Politikanët dhe pelenat
- Nga: Arben Kallamata
«Politikanët dhe pelenat duhen ndërruar sa më shpesh dhe për të njëjtën arsye» - ka thënë Mark Twain.
Në botë ekzistojnë shumë sisteme ose metoda drejtimi të shteteve dhe partive, por pa dashur të hiqem si specialist dhe politolog do të veçoja tre prej tyre:
Sistemin demokratik, atë të zgjedhjeve të lira dhe të shkëmbimit të lirë dhe të qytetëruar të mendimeve dhe zëvendësimit të shpeshtë të njerëzve në pushtet, që mbizotëron pak a shumë në Europën Perëndimore, Amerikën Veriore, Japoni, Australi, Korenë e Jugut, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut, Izrael, Indi, etj.
Sistemin diktatorial–kolegjial që mbizotëron në Kinë, ku një organizatë gangsterësh mafiozë që e quajnë veten Partia Komuniste e Kinës ruan pushtetin për të gjithë grupin, por e zgjedh pak a shumë në mënyrë demokratike kreun e vet (brendapërbrenda llojit, kuptohet). Sistem të ngjashëm ka edhe Irani, veçse mafia aty nuk quhet parti komuniste por republikë islamike.
Sistemi Putino-Erdoganist, ku organizata mafioze drejtohet me dorë të hekurt nga një kryegangster i fortë që bën sikur ndjek një formë karikatureske të demokracisë. Ky system mbizotëron në Rusi, Turqi, Siri, dhe vende të tjera diktatoriale apo gjysmë-diktatoriale. Sistem të ngjashëm kishin Libia e Kadafit, Iraku i Sadamit, Egjipti i Mubarakut, etj.
Pyetja ime është kjo: si shpjegohet që midis nesh shqiptarëve ka kaq shumë të vetëshpallur nacionalistë dhe demokratë që s’lenë rast pa shprehur me fjalë urrejtjen për sllavo-komunizmin, apo ndikimin sllav në përgjithësi, por që mbeten përkrahësit më të thekur të modeleve lindore?
Përse hiqen si demokratë pikërisht ata që e shohin si të pranueshëm dhe madje të arsyeshëm kalimin e të njëjtit person nga President në Kryeministër dhe nga Kryeministër në President – bash si Putini dhe Erdogani? A a mund të jenë demokratë ata që përkrahin pa rezerva idenë e trashëgimit (gjenetik ose jo) të pushtetit dhe të të drejtës së Udhëheqësit të Madh dhe të Pagabueshëm për t’u marrë me politikë për aq kohë sa i do qefi, dhe për të përcaktuar vetë se kush do t’i zërë fronin?
Si mund të jesh “i djathtë“ kur je partizan i shtetit të fuqishëm, i shtetarit që grumbullon aq pushtet sa t’i kontrollojë të gjithë dhe që sundon me metoda komuniste?
A mund të jesh atdhetar dhe demokrat kur nuk të bën përshtypje era e keqe e politikanit që është qelbur në pushtet?











