Kolumnist

Pushtimi i pabesë amerikan i Shqipërisë - Nga Hajro Çini

Sapo Dr. Berisha denoncoi në Kuvend aktin kriminal të përmbytjes së Dibrës, për të ndërtuar Skavicën, unë prita reagim nga qarqet amerikane të interesuar në atë aktivitet korruptiv dhe nuk vonoi shumë, Grabiel Escobar, një nga punonjësit e shumtë të DASH dha një intervistë tek VOA. Mësova gjithashtu që për këtë intervistë, Guvernatorja (antikushtetuese) e Shqipërisë, Yuri Kim, kishte dhënë një njoftim paraprak.

Lexova disa pjesë të intervistës, jo se Escobar është ndonjë personalitet për të shpenzuar kohë ta dëgjosh, por sepse ai ka mundësi të dëmtojë edhe më shumë Shqipërinë. Ai u shpreh se qëndrimet e Yuri Kim janë institucionale dhe në bashkëpunim të ngushtë me DASH.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: “Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.”

E kam të pamundur të mos çuditem.  Kur dikush emërohet dhe mbahet si ambasador i një shteti në një vend tjetër, ai/ajo e ka patjetër mbështetjen e vëndit që e ka caktuar si të tillë, se përndryshe e shkarkojnë. Kjo deklaratë “sqaruese” për Yuri Kim më ngre më shumë pikëpyetje se sa u sqarova. Pse?

Përse duhet një zyrtar i DASH të konfirmojë, publikisht, se Yuri Kim nuk ndjek agjendë personale dhe se bashkëpunon ngushtë me DASH?

Ambasadorja Yuri Kim, që paralelisht me këtë detyrë nga USA, bashkë-sundon me Krimin e Organizuar, ka shpallur veten edhe si Guvernatore (antikushtetuese) të Shqipërisë. Kujtoj se Kushtetuta e Shqipërisë nuk e njeh funksion të tillë.

Ajo është e kudo ndodhur, në çdo lloj gjykate, në çdo lloj prokurorie, në Presidencë, në Kryeministri, në jahte lluksoze me oligarkë, në resorte, të ndërtuar shpesh në pronat e dikujt tjetër, nëpër bashki, me deputetë (disa pa pikë personaliteti), ministra, shumë nga të cilët, në një shtet normal, do të ishin nëpër burgime të gjata, për vjedhje dhe korrupsion galopant.

Guvernatorja antikushtetuese Yuri Kim, nuk shikon vetëm korrupsionin e qeverisë (Krimit të Organizuar). Ka muaj që vlon një skandal rreth gjysmë miliardi dollarë për disa inceneratorë që nuk ekzistojë. Të dy partitë opozitare nxjerrin përditë fakte tronditëse, por përderisa Guvernatorja (ilegale) nuk flet, SPAK po ashtu nuk shikon. Çdo skandal, shumë më i vogël sesa ky skandal galopant, do të kishte dorëhequr çdo lloj qeveria në botë, por jo këtë që mbajnë shtetet paralele (Deep States) të Amerikës.

Shqipëria ndërtoi, pas 2005, një institucion shumë të respektuar për të luftuar Mafien dhe krimet, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila akuzoi me shumë sukses dhe shkatërroi të gjitha bandat kriminale që u krijuan pas viti të mbrapshtë 1997, kur Administrata Demokrate e Bill Clintonit dhe CIA destabilizuan Shqipërinë (se nuk është hera e parë që USA pushton Shqipërinë).

Pikërisht pse ishte efikase, Krimi i Organizuar, që e ka halë në sy çdo lloj prokurorie që e lufton krimin, u mobilizua dhe me ndihmën e USA e shkatërruan totalisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe bashkë më të edhe të gjithë sistemin e Drejtësisë duke bërë një “reformë” që do ta sillte (siç edhe ka ndodhur) këtë sistem nën kontrollin total të Krimit dhe Ambasadës Amerikane, që sipas zyrtarit të sipërcituar, ka mbështetjen e plotë të DASH.

Për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndonjë kongresmeni republikan që ngre pikëpyetje për aktivitetin “diplomatik” amerikan në Shqipëri, zyrtari në fjalë, detyrohet, të na “sqarojë”.

Herët apo vonë, Yuri Kim do të ikë nga Tirana, për t’u rikthyer pastaj, besoj unë, si lobiste e ca organizatave amerikane që, në mënyrë të jashtëligjshme, kanë shtënë në dorë pasuri të vlefshme kombëtare si Butrinti, Skavica etj. Ka bërë dëme të tmerrshme.

Shqipëria ka qënë shpesh here realisht e pushtuar ose ka bashkëjetuar me perandori shumëshekullore. Me atë Romake 7 shekuj, me atë Osmane 5 shekuj. Ka qënë e pushtuar nga Italia nga 7 prilli 1939 e deri më 9 shtator 1943, si dhe disa ditë nga Gjermania. Por Shqipëria nuk ka përjetuar “pushtim” më të pabesë dhe më shkatërrimtar sesa ky pushtimi i fundit amerikan. Shqipëria po lëngon nën pushtimin amerikan.

Pushtimi italian ishte i paprovokuar nga Shqipëria dhe i pajustifikuar, por nga ai pushtim Shqipëria u ndërtua dhe mori edhe Kosovën. Gjermania hyri si trashëguese e Italisë, pasi kjo kapitulloi, por brënda pak ditësh, Gjermania bashkoi plotësisht kombin shqiptar me Mitrovicën, që Italia nuk kishte mundur t’ia merrte Jugosllavisë, dhe Çamërinë. Na njohu pavarësinë, sovranitetin (relativ) por më të madhin që etnia shqiptare kishte gëzuar që nga koha e Pirros dhe neutralitetin.

Gjatë gjithë kohës që në Shqipëri ishte këmba e ushtarëve italianë apo gjermanë, Shqipëria kishte institucione shumë të respektuara, gjykata shëmbullore, administratë shumë efiçiente dhe të ndershme si dhe pothuajse të gjithë kryeministrat nga Mustafa Kruja (Merlika) e deri tek Ibrahim bej Biçaku, njëri më i ndershëm dhe më patriot se tjetri. Dy nga kryeministrat dhe një Regjent ishin edhe firmëtarë të Mëvetësisë më 28 nëntor 1912 edhe të Pavarësisë të vitit 1943.

Unë besoj se ky pushtim nuk ka autorizimin e Kongresit Amerikan, si i vetmi institucion kushtetues që autorizon SHBA të hyjë në luftë (pushtime), por është produkt i njërit nga Shtetet Paralele (Deep State) që po i zënë frymën shtetit Amerikan. Në USA operojnë disa Shtete paralele: Deep State, familja Clinton, Soros, FBI, DASH, CIA etj., që shfrytëzojnë statusin e superfuqisë së SHBA për agjenda të errëta. Kjo do të sjellë edhe kalbësimin e saj. 

Besoj gjithshtu se në nëntor do të ketë një tërmet të jashtzakonshëm në politikën amerikane dhe se Demokratët do t’i humbin të dy dhomat, ç’ka mund të sjellë ndryshime edhe në strukturën e administratës “pushtuese” amerikane në Shqipëri.  Por pavarësisht kësaj, shqiptarët duhet t’i marrin vetë frenat e vëndit në dorë, se asnjë pushtim, për më tepër kaq i pabesë dhe i ndyrë, nuk sjell progres dhe të mira.

©Hajro Çini

*Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.