Berisha në target - Nga Jeta Dedja

Jeta Dedja - Montréal
Deklarimi i Sali Berishës “persona non grata” ka për qëllim veç të krijojë panik moral mes ndjekësve të tij. Të destabilizojë mbështetësit, t’i frikësojë, t’i përçajë. T’u trondisë besimin tek lideri. Berisha në target do të thotë ndjellje e turmës kundër tij. “Ejani ta urrejmë në kor të padëshiruarin e fuqive të mëdha. Le ta minojmë popullaritetin e tij!” Por kjo damkosje mund të shkaktojë edhe efektin e kundërt. Berishës ka gjasa t’i rritet lavdia në sytë e popullit të shkelur.
Ajo që duket qartë është që popullariteti i Berishës është faktor risku për ekuilibrat e vendosur mes grupeve të trafikut dhe allishverisheve politike në rajon.
Duke përfituar nga fakti që ka një shteg ligjor për t’i shpëtuar dhënies së shpjegimeve dhe provave për vendimin e deklarimit “non grata”, zyrtarë të huaj, që nuk besoj se gëzojnë status moral më të lartë se të tjerët, marrin përsipër të artikulojnë etiketime sa qesharake aq edhe të pavlera. Njëlloj siç deklaruan Brad Pitt “persona non grata” në Kinë për shkak të një roli në film, u kujtuan dhe amerikanët e anglezët të shpallin Berishën “të padëshiruar” për rolin e tij në “filmin” shqiptar, ku producentë e regjisorë në të shumtën e kohës kanë qenë ata vetë.
Dikur Sir Henry Wotton, diplomat britanik, do të deklaronte në shekullin e 17-të “Një ambasador është një burrë i ndershëm i dërguar në një vend të huaj për të gënjyer për hir të interesave të vendit të tij”. Nëse supozojmë se këta zyrtarë të huaj po gënjejnë duke e cilësuar të rrezikshëm Berishën për lidhjet e tij korruptive, jam kurioze të di se si po mbrohen interesat e vendeve te tyre duke e shpallur “non grata” liderin e një partie opozitare shqiptare? Çfarë interesash janë duke u mbrojtur në këtë rast dhe të kujt specifikisht?
Ndonjëherë më duken këto situata si ato marrëdhëniet e lojës mes fëmijëve bullizues kur mërziten në lojën me gjasme, sidomos kur njëri nuk po luan sipas rregullave të tyre. Ata vendosin ta përjashtojnë nga loja duke u thënë gjithë kalamajve të tjerë të mos luajnë me të përjashtuarin, derisa ky i fundit t’i bindet autoritetit të të fortit. Por nëse shohin se ky fëmija i përjashtuar mbledh më shumë kalamaj rreth vetes, atëherë i ngjallen interesat atij të fortit që ta ketë mirë me këtë tipin që paska shoqni. Mëritë harrohen dhe “non gratat” kthehen në tituj lavdie dhe jo përbuzjeje.
©Jeta Dedja/Flasshqip












