Kolumnist

Diaspora dhe perandoria e rërës - Nga Nador Bakalli

Ҫdo gjë filloi në vitin 2016. Zell i madh. Entuziazmi në qiell. Rëra hidhet përpjetë.

Samiti i parë i Diasporës, 800 vetë nga 40 shtete të ndryshme. Krijohet “Ministri i Shtetit Për Diasporën”. Samiti i dytë i Diasporës, butafori pa fund. Shpenzime marramendëse. Tituj ambasador kombi lart e poshtë, krijimi i KKD, Agjencia e Diasporës, Dhoma e Biznesit të Diasporës, Komiteti Shtetëror për Diasporën, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, Qendra e Botimeve për Diasporën, qendra e kësaj, e asaj, organizma, borde, agjenci, mbledhje, grupe pune, drejtori, sekratariate etj. etj. Tre strategji të Diasporës. Mijëra faqe me bojna të shumëllojshme. Miliona euro të shpenzuara. Ziente Diaspora si kurrë më parë. Themelet e perandorisë ishin rrënjosur aq fort sa do t’i rezistonin mijëvjeçarit, si vetë “Rilindja”.

Por, me kohën del dhe boja si duket. Gjendja sot ne 2022? Kollaj fare. Perandori prej rëre e shembur me turp. U shkërmoq me themel.

Ministria e Punëve të Kota u shkri. Agjencitë u shkrinë ose janë rrugës drejt shkrirjes. Askush nuk kërkoi falje për premtimet e pambajtura. Askush nuk kerkoi llogari se ku shkuan milionat e eurove që u shpenzuan. Kali i betejës, vota e Diasporës sot është marrë përsipër nga të tjerë. Ministria e Punëve të Kota, edhe votën e Diasporës, si shumë gjëra të tjera, e la në mes të katër rrugëve.

Ndërkohë që Diaspora fryhet (minimalisht 500 mijë të ikur në 10 vitet e fundit), strukturat qeveritare kinse për Diasporën, shfryhen dhe shkërmoqen njëra pas tjetrës. Diaspora, deri dje fëmija më i dashur dhe i përkëdhelur për qeverinë e “Rilindjes”, sot e gjen veten jetime dhe në mes të katër rrugëve. Gjithë ato fonde, angazhime, organizime dhe njerëz, u shkrinë në një hiç!

Le të na shërbejë si mësim kjo të nderuar miq. Ҫdo “Diasporë” e organizuar nga qeveria është veçse një flluskë dhe një gënjeshtër, pre e së cilës ranë të gjithë ata që menduan se Rama vërtetë e ka për zemër Diasporën. Jo, nuk e ka hiç për zemër. Diaspora është kërcënimi më i madh për të paudhin. Është ajo që, herët ose vonë, do të sjellë fundin e tij dhe të çdo autokrati që do të mundohet ta pasojë.

Të gjithë ju që besuat se Diaspora e organizuar e qeverisë është rruga e duhur, hidhini një vështrim vetes në pasqyrë dhe gjithashtu perandorisë së rërës së shkërmoqur që keni përballë. Vetëm një Diasporë me marrëdhënie sa më të distancuara nga qeveria do ta nxjerrë vendin nga bataku ku ndodhet. Ҫdo Diasporë e organizuar nga qeveria është ose do të kthehet pashmangshmërisht në vegël të përdorur të qeverisë. Iluzioni i autonomisë nuk pi më ujë.

Ne tironcit kemi një shprehje: “Qe nji llafe, e mur (mori) ustai”.

Mrekullitë e Diasporës ishin veç të tilla, llogje. I tha dhe i mur “ustai” autokrat.

©Nador Bakalli