Kolumnist

A duhet të protestojë Diaspora shqiptare? - Nga Endrit Mullisi

Ndërsa shoh protestat që bëjnë në vazhdimesi iranianët e Diasporës nëpër vendet perëndimore kundra çdo veprimi të qeverisë ndaj popullit të vet, nuk mund të rri dot pa menduar për ne. Këto reflektime i bëj kur shkoj në Kuba, apo vëzhgoj grupe të tjerë etnikë mbi atë që bëjnë dhe nuk bëjnë.

Une nuk kam marrë asnjëherë pjesë në ndonjë proteste, por kam qenë mbeshtetës në distance i disa lloj protestash, pra këtë që po shkruaj po ia them vetes së pari. Gëzohem që shoh të bëhen protesta në Shqipëri të paorganizura nga partitë opozitare. Besoj që është zhvillim pozitiv i ndergjegjes së një kombi.

Por këtu në Diasporë, qofsha gabim, por kam lexuar apo marrë ftesa veç për aktivitete përkujtimore, ngritje flamuri, organizime tallavash, ndonjë koncert apo film, që janë shumë të mira dhe duhet të vazhdojnë, pavarësisht se tallavatë nuk janë për shijen time.

Por a mos ndoshta kemi nevojë të rishohim rolin tonë në Diasporë herë pas here dhe si nje grupim, që po u flet edhe institucioneve në Shqiperi, por dhe atyre në vendin ku banojmë, mbi atë që duhet të ndryshojë në vendlindje?

Nëse dëmet e tërmetit i quajmë veç si "faji i Zotit", por pa përgjegjësi urbanistike, nëse përmbytjet vjetore apo bllokimet e zonave malore i quajmë vetëm si akte të natyrës, nëse emigrimin e rinisë dhe si të shkolluarve apo klasës punëtore, veç si dëshirë për një jetë më të mirë, ndoshta nuk do të bëhemi si iranianët e sotshëm, që janë të lodhur me atë që po u ben sistematikisht qeveria e tyre.

Teatrin e prishën, por u bënë shumë që e kundërshtuan prishjen e tij, sidomos përpara se të vinte fandroma.

Reflektimi im nuk ka të bëjë me deklarata shabllone e të shkurtra, që duket sikur përmbledhin gjithçka që duam të themi si "Shqipëria nuk bëhet" apo "Shqipëria do bëhet" apo "Fajin e ka filan drejtues, apo filan parti".

Që Shqipëria mburret më shumë me historinë antike sesa me atë që është, këtë e kemi kuptuar, por na duhet të kuptojmë rrënjët e problemeve tona dhe të guxojmë t'i nxjerrim në dritë dhe të distancohemi, qoftë me fjalë apo me vepra.

A duhet të protestojnë shqiptarët e Diasporës, për mënyren se si qeveriset Shqipëria?

Unë them se një pjesë e tyre që e ndjejnë ende pergjegjësinë atdhetare duhet ta bëjnë. Jo sepse duan apo urrejnë një parti apo udhëheqës, por për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Asnjëherë nuk duhet parë me dyshim dhe pasiguri roli i Diasporës, sepse ndryshimet pozitive nuk realizohen brenda një dite, por duhet të fillojnë diku dhe gjithmonë ka njerëz që i shtyjnë përpara.

Nëse qeveritë në Shqipëri nuk ia vënë veshin Diasporës, kjo vjen sepse Diaspora nuk po flet fort, qartë apo nuk ka "dhëmbë".

E kujtoj një artikull të lexuar vite më parë, të një grupi shqiptarësh nga Kosova që jetonin në Zvicër. Pas një analize të gjatë, ata propozonin që të mos investohej më në organizmat kosovare për shkak të korrupsionit dhe tangërllekut të politikanëve.

Imagjinoni sikur të ndodhte një protestë e tillë dhe të bëhej publike. Imagjoni sikur të gjithë emigrantët të tregonin pjesërisht arsyet e largimit të tyre kur kjo ishte për shkak të pasigurisë, të korrupsionit, mungesës së shpresës, fryte të një qeverisjeje të keqe. Ato historite e rralla të kthimit të emigrantëve në atdhe që reklamohen, do të jenë si pika uji në mes të një oqeani me histori ku shqiptarët tregojnë të vërteta që dhembin.

A duhet Diaspora të protestojë? Patjetër.

A do ta bëjë këtë gjë? Nuk e di.

©Endrit Mullisi