Nderim për 4 korrikun e për idealet amerikane - Nga Ernest Nasto

Ernest Nasto - Michigan, SHBA
Sot është 4 korriku, Festa Kombëtare e Shteteve të Bashkuara, e cila përkujton ditën kur Deklarata e Pavarësisë shpalli botërisht, në vitin famëmadh 1776, shkëputjen e 13 kolonive nga Mbretëria e Britanisë së Madhe. Kjo ditë shënohet si fillimi i Revolucionit amerikan, që do të kurorëzohej me sukses pas 7 vjetësh, më 1783.
Fjalët e Deklaratës se "të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur prej Krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme midis të cilave janë jeta, liria dhe synimi për lumturi" kanë frymëzuar prej atëherë lëvizje të panumërta për liri e demokraci kudo në botë. Ato lëvizje kanë pasur qëllim të realizojnë një sistem qeverisës, në fjalët e presidentit Abraham Lincoln më 1863, "të popullit, prej popullit dhe për popullin".
Për fat të keq sot 4 korriku dhe e gjithë historia amerikane ndodhen nën një sulm të paparë prej ideologjisë majtiste e progresiste "woke", e cila bën thirrje për "fshirje" të 4 korrikut, të flamurit të SHBA, si edhe të etërve themelues të kombit amerikan, veçanërisht atyre 56 burrave që nënshkruan deklaratën.
Asnjë nderim nuk tregohet tashmë për aktin e tyre, asnjë nderim për guximin e vetmohimin e atij akti, të shprehur në batutën e famshme të Benjamin Franklin, delegatit më të moshuar në Kongresin Kontinental se "duhet të qendrojmë sëbashku, nëse s'duam të shkojmë në litar një nga një". Por ata hidhen të gjithë poshtë me pretendimin se kanë qenë skllavopronarë, patriarkalistë apo me lloj-lloj marrëzish të tjera.
Ata që ende besojnë se një censurë e tillë totalitare nuk mund të ndodhë kurrë në Amerikë mjafton të kujtojnë se sa shpejt dhe brutalisht lëvizja majtiste "woke" ishte në gjendje të krijonte këtë "kulturë të fshirjes" (cancel culture) për t'u mbyllur gojën atyre që guxojnë t'i kundërvihen. Dhjetra e dhjetra aktorë të Hollywood-it, artistë e personalitete të kulturës mburren në Twitter se do ta injorojnë 4 korrikun, se festa duhet fshirë nga kalendari për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë për abortin.
Mendoni absurditetin e një kërkese të tillë: të hedhim poshtë krejt historinë e kombit, sa herë që në politikën e sotme ndodh diçka që s'na pëlqen. Dhe nëse deklaratat në Twitter mund t'ju duken fjalë boshe, ndoshta do bindeni nga veprimet praktike: vetëm pak ditë më parë Drejtoria Arsimore e qytetit Cleveland, në shtetin Ohio, vendosi ta presë 4 korrikun duke hequr nga shkollat e distriktit emrin e Thomas Jefferson, hartuesit të Deklaratës dhe presidentit të tretë të SHBA, si edhe emrin e Patrick Henry, një prej figurave më të njohura të revolucionit amerikan. Ndërsa një numër anëtarësh të bordeve shkollore në California kanë bërë thirrje që 4 korriku të mos festohet, përkundrazi të "bojkotohet". Ideologjia majtiste është në marshim të plotë, e megjithatë veprimet e mësipërme janë veprime autoritarësh burracakë, të cilët, për ta thënë me fjalët e Jefferson gati 250 vjet më parë, kanë frikë t'u dalin njerëzve përballë.
Por përsëri, sado të përpiqet e Majta, ajo s'mund të ndryshojë faktin se ai dokument dhe ata burra krijuan historinë e Amerikës. Ajo histori nuk duhet kurrsesi të shtrembërohet, të censurohet ose të ndalohet për t'iu përshtatur narrativave ideologjike. Atje ku historia, apo dhe politika e sotme amerikane, është e keqe, ajo duhet dënuar dhe të konsiderohet mësim për të ardhmen. Dhe atje ku historia dhe politika e sotme është e mirë, ajo duhet lavdëruar e duhet të shërbejë si themel për të ndërtuar e për të shkuar më tutje.
Sido që të jetë, në asnjë mënyrë historia e përbashkët dhe ideali i përbashkët amerikan s'duhet të shtrembërohen, të censurohen, apo aq më keq të fshihen.
Nderim për 4 korrikun e për idealet amerikane!
©Ernest Nasto












