelektuale me pretendimin se po i ofronin Kuvendit figurat e duhura, ku të gjithë ishin të përfshirë aty, vetëm Edi jo. Të gjithë donin të ishin presidenti i radhës. Dhe pse jo, derisa Kushtetuta ua lejon. Deri intelektualë që nuk kishin teserën as majtas e as dhjathtas, por me peshë në jetën e vendit. Dhe në një qasje normale t'i ofrohesh vendit tënd është vepra më fisnike.
Derisa këtë mbrëmje një ironi therëse u ka ngërthyer shtrembër një buzëqeshje të hidhët në pamjen e tyre. Ngado që ta kthesh sot, Edi Rama ka plotësuar kubaturën e peshës së madhe të pushtetit të tij, pikërisht atë që nuk u duhet shqiptarëve. Madje shoh në shtyp plot të marrosur që nisin e kumtojnë mbi integritetin e këtij gjenerali ashtu siç edhe bënë pesë vite më parë me Ilir Metën.
Shqiptarët kurrë nuk e kuptuan se nuk kanë nevojë për një burrë të mirë, por për një president të zotë. Se ndofta pas një viti ky burrë i mirë, mund të jetë në të njëjtat pozita që është edhe Ilir Meta sot. Aktualisht një pjesë e madhe kanë bindjen absolute se presidenti Meta është kryekriminel, krye i korruptuar dhe nuk ngopen së godituri atë. Por kurrë nuk goditën atë që ua ofroi Ilir Metën si president.
E poshtëruan Ilir Metën me kamera të fshehtë, e përdhosën me 21 janarin e 2011, por në 2017 e pranuan kur Edi Rama ua ofroi si President. Më pas mbështetën Edin në luftën e ashpër për ta hequr duke u bërë po palë të një beteje që i shërbeu vetëm Edi Ramës dhe aspak Shqipërisë. Kësisoj mund të ndodhë edhe me këtë burrin e mirë, megjithëse në një seks të kundërt është totalisht pamja e Marigosë së përrallës sa komike, por aq dhe tragjike nga bagazhi tradicional shqiptar.
Sonte ju nuk keni një president, as Shqipëria, as shqiptarët. Deri sa nuk e votoni, nuk e keni. Sot ka Edi Rama një Marigo për punët e shtëpisë. Ju mbetët rishtas spektatorë.
©Ilir Levonja











