Froni me gjemba apo të pasmet e duhura? - Nga Nador Bakalli
E di, titull i çuditshëm, por do përpiqem modestisht ta shtjelloj shkurt. Nxitja më erdhi nga pyetja e tmerrshme që e dëgjoj shpesh: Po iku, kush do vije?
Nuk e përshkruaj dot vështirësinë që ndjej kur e dëgjoj këtë pyetje. Lodh trurin të kuptoj vijën e logjikës dhe arsyet se pse shqiptarët, dhe jo vetëm ata me sipërfaqësi të dallueshme, por edhe ata me një barrë mend, bien në këtë grackë që i mban të limituar në një rreth vicioz, pa rrugëdalje.
Sërish e dëgjova këtë pyetje gjatë fundjavës nga një grup miqsh. U zhgënjeva sërish. Ula kokën dhe gërmova trurin për përgjigjen e thjeshtë që çdokush duhet të ketë parasysh:
Politika është proçes. Është sistem. I rinovueshëm, i ripërtëritshëm. Inividët duhet të ikin dhe të vijnë. Procesi në vetvete rinovohet, ripërtëritet, vetëm duke zbrazur vazhdimisht fronin. Me pak fjalë, nëse ai që ndodhet mbi fron duhet të largohet se e ka keqpërdorur fronin, fokusi duhet mbajtur pikërisht tek largimi i tij, jo tek lloji i të ndenjurave i atij tjetrit që mund të ulet në fron.
Ftoj të thellohen të gjithë ata që mendojnë se duhet gjendur alternativa e artë para se të zbrazim fronin nga të ndenjurat e zullumqarit. A mund të jetë njeriu kaq naiv sa të besojë se me një të shkrepur të gishtave do arrijmë të gjejme njerëzit e duhur të cilët sapo të ulen në fron do ta pastrojnë fronin me gjithe odë dhe do ta ndriçojnë vendin?
Kurrë nuk ka për të ndodhur. Kot prisni. Nuk do të ketë kurrë nje grupim apo individ që do të vijë me petk profetik dhe të na lulëzojë nga të gjitha anët! Thjeshtë nuk ka për të ndodhur.
Ajo që duhet bërë është sa e thjeshtë, aq edhe e vështirë për t’u kuptuar nga disa. Froni duhet trajtuar si një entitet, i cili mund të pastrohet gradualisht vetëm duke i vendosur gjemba. Dhe gjembat vendosen duke e çliruar vazhdimisht dhe sa më shpesh nga të ndenjurat që kanë zënë rehat dhe e kalërojnë çdo ditë.
Hidhini një sy rajonit. Sa kryeministra ka ndërruar Maqedonia e Veriut në 10 vitet e fundit? Po Mali i Zi? Po Italia? Po t’i mbledhësh bashkë ndoshta mbi 15 në total.
Cili prej këtyre vendeve e ka trajtuar fronin me mentalitetin shtet-vrasës me të cilin po e trajtojmë ne? A mos duhej pritur që të gjendej një tip më sagllam se Zaev para se të largohej Gruevski?
Jo dhe jo. Zullumqari largohet sapo bën zullum. Në këtë mënyrë bëhet shembull edhe për pasardhësin, që edhe atë e pret i njëjti fat, nëse bie në paudhësi.
Rruga është e thjeshtë miq. Fronit i duhen vendosur gjemba. Gjembat vendosen duke instaluar kulturën e zbrazjes së shpeshtë të tij. Në këtë mënyrë nuk lejojmë asnjë palë të pasme që mund të tentojnë të ulen, që të rehatohen në të duke “shirë lesh në lëmë”.
Nëse vendosim të presim për të pasmet e duhura para se të shkulim të pasmet e zullumqarit që ka zëne fronin, na pret tmerri pa fund.
Zbrazni fronin që të shtohen gjembat dhe të shohë edhe pretendenti se çfarë i pret të pasmet e tij, nëse ulet në fron dhe bie në mëkat!
©Nador Bakalli












