Kolumnist

Integrimi në BE: Nuk sakrifikohet Shqipëria për poturet e Ramës - Nga Ilir Levonja

Edi Rama sapo i doli përpara jo-së së radhës së Bashkimit Europian. Me një postim në Twitter ai u flet shqiptarëve në pozitat e një komandanti ''hero'', si dikur Enver Hoxha kur thoshte na u prish gjiza ne se mërzitet greku. Krijesa Edi Rama nuk ka kuptuar dhe nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me pozitat e një shefi qeverie në diktaturë dhe atij në demokraci.

Ai duhet të largohet nga si kryeministër pasi në 10 vjet qeverisje nuk ka arritur ta bëjë Shqipërinë pjestare të Bashkimit Europian. E kishte premtimin e parë elektoral. Përkundrazi pa një referendum kombëtar, devijoi rrugën e saj drejt Lindjes.

I doli përpara për faktin se në Samitin e radhës që pritet të mbahet në datën 23 dhe 24 qershor, çështja e Shqipërisë nuk figuron. Eshtë e lehtë ta mësosh, pasi nga publikimet paraprake të programit të punës, apo axhendës, duket se Shqipëria nuk është për t'u diskutuar.

Brenda qeverisjes së tij nga 2013 e deri më sot, Jo-të e Europës kanë qënë thuajse të përvitshme. Nuk duhet të diskutohet më asgjë, qysh apo si. Edi Rama duhet ta hapi krahun dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.

Nuk i kuptoj as shqiptarët se si tolerojnë vit pas viti dështimet klasike të një qeverie të mbaruar. Madje konceptualisht janë të përçarë sa nuk është e rastësishme që proteston shoqëria e hapur për çmimin e naftës, të tjerët ofrohen vetëm nga shtëpia. Protestojnë bujqit për prodhimet e mbetura, mungesën e tregut, çmimet e larta të pesticideve, të tjerët ofrohen nga televizori.

Proteston opozita shqiptarët shullaten në çarçafët e shprehjes, ''për inat të sime vjehrre, po shkoj me mullixhinë e fshatit''. Më keq akoma brenda opozitarizmit, i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, rrahin gjoksin se kush është demokrat apo jo, ndërsa Edi Rama tall menderen me vendin.

Zoran Zaevi nuk është më kryeministër i Maqedonisë së Veriut. A e dini përse? Pasi një vit më parë në samitin e radhës Maqedonisë së Veriut nuk iu hapën negociatat. Pati burrërinë të hapte krahun. Kjo është demokracia. Kurse në Shqipëri pushteti çimentohet, pavarësisht firove dhe theqafjes së një njeriu.

Vini re së fundi, mënyrën se si u zgjodhën krerët e Partisë Socialiste në rrethe, duke u emëruar, pa votë. Janë shenjat e një pushteti në ngritje, jo të një demokracie të konsoliduar. Nuk e di përse shqiptarët pranojnë të ndëshkojnë veten dhe fëmijët e tyre për poturet e Edi Ramës. Kjo është një katastrofë sa sociale, aq edhe kombëtare.

Edi Rama duhet të ikë një orë e më parë, pasi Shqipërisë do t'i duhen dekada të tjera për të mbushur gropat e tij. Jo-ja e radhës e BE ka vetëm një përgjigje, hapjen e krahut.

Ju jeni kthyer në koristë, ashtu tok, si në kohën e Dullës, mallkoni majtas e djathtas dhe mbani sytë nga Lindja. Ky është degradim!

©Ilir Levonja