Kolumnist

A ka shpresë Opozita? - Nga Ilir Gjini

Kur ishim të vegjël dhe bënim ndonjë gabim prindërit apo mësuesit na qortonin, madje na shkulnin edhe veshin. Kur mernim dhjeta, na vinin emrin tek “Tabela e Nderit” në shkollë, kurse prindërit na “shpërblenin” duke na blerë këpucë të reja, të cilat përgjithësisht ishin disa numra më të mëdha, se na rritej këmba shpejt. Kurse dënimi për ata që mernin katra, apo katranjosët, ishte shumë i rëndë. I nxirrnin para gjithë shkollës, madje nuk mungonte edhe ndonjë shpullë pas qafe e drejtorit apo e mesueses kujdestare.

Sot rolin e mësues kujdestare të Opozitës sonë e ka marrë pa emërim “zyrtar” Yuri Kim. Ajo që në pikë të mëngjesit hap regjistrin, bën apelin, iu shpjegon mësimin dhe u vë edhe notat. Madje mësuesja kujdestare Kim cakton edhe kush do ta drejtojë klasën opozitare.

Vendin e nxënësit më të dëgjueshëm pas ngeljes në klasë të Luli Bashës edhe në provimin e vjeshtës në lëndën e aritmetikës se nuk gjeti dot as sa bënin 7x7, e ka marrë Alibeaj. Enkelejdi jo vetëm i realizoi pritshmëritë e mësueses, po edhe i tejkaloi ato. Jo vetëm Ligjin e Vettingut që i mbaronte mandati (mandata), po edhe Ligjin e Dosjeve (që mësuesja Yuri nuk ia kërkoi), ai e bëri me iniciativë. Vetëm se edhe pse merr vetëm dhjeta nga Yuri, populli opozitar i ka vënë notën jo kaluese dysh. Apo e thënë në gjuhën popullore “xhore”. Manifestimi i djeshëm i opozitës me një shesh të tejmbushur i dha një leksion kujdestares Kim si dhe gjykatësve që po e sorollasin çështjen e vulës së PD-së, se vulën ta japin njerëzit në shesh.

Po me gjithë mbeshtetësit e shumtë, a ka shpresë Opozita për të ardhur në pushtet?

E ndarë në copa ku njërës që ka mbështetje i nxjerrin përpara Ambasadorët me tabelën “non grata”, ndërsa tjetra që vetëm i bën fresk pushtetit duke uzurpuar vulën (megjithëse e dinë edhe vetë që janë “vulëhumbur”), shpresat janë të pakta.

Opozitës i duhet një klasë e re politike që nuk merr urdhra nga Ambasadorët se kur dhe sa do protestojë, nuk ka gjynahet e pushtetit të mëparshëm dhe nuk joshet si opozitarët deputetxhinj të tipit Alibeaj nga karrota e pushtetit.

Per sa kohë Opozita do kërkojë gjilpërën në kashtë me tradhëtarin e “rublave ruse” që kurrë nuk ka egzistuar në realitet, Rama si personazhi Çiçikov i Gogolit që blente “shpirtrat e vdekura”, do vazhdojë të mbajë kolltukun. Kur blen votën, ke blerë shpirtin e njerëzve dhe iu ke vdekur të ardhmen.

©Ilir Gjini