Reformoni shëndetësinë, mos arrestoni mjekët - Nga Erion Dasho
Fatkeqësisht, tashmë është bërë e modës që arrestimi i mjekëve të shërbejë si valvul shkarkimi për skandalet qeverisëse së “Rilindjes”. Sigurisht, jo e vetmja, por duke patur parasysh ndjeshmërinë e opinionit publik ndaj shëndetit dhe kujdesit shëndetësor, arrestimi i një mjeku largon 2-3 ditë vëmendjen nga megaskandali i radhës. Dhe diçka e tillë nuk është aspak e vështirë për t’u stisur.
Në radhë të parë, ka ende mjekë pazarexhinj. Kjo është fatkeqësi. Këta mjekë janë një minorancë që numërohen me gishtat e dorës, por ata janë ende prezentë. Përgjithësisht janë mjekët e paaftë apo me deformime të thella karakteri të cilët, në mënyrë të paturpshme dhe kriminale, nuk ngurrojnë të imponojnë lista çmimesh për shërbimet që ofrojnë.
Së dyti, është një masë jo e vogël mjekësh, që direkt ose indirekt, tregojnë se presin diçka në këmbim të kujdesit. Jo rrallë, këta mjekë nuk ngurrojnë t'i përgjigjen “sa të kesh dëshirë”, ose “fol me infermierin apo rojen”, pyetjes së hallexhiut se “sa u bën haka?” Kjo kategori operon në atë që mund të quhet si “zona e muzgut”, pra midis ligjores dhe antiligjores, midis morales dhe amorales.
Përse?
Sepse pavarësisht se mjeku nuk kërkon me gojën e vet, apo nuk imponon tarifën kriminale, pacienti dhe familjarët sërish e ndjejnë veten të detyruar të paguajnë, çka shpesh i vendos ata në vështirësi financiare. Dilema është jo e vogël. Një paragjykim tashmë i shndërruar në konvencion social nënkupton se për një shërbim cilësor duhet të paguash. Për rrjedhojë, pacientët dhe familjarët preferojnë të paguajnë tarifën për të shmangur frikën e kujdesit të mangët. Gradualisht, si pasojë e presionit indirekt që ka krijuar kjo kategori mjekësh, pacientët e lidhin kujdesin shëndetësor me pagesën nën dorë dhe i klasifikojnë bluzat e bardha midis kampionëve të korrupsionit.
Së fundi, janë mjekët të cilët sillet e veprojnë ashtu sikundër duhet të sillet mjeku. Grupimi më puritan brenda kësaj kategorie, refuzon pagesën edhe kur pacienti me zor mundohet t’ua futë në xhepin e bluzës së bardhë. Këta mund të pranojnë ndonjë dhuratë të veçantë, por vetëm pasi trajtimi i pacientit ka përfunduar dhe midis tyre dhe pacientit është krijuar një lidhje emocionale në kuadrin profesional.
Një grupim më pak puritan, por gjithsesi i pakritikueshëm, janë mjekët të cilët e refuzojnë bakshishin, por kur pacienti insiston, e pranojnë atë. Këta mjekë veprojnë me ndershmëri profesionale dhe njerëzore duke e pranuar bakshishin vetëm kur janë të bindur se pacienti e ka mundësinë ta ofrojë atë dhe nuk po e bën këtë gjest i detyruar.
Fatkeqësisht, ekzistenca e dy kategorive të para të mjekëve e bën shumë të lehtë stisjen e një situate si ajo që pamë me Dr. Markun. Një “pacient” që në fakt është një agjent i infiltruar e ka fare të lehtë të krijojë jo një, por me dhjetëra viktima si Dr. Marku, pasi janë të shumtë mjekët që nuk i thonë “jo” një pagese nën dorë.
Çështja qëndron: “A e lufton një taktikë e tillë korrupsionin e bluzave të bardha?” Dhe mbi të gjitha: “A kanë këto arrestime ndonjë rol në përmirësimin e situatës në shëndetësi?”
Përgjigja ime është “aspak!” Ashtu si e përmenda në fillim të shkrimit, këto incidente në radhë të parë i shërbejnë propagandës qeveritare për të tërhequr sado pak vëmendjen nga skandalet e shumta. Së dyti, ato shërbejnë edhe për të justifikuar dështimin e “Rilindjes” me mashtrimin e Shëndetësisë falas.
Mesazhi që jepet me arrestimet e mjekëve është: “Qeveria po përpiqet dhe po bën të pamundurën për të ofruar një shëndetësi europiane, por mjekët janë fajtorët që kjo nuk po realizohet! Por ne jemi të vendosur t’i kalbim në burg kriminelët!”
***
Përsa i takon reformimit të Sistemit Shëndetësor, unë kam folur në shumë intervista dhe shkruar dhjetëra artikuj. Është një proces i cili ka ngecur prej më shumë se 25 vjetësh. Jo pak administrata e ministra janë përpjekur dhe kanë zbatuar masa të veçuara reformuese, por asnjë prej tyre nuk ka mundur të zbatojë një proces reformimi rrënjësor.
Arsyeja kryesore për mungesën e një reforme gjithëpërfshirëse është se midis vitit 1994 dhe 2013, asnjë ministër nuk ka patur një mandat aq të fortë nga qeveria e vet sa të konceptonte dhe zbatonte një reformë rrënjësore. Shëndetësia është një çështje multi-sektoriale dhe pa një angazhim të gjithë shoqërisë, nuk mund të ketë reformë.
Sidoqoftë, duhet theksuar një element shumë i rëndësishëm. Të gjithë ministrat që kanë qeverisur Shëndetësinë para vitit 2013 janë përpjekur maksimalisht për të ruajtur sa më shumë që të ishte e mundur nga Sistemi Shëndetësor. Duke qënë në pjesën dërrmuese të tyre mjekë, atyre “u dhimbsej” ky sistem dhe nuk morën me vetëdije asnjë masë që mund ta dëmtonte atë.
Kjo situatë ndryshoi me ardhjen në pushtet të “Rilindjes”. Ndonëse e shpallën Shëndetësinë “kalë beteje” elektorale dhe premtuan “Sistem Shëndetësor anglez” dhe “Shëndetësi falas”, dy ministrat “rilindas” e kanë shkallmuar nga themelet sistemin shëndetësor. Nëpërmjet programit djallëzor të PPP-ve, “rilindasit” ua ofruan Shëndetësinë oligarkëve, të cilët sot vjelin jo vetëm paratë e pakta të destinuara për shëndetin e shqiptarëve, por deri edhe të dhënat shëndetësore të qytetarëve.
Gjatë pandemisë COVID-19, nuk u vodhën vetëm paret publike. Dora e oligarkëve hyri direkt në xhepin e shqiptarëve. Më shumë se 200 milionë euro u paguan për të marrë atë kujdes shëndetësor për të cilin shteti përfitoi fonde të pallogaritshme nga BE dhe OBSH, por që i shpërdoroi dhe abuzoi.
Pasoja e strategjisë “rilindase” në Shëndetësi duket qartë. Nga pikëpamja e qeverisjes dhe organizimit është krijuar një sistem shëndetësor tip “frankenshtajn”, ku bashkëjetojnë elementë të sistemit komunist Semashko, atij gjerman Bismark dhe atij anglez Beverixh. Ky sistem nuk ka funksionuar dhe nuk ka për të funksionuar asnjëherë.
Nga pikëpamja e financimit, u premtua heqja e taksës mbi shëndetin, ndërkohë që kjo taksë ende vazhdon të aplikohet. Në vend që të vazhdojë forcimi i sistemit të Sigurimeve Shëndetësore, në tetë vjet nuk u bë asgjë për aplikimin e DRG-ve, ndonëse këtë përafrim tashmë kanë nisur ta aplikojnë edhe vendet afrikane.
Nga pikëpamja e ofrimit të kujdesit mjafton të përmendet vetëm fakti i braktisjes së vendit nga mjekët dhe infermierët. Me mijëra kanë ikur, ndërkohë që kurset e gjuhës gjermane janë të mbushur me mjekë dhe infermierë, të cilët tashmë i kanë bërë gati valixhet. Shëndetësi pa mjekë nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë!
***
“Rilindja” ka dështuar keqazi me Sistemin Shëndetësor, sikundër ka dështuar keqazi me çdo sektor tjetër të shoqërisë shqiptare. Përdorimi i mjekëve si “koka turku” për të justifikuar këtë dështim është poshtërsi. Ndërkohë stisja e skandaleve me arrestim mjekësh për të mbuluar zullumet dhe skandalet e tjera është kriminale.
Qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen se me “Rilindjen” në pushtet, nuk ka dhe nuk do të ketë Shëndetësi! Ka dhe do të ketë vetëm cirk me arrestim mjekësh. Nëse cirku i kënaq dhe u mjafton, atëherë “Rroftë Rilindja!”
©Erion Dasho












