Pse Trudeau bën të paditurin për financimet e Kinës në zgjedhje? - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja
Ka ditë që ka dalë në dritë të diellit, falë Global News, afera e ndërhyrjes së Kinës në zgjedhjet federale kanadeze më 2019 dhe 2021. Ndryshe nga pohimet e Global, kryeministri Trudeau ka luajtur rolin e të paditurit për një element thelbësor.
Ai pretendon që nuk ka qenë në dijeni të faktit se Kina ka financuar disa kandidatë në zgjedhjet e vitit 2019. Ndërsa ministri i tij i Drejtësisë ka nxituar të thotë se disa informacione nuk duhen bërë publike, për shkak të sigurisë kombëtare!?
Çfarë ka në prapaskenë kjo farsë e kryeministrit që pretendoi se bëri "të fortin" në Indonezi në Samitin e G20 përballë presidentit kinez? Kujtoj që sipas mediave, thuhet se të paktën 11 kandidatë për deputetë janë financuar nga Kina më 2019. Po ashtu thuhet se ka patur deputetë apo kandidatë, kundër të cilëve është paguar për t'u bërë fushatë negative, sepse Kina i ka konsideruar si kërcënim për interesat e saj.
Afera e ndërhyrjes kineze në zgjedhje ka shumë pikpyetje dhe lejon të nënvizohen disa fakte. Konservatorët, të mbështetur nga Blloku i Québec dhe NDP, kërkuan nga njëra anë me forcë hetimin e çështjes në Parlament. Pra nuk treguan asnjë shenjë kompleksi në këtë mes. Nga ana tjetër, Liberalët në Komisionin e Çështjeve të Brendshme të Dhomës së Deputetëve votuan në bllok të pestë kundër hetimit parlamentar. Liberalët, përveçse po bëjnë të paditurin, po pretendojnë që transparenca ndaj publikut ka më pak rëndësi se “siguria kombëtare”, pa dhënë asnjë argument se ku cënohet kjo siguri.
Natyrshëm mund te lindin pyetjet dhe supozimet e mëposhtme:
A ka gjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme për një vend demokratik se integriteti i zgjedhjeve?
A ka të drejtë cilado qeveri qoftë, t'u fshehë të vërtetën qytetarëve të vet, për një çështje që cënon kredibilitetin e institucioneve që burojnë nga vullneti i tyre?
Po sikur 11 kandidatët e financuar nga Kina të jenë të gjithë Liberalë dhe t'i kenë fituar mandatet?
Po sikur kandidatët për të cilët është financuar fushatë negative të jenë nga opozita dhe t'i kenë humbur mandatet?
Një gjë është e sigurt, kjo aferë nuk do mbyllet pa pasoja për ata që po përpiqen ta trukojnë me makiazhin e “sigurisë kombëtare”.
©Taulant Dedja
Foto: Reuters/Adam Scotti











