Media, si mollë e kalbur e pushtetit - Nga Ilir Gjini
Kur Eva dhe Adami të yshtur nga “Djalli” kafshuan mollën e ndaluar, filluan të mëkatonin dhe fatkeqësitë do pasonin për njerëzimin. Zoti i largoi nga Kopshti Eden i Parajasës dhe i zbriti në kopshtin e mëkatit tokësor. Kështu bëri dhe Media në atdheun tonë të dashur që po zbrazet dita-ditës. Kafshoi mollën e kalbur korruptive që i ofroi pushteti dhe u shndërrua në një megafon propagande.
Po t’i hedhësh një sy mediave kombëtare, lehtësisht do konstatosh se janë të mbytura nga propaganda duke sfumuar realitetin e zymtë, me buzëkuqin e “sukseseve” të “rilindasve” soc-punistë. Misionin e shenjtë të gazetarit, e këmbyen me dividentin aksioner të fitimit, duke u shndërruar në video tape të pushtetit. Kaseta filmike të shpërndara nga zyrat e propagandës së pushtetit, shfaqen shabllon në media. Madje edhe një shaka për 1 Prillin, që udhëheqësi ynë do zgjidhej sekretar i NATO-s, zuri vend si e vërtetë në mediat tona vigjilente.
Shkrimtari i famshëm Albert Camus, që për shumë vite punoi si gazetar, më 25 Nëntor 1939, në një editorial për lirinë e medias në gazetën Le Soir Republicain, shkruante:
“Sigurisht të gjitha liritë kanë kufijtë e tyre, megjithatë, duhet të pranohen lirisht, jo të imponohen. Pyetja është si një gazetar i përballur me shtypjen e kësaj lirie, mund të mbetet i lirë”?
Camus propozoi katër principe që një gazetar ruajë dhe demostrojë lirinë: qartësia, refuzimi, ironia dhe kokëfortësia.
Fatkeqësisht në atdheun tonë kjo gazetari ka vdekur. Përjashto gazetarët e “Birn” që kanë investiguar shumë më mirë se prokurorët e SPAK, si dhe disa portale online, shumica vegjetojnë në gazetarinë e propagandës. Madje shterpësia profesionale në disa raste po cënon edhe jetën private të qytetarëve.
Pas denigrimit mediatik të një vajze të re në Librazhd që iu bë një gjyq publik për “shkelje të kurorës”, para dy ditësh pashë një tjetër skandal në një emision investigativ të titulluar “Piranjat”. Në qendër të këtij “investigimi”, qe një grua e re nga Saranda, e cila kishte konflikt me bashkëjetuesin, për disa çështje private që lidheshin me administrimin e një lokali.
Se ku e gjejnë të drejtën këta gazetarë të filmojnë një qytetare me kamera të fshehtë, pa dijeninë e saj, të vendosur në një lokal privat dhe ta bëjnë publike në sy të gjithë miletit, një zot e di.
Të drejtën për të filmuar jetën private të një personi e jep me vendim vetëm gjykata. Media mund të investigojë jetën private, madje edhe ta bëjë publike, vetëm atëherë kur e drejta e publikut për t’u informuar prevalon lirinë individuale. Nuk e kuptoj ku qëndron interesi i publikut për të parë një konflikt banal të një cifti?
Dhe ky rast nuk është i vetmi. Dëshira për disa klikime më shumë, i bën disa media të bien në banalitet duke shkelur rëndë të drejtat dhe liritë e individit. Ndërkohë që nuk bëjnë asgjë për të investiguar personat e korruptuar, që administrojnë paranë publike, po mjaftohen me videot e shpërndara nga zyrat qeveritare të propagandës.
Eva dhe Adami mëkatuan pasi kafshuan mollën e “Djallit”, ndërsa Media jonë pasi kafshoi mollën e pushtetit, u shndërrua edhe vetë në një mollë të kalbur që duket e kuqe dhe e shijshme për pushtetarët, ndërsa për qytetarët duket e kalbur dhe e e ngrënë nga krimbat.
©Ilir Gjini











