Shteti si matrapik i pushtetit - Nga Ilir Gjini
Ka kohë që veshët e shqiptarëve jane mësuar me goditjet ritmike të shtetit matrapik që godet, thërrmon apo “josh” këdo që i del përpara, duke mos kursyer as median. Si matrapik i pushtetit po vepron SPAK, që pas orientimeve që mori në “Kongresin e Partisë-Shtet” për “zbutjen e luftës së klasave”, ndaj “kulakëve opozitarë”, hapi me urgjencë çështjen penale ndaj Ilir Metës.
Dikush mund të thotë që gjithku“sh nga pushtetarët“ duhet të hetohet kur ka një denoncim për të. Dakord, po si ka mundësi që SPAK vegjeton në dosje me fakte tronditëse si “inceneratorët” apo “tenderat e sterilizimit” dhe vrapon të fillojë procedimin penal ndaj Metës?
Si matrapik i pushtetit veproi edhe Autoriteti i Dosjeve, që pas një email-i anonim vrapoi të kontrollonte sirtarët për të gjetur që Meta paska qenë spiun me damkë.
U “tronditën” shokët e Autoritetit për Metën, ndërkohë jo më larg se një vit më parë mbanin në krye të Kuvendit një bashkëpunëtor të ish-Sigurimit me pseudonimin “Cigarja”!
Edhe nëse e pranojmë si të mirëqenë që Meta ka denoncur një shok që donte të arratisej, kjo jo domodoshmërisht e bën spiun të Sigurimit. Me këtë logjikë edhe Arben Kraja nuk duhet të ishte në krye SPAK, se si hetues i regjimit ka dënuar qytetarë shkodranë për rrëzimin e bustit të Stalinit, mirëpo ata që emëruan thonë se ka zbatuar ligjet e asaj kohe.
Si matrapik i pushtetit po vepron edhe IKMT e “Dallëndyshes” së pushtetit.
Pamjet trishtuese të ditëve të fundit ku matrapikët e “Dallëndyshes” së pushtetit iu sulën “Prestige Resort”, ishin epilogu i një sezoni turistik të dështuar ku “knockdown”-in ia dha arroganca e pushtetit. Turistë të huaj e vendas që merrnin rrezatimin diellor nën tingujt e “muzikës” së matrapikut, më sollën në kujtesë një ukrainas që sfidonte bombardimet e Putinit në portin e Odesës duke notuar i qetë.
Shumë prej “opinionistëve” të pushtetit na sjellin lloj-lloj argumentash për kondicionet e lejes, që në fakt janë thjesht një flluskë sapuni. Pse? Sepse në çdo rast duhej të lajmërohej pronari që të vetkorrigjonte shkeljet. Kështu zgjidhen mosmarrëveshjet në një qeverisje demokratike, që vetë e ka dhënë edhe lejen e ndërtimit.
Jo shumë kohë më parë kam pushuar në Kemer të Turqisë në një resort të quajtur “Orange County”. Ndërtimi është bërë në formë U-je dhe pronari hollandez ka imituar qendrën e Amsterdamit. Pishinat në mes të resortit shkonin deri te rëra e detit. Madje edhe gjatësia e bregut ku ngrihet hoteli ishte e rrethuar dhe shfrtëzohej vetëm nga pushuesit.
Prandaj sulmi mbi “Prestige Resort” është një nga episodet e shtetit matrapik që shkallmon me brutalitetin e pushtetit gjithkënd që i zbulon petët e “lakrorit PPP-ist”, ku milionat e taksave shkojnë për rrugë të florinjta, inceneratorë që në vend të plehrave djegin lekë, projekte kullash me fletë që zhduken nga regjistri i kadastrës dhe policë që masakrojnë femijë me skafet e korrupsionit.
©Ilir Gjini










