Kolumnist

Opozita nuk është kancelari, por uragan njerëzor - Nga Ilir Levonja

Grupimi Alibeaj, grupimi i deputetëve etj. Kujt i takon PD-ja dhe kujt jo?

Zotërinj, se kujt i përket një forcë politike nuk ka nevojë për gjykatë. Në marsin e këtij viti u mbajtën zgjedhjet e pjesëshme lokale dhe aty u duk sheshit se kujt i përket PD-ja. Pa shkuar më larg si tek kuvendi i hapur në një stadium ma kapacitet mbi njëzetë mijë vende. Zgjedhjet i vunë vulën dhe demokratët bëjnë mirë të forcojnë opozitarizmin ashtu si e do koha.

Ky debat konsiderohet i ezauruar, i mbyllur tashmë, pikërisht nga zgjedhjet e marsit. Eshtë debat shterp. Mos u merrni me ata që thonë kujt i përkasim, vulës apo votes. Kjo është punë e vulëhumburve. Opozitarizmi është në rrugë jo pas vulës. Ka kaq qindra teori e idera idiote.

Të merresh me vulën dhe vulëhumburit është një largim total nga realiteti i shkrumbuar shqiptar. Iku shtatori dhe nuk u pa një protestë dhe kjo është për t'u shqetësuar. Të merresh me vulëhumburit i bën shërbim qeverisë më të dështuar, më të korruptuar, më prosllave a lindore se vetë ajo e Enver Hoxhës. Pikërisht atyre u intereson çështja e vulës. Kanë hedhur në treg idenë se duhet një lidership i ri në PD, apo të rinjtë. Apo kur të thonë, le të nxjerrë PD-ja një djalë të ri se edhe ne socialistët do ia japim votën.

Janë mashtrime klasike se, nga 2013-ta e këtej, PD-ja nuk e kishte liderin plak, babagjysh etj. E kishte fringo, xhel i gjallë dhe një mut ia dhanë votën.

Për faktin që mungojnë protestat shqiptarët janë të detyruar të dëgjojnë rihapjen e debateve shterpë. Janë të shtrënguar të dëgjojnë se si dikur në një maturant a një student i vitit të parë me emrin Ilir Metaj, ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit dhe ky person është ish Presidenti Ilir Meta. Nga ana tjetër një duzinë mbledhin supet se si është e mundur që Ambasadorja e Amerikës po takohet kaq shpesh me këtë ish-sigurimsin, ish-Presidentin etj.

Për shkak se protestat po vonojnë shqiptarët janë të detyruar të dëgjojnë  edhe racën më të poshtër të njerëzimit, komunistët, kur gjoja të indinjuar të hakërrohen për vrasjet e regjimit të Berishës, por jo për masakrat, luftën e klasave të Enverit. Madje paturpësisht të thonë se ashtu ishte ligji. Kjo racë gëlon me shumicë dhe të mbyt.

Po për shkak se mungojnë protestat ta shpifin edhe ish-Berishët. Madje këta janë soji i dytë dhe po aq i neveritshëm sa soji i komunistëve. Kur ishin me Berishën të çanin menderen sapo hapje gojën të thoshe diçka të papëlqyer karshi Berishës. Tani u është mbushur mendja se janë liderë dhe se të gjitha të këqijat vinë nga Berisha, pavarësisht se këta kurrë nuk kanë fituar, por kanë penetruar... Dhe nuk kanë kurajën e sfidës.

Mbushni sheshet, se opozita nuk është kancelari, por uragan njerëzor!

©Ilir Levonja