Kolumnist

Zullumi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Nga: Çapajev Gjokutaj

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ia bën fora. Përkundër faktesh që bëjnë muuu, mbron frymën e repartit dhe refuzon ndëshkimin e tre gjyqtarëve, gjynahqarë sipas të gjitha gjasave.

Më konkretisht, ministrja e Drejtësisë ka propozuar shkarkimin e tre gjyqtarëve. Kanë bërë shkelje jo dosido.

Njeri ka ndihmuar de facto vrasjen e një qytetareje. Nuk ka dhenë urdhër mbrojtjeje për ta shpëtuar nga agresiviteti i paradëshmuar i të shoqit.

Tjetri la të lirë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që drejtësia italiane e kërkonte të ekstradohej. Thenë ndryshe, ndihmoi arratisjen e një personi të rrezikshëm.

I treti ka dhenë jo pak, por rrumbullak 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë.

Për çudi KLD-ja i refuzoi të tria shkarkimet e propozuara nga ministrja. Zullum i madh. Kaq i madh, sa që detyroi Presidentin e Republikës të bënte një deklaratë për të thenë se ky vendim, i marrë në një mbledhje të drejtuar prej tij, ishte i padrejtë.

Ka shumë arsye që të shtyjnë të mendosh se refuzimi flagrant i këtyre tri ndëshkimeve është, mbi të gjitha, reagim kundër Vettingut që porsa ka filluar.

Kur ky reagim inatçor që arrin të mbizoëtrojë KLD-në, institucionin që ka qeverisur gjithë gjyqësorin, kuptohet se duhet të jetë i fuqishëm edhe mes gjyqtarëve të thjeshtë.  

Dhe problemi është se organet e reja, që do qeverisin gjyqtarët dhe prokurorët, nuk janë zgjedhur dhe s’dihet se kur do zgjidhen. Jarëm, jarëm!

Deri atëhere mos paç hall që të të shpjerë në dyert e gjyqësorit, se mund të të bjerë për hise ndonjë nga këta, që në inat e sipër, e bëjnë të zezën të bardhë e djegin edhe të njomin me të thatin.

(“Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë”)