Kolumnist

Keqpërdorimi i Kosovës nga Rama në Parlamentin e Tiranës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Sërish Kosova po keqpërdoret nga politikanët e Tiranës për betejat e tyre të brendshme dhe të pista politike. Bëhen sikur po i ndihmojnë Kosovës, në të vërtete ia fusin thikën pas shpinës. Me fjalime absurde dhe me poza të rrejshme patriotike.

Ta marrim si shembull kryeministrin aktual Edi Rama. Më 2015 e ka perkrahur themelimin e Gjykatës Speciale, madje erdhi në Prishtine për t'i mbeshtetur Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për të krijuar gjykatën. Atëhere që të tre mallkonin kritikët e gjykatës dhe i konsideronin armiq të Perendimit.

Më 2018 Edi Rama tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Gjykata Speciale është e pashmangshme dhe nuk ekziston rreziku i shpërbërjes së saj. Nuk erdhi në Prishtinë për ta përkrahur Thaçin, i cili synonte zhbërjen e gjykatës.

Rrjedhimisht, fjalimi i sotem i Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë ku përpiqet të mbajë leksione kinse patriotike, është aq qesharak, aq i dobët, aq jokredibël. Një karikaturë fjalimi. Si t'i besohet një politikani që 7 vjet e ka përkrahur një gjykate, pastaj thotë të kundërtën?

Akuza e Ramës se PD ia ka futur thikën pas shpinës Kosovës, është paushalle. Po, PD ka bërë disa marrëzi ndaj Kosovës. Ndërsa Kosova në vitin 1998 ishte përfshirë nga flakët e luftës, në Tiranë PD përpiqej të bënte puç.

Por e verteta tjetër është se kanë qenë socialistët në pushtet, kur në Tiranë është vrarë Ahmet Krasniqi, minister i Mbrojtjes i Kosovës. Kurrë kjo vrasje nuk u ndriçua, sepse nuk është në interesin e politikanëve që qeverisnin në atë kohë dhe që kanë ndikim edhe sot. A janë arrestuar vrasësit e Ilir Konushevcit?

Ka qenë Partia e Edi Ramës në pushtet, kur një strukturë e UÇK-se u tolerua të hape burgje brenda Shqipërisë. Janë dënuar njerëz në Kosovë për keqtrajtim civilësh në këto burgje.

Nëse ka një parti në Shqiperi që me keqqeverisjen e saj e ka bërë të mundshëm raportin e Keshillit të Europës, atëherë ajo parti është Partia Socialiste. Edi Rama vetëm duhet ta shikojë arkivin e partisë së tij.

Nuk them që PD do kishte qeverisur ndryshe nga PS, po të ishte në pushtet në fund të viteve 90-të, por përpjekja e Ramës që për betejat e brendshme politike ta etiketojë PD-në si parti antikosovare është pak më shumë se dashakeqësi dhe fyerje e logjikës minimale të opinionit.

Për këso "ndihmash" nuk ka nevojë Kosova. 12 vjet pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës, 8 vjet pas raportit vendimtar të prokurorit amerikan Clint Williamson, 7 vjet pas themelimit të Gjykatës Speciale, të krekosesh se tani me një rezolutë mund të bësh hatanë, është hedhje e pluhurit në sytë e opinionit për të mbuluar heshtjen 12 vjeçare.

Kosova nuk do të duhej të keqpërdorej si leckë për tharjen e moçalit të politikës së Tiranës!

©Enver Robelli