Treguesit tanë shumë larg Bashkimit Europian - Nga Vangjush Saro
U filluan negociatat. I përshëndetëm. Le të shpresojmë që kjo ngjarje do të jetë edhe më tej një shans dhe një “lajm i mirë”. Dihet që kjo periudhë (e negocimit) është një proces teknik, që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar, në mënyrë që ai të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Tani le të shohim nga afër disa tregues që nuk do të përshtateshin dot me dëshirën tonë për të qenë në BE, as me “mallin” e pandryshuar për Evropën.
Ndërtimet monstruoze dhe mungesa e mjediseve sociale
Politika dhe oligarkët janë në akord për gjithçka, përtej çdo propagande. P.sh., Tiranën, kryeqytetin e këtij vendi që mëton të jetë… Evropë, ata e kanë bërë të pabanueshme; edhe pse shtiren sikur po e “zbukurojnë” dhe po e “nderojnë” me soj-soj koncerte të bujshme. Nuk jam urbanist, por kam disa të tillë në familje e në rrethin shoqëror dhe i dëgjoj me vëmendje, përveçse lexoj tekste, statistika, përvoja, ndërkohë që kam parë dhe shoh me sytë e mi çdo të thotë kaos, në shumë qytete të botës, edhe këtu në Vankuver ku s’dinë të ndalen - e, fundja, kudo njëfarëlloj ashtu është… Por, kanë të tjera hapësira e qendra banimi më të qeta e mjedise sociale të përshtatshme për një jetë normale. Fundja, kullat s’janë ndonjë meritë kushedi çë; edhe në Sri Lanka ka kulla…
Amnistia fiskale
Qeveria e z. Rama po përpiqet të kalojë në Parlament një projektligj për amnistinë fiskale. Kam dëgjuar e lexuar mendime të ndryshme; por disa eskpertë të Ekonomisë pyesin tullë se kujt i hyn në punë kjo amnisti: qytetarëve, shtetit apo mafies? Pyetje përvëluese. Dhe se mos ke shoqëri civile e opozitë që t’ua ndalë dorën…
Të tjera tema që trishtojnë
Gjendja e mjedisit, gjelbërimi për frymë, minimum jetik, niveli i krimit, numri i nxënësve për klasë dhe i shkollave për territor, kontrolli mbi ushqimet, shërbimi shëndetësor, etj., janë gjithashtu tema që prodhojnë shumë trishtim. Dhe në të njëjtën kohë, na kujtojnë se distanca nga Europa është mjaft e largët, është e frikshme; në të gjithë kuptimet.
Pikë mbi I
Që ta mbyll këtë shënim, negociatat dhe afrimi në BE lipset të jenë një proces real, që do të thotë se duhet të përmirësohen treguesit e mësipërm dhe të tjerë që s’u cekën në këto radhë. Por a ka gjasa të ndodhë kjo? Kush do kërkojë llogari për këto? “Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankeshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë?” (M. Friedman)
Kjo është çfarë s’e ndreqim dot me artikuj dhe protesta - problemi ynë u bë vërtet i madh - por duke kërkuar ndryshime rrënjësore, zgjedhje dhe votë demokratike reale.
©Vangjush Saro










