Kolumnist

Edhe shkencën, edhe fenë!

Nga: Çapajev Gjokutaj

“Oportunist i madh, je bërë - më shkruan një mik Facebook-u dhe shok rinie. S’ma priste mendja që do vinte dita të thoshe "pranoj edhe shkencën, edhe fenë".

"Mosha me sa duket bën të vetën - më qesëndis miku - por mos harro të vërtetën e historisë: feja dhe shkenca mund të rrinë bashkë sa zjarri me ujin.”

Më ngjan se e ka gabim. Shkenca dhe feja janë bashkë në këtë botë prej shekujsh. Jo vetëm se ekzistojnë në të njejtët popuj, në të njëjtat vende, por edhe se japin e marrin dhe nxisin njera - tjetrën të reflektojnë e të thellohen.

Vërtet që dikur feja digjte Kopernikun e tmerronte Galileon, por sot shkenca njihet e studiohet edhe nga elitat e klerikëve. Afro 50% e elitës së shkencëtarëve të botës besojnë në Zot a në një fuqi të mbinatyrshme. Ainshtaini thoshte se i besonte shkencës, por njëkohësisht respektonte edhe fenë, se feja, sipas tij, është pjesa e pazbuluar e botës së shkencës.

Feja është opium për popullin, të ngop me dogma e të qorrolleps, thonë disa. Shpesh ka qenë në krah pushtetesh gjakatare dhe i ka legjitimuar. Dhe historia e dëshmon. Por përkundër kësaj, feja mbetet e dobishme për njeriun se kryen edhe disa funksione të tjera.

Eshtë rregullator moral, kërkon nga besimtarët të mos vrasin a vjedhin, të jenë të drejtë e të mëshirshëm etj. Krimet e pashpirta të terroristëve islamikë sot dhe të inkuizicionit dje, nuk burojnë nga thelbi i fesë, por nga keqpërdorimi i saj.

Feja vazhdon dhe, me gjasë, do vazhdojë të ekzistojë, se kryen edhe funksione të paçmuara psikologjike: përpiqet t’i japë kuptim ekzistencës së individit, të zbusë frikërat dhe ankthet nga vdekja, sosmëja, përkohshmëria.

Mes funksioneve të çmuara që kryen feja sot është edhe se i bën individët të ndihen pjesë e një bashkësie, të bashkëveprojnë në komunitet, në famulli, në xhemat etj. Dhe ky s’është shërbim i vogël, sidomos sot, kur njeriu ndihet aq i vetmuar.

Shkenca dhe feja nuk bashkëjetojnë vetëm në kombe e vende të ndryshme, por edhe brenda të njëjtit njeri.

Janë me miliona agnostikët që pranojnë dhe shkencën dhe fenë, pranojnë se Zoti nuk ekziston në pjesën që ka eksploruar shkenca, por nuk e vënë dorën në zjarr për pjesën tjetër, të paeksploruarën, që ashtu si gjithësia mbetet e pafundme.

Kur shkenca dhe feja ekzistojnë krah njera - tjetrës, japin e marrin shumicën e herëve paqësisht, pse duhet me doemos të përjashtojmë njerën e të absolutizojmë tjetrën?

Qasja përjashtuese ose... ose... i ka kushtuar njerëzimit lumenj gjaku. Mbase na bën mirë të përdorim ca më shumë qasjen edhe... edhe... Dhe sidomos të vëmë kokën në punë.

(Nga cikli "As për mua as për ty")