Kolumnist

Tradhëtia vjen nga injoranca dhe manipulimi - Nga Dritan Goxhaj

Më datë 16 të këtij muaji, gazeta "Dita" që botohet këtu në Shqipëri, kishte publikuar një shkrim të ish-kryetarit të LPK-së Bedri Islami me titull “Kosova, Rama dhe Thaçi”.

Në gjithë atë shkrim më tërhoqi vëmendjen një paragraf i veçantë: “ai nguli këmbë për të krijuar Gjykatën Speciale përmes Parlamentit të Kosovës, duke shmangur mundësinë e dytë, përmes Këshillit të Sigurimit”.

Edhe pse e marr me mend deri diku, sërish nuk arrij që t’i jap një shpjegim logjik arsyes se përse ish kryetari i LPK-së dhe shumë të tjerë në tentativë për t’i shërbyer Hashimit ose, rrallë herë edhe për ta denigruar atë, po tentojnë që të ngrejnë një narrativë të rreme për krijimin e Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë.

Narrativa e rreme që këta individë (që nuk janë të paktë) po kërkojnë të ngrenë është pjesa ku ata si në kor, ose sikur t’i ketë instruktuar e njëjta qendër, deklarojnë “gjykata do të ngrihej nga këshilli i Sigurimit të OKB, nëse nuk e ngrinte vetë Kosova”.

Për ta sqaruar njëherë e mirë dhe demaskuar këtë lloj narrative le të shohim pak historikun e ngritjes së kësaj gjykate dhe prokurorie dhe përse kjo nuk mund të ngrihej kurrë nga OKB.

Më 11 qershor të 2007 Dick Marty bëri publik për herë të parë në Këshillin e Evopës një raport në të cilin ai akuzon UҪK-në për trafikim organesh si dhe për krime lufte të kryera në Kosovë dhe në Veri të Shqipërisë. Me këmbënguljen e tij dhe lobimin rus e serb në KiE, ky organizëm në 2011 miratoi një rezolutë me të cilën kërkon hetime për akuzat e Dick Marty.

Si pasojë e këtij vendimi të Këshillit të Evropës, BE me anë të misionit EULEX në Kosovë vendosi të krijojë në shtator të 2011 një Task Forcë Hetimore Speciale - TFHS. Kjo Task Forcë filloi nga puna në tetor të po atij viti, e kryesuar nga një amerikan si mbështetje e shprehur kjo nga amerika “se kjo Task Forcë do të ndihmojë Kosovën të ndërtojë kredibilitetin e saj ndërkombëtar”.

Për dy vjet e gjysmë TFHS ka zhvilluar hetime intensive për pohimet e raportit të Dick Marty-t. Ky hetim përfshin intervistat e qindra dëshmitarëve nëpër vendet e Evropës dhe në Kosovë.

Ai ka përfshirë shqyrtimin e mijëra faqeve të dokumenteve të përpiluara nga organizata dhe individë të shumtë që ishin të angazhuar në Kosovë që pas mbarimit të luftës.

Edhe pse kjo Task Forcë pretendonte se kishte bërë hetime intensive ajo në fakt i ka bazuar të gjitha akuzat e saj mbi dy raporte të bëra në vitin1999. Njëri i bërë nga OSBE me titull “As Seen as Told” (Siç u pa - siç u tha) dhe tjetri i bërë nga Human Rights Watch me titull “Abuses Against Serbs and Roma in the New Kosovo” (Abuzimet kundër serbëve dhe romëve në Kosovën e re). Si dhe mbi disa mijëra dokumente tw përpiluar nga Serbia

Ndërsa për sa i përket akuzës për trafikim organesh kjo Task Forcë deklaroi pas këtij hetimi: “Kumtesat që janë dhënë nga disa njerëz duke lënë të kuptohet që qindra njerëz janë vrarë për qëllimin e trafikimit të organeve janë krejtësisht të pambështetura nga të dhënat që ne kemi dhe që Dick Marty kishte”.

Dhe në deklaratën e tij në 2014 prokurori amerikan që udhëhiqte këtë Task Forcë deklaron: “Për sa i përket procesit, u kuptua nga fillimi kur BE mori përsipër këtë çështje, që disa masa të jashtëzakonshme ishin të nevojshme për të zhvilluar hetimin dhe për të siguruar integritetin e një hetimi të kësaj natyre. Kjo çoi në vendosjen e TFHS si një njësi hetimore autonome, me seli jashtë Kosovës në Bruksel”. Dhe një vit më vonë në gusht të 2015 Parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese dhe krijimin e kësaj gjykate dhe prokurorie.

Ashtu siç edhe shihet nga kjo kronologji e shkurtër në gjithë këtë proces për ngritjen e kësaj gjykate dhe prokurorie speciale, institucioni i vetëm i angazhuar për ngritjen e tyre dhe i interesuar rezulton të jetë vetëm BE. Dhe këtë ajo e ka bërë nëpërmjet disa organizmave të saj të cilat janë, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Shërbimi i Komisionit Evropian për Instrumentin e Politikës së Jashtme dhe Zyra e Kapaciteteve për Planifikim dhe Drejtim Civil.

Këtë e vërteton sërish kryehetuesi amerikan i kësaj Task Force kur deklaron: “duke e kaluar këtë nëpër burokracinë e institucioneve të ndryshme të BE-së, duke marrë konsensusin e 28 shteteve anëtarë, duke siguruar zotimin e një shteti mikpritës dhe duke i adresuar shqetësimet e tij, dhe më në fund duke përmbushur hapat të nevojshme ligjore dhe procedurale në Kosovë për të krijuar këtë gjykatë ka qenë një proces i cili ka qenë pabesueshmerisht i ndërlikuar dhe që ka kërkuar shumë kohë. Përderisa shumica e këtyre hapave janë kryer dhe Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës formalisht janë zotuar për të themeluar një gjykatë me garancitë e duhura, statuti i gjykatës dhe ndryshime të caktuara në ligjin kosovar duhet të vihen në veprim para se gjykata mund të fillojë punë”.

Po përse BE nën ndikim rus, serb dhe veçanërisht francez kërkonte që kjo gjykatë dhe prokurori të krijohej nga vetë Kosova?

Arsyeja qëndron në një paragraf të deklaratës së kryehetuesit amerikan të Task Forcës: “Realiteti është që Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi kishte juridiksionin për të ndjekur krimet që ndodhën gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, pra deri në pikën kur përfundoi lufta në mesin e qershorit të vitit 1999”. Dhe realiteti është që kjo gjykatë bëri hetime por ajo nuk arriti kurrë të gjejë prova për këto krime të supozuara ndaj dhe nuk arriti të ngrejë asnjë akuzë.

Dhe BE nuk e nxorri nga hiçi këtë lloj gjykate e prokurorie speciale, por ajo e bëri këtë kopje me gjykatën e ngritur në vitin 1972 në Irlandë për të gjykuar ish-pjesëtarët e IRA (Irish Republican Army). Lloj gjykate kjo pa juri, ashtu si edhe kjo gjykatë e ndërtuar në Kosovë.

Dhe gjykata e ndërtuar në Irlandë është një gjykatë ndaj të cilës edhe Amnesty International edhe vetë OKB nëpërmjet Unitet Nations Commission on Human Rights (Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara) kanë bërë raporte tepër kritike, pra ndaj kësaj gjykate e cila është e ngjashme me gjykatën dhe prokurorinë që Hashimi me shokë miratoi.

Dhe raportet e këtyre dy organizmave ndërkombëtare e kritikojnë këtë gjykatë në Irlandë “për procedurat e saj dhe për të qënë një gjykatë speciale, e cila rëndom nuk duhet të përdoret kundër civilëve”.

Ndër kritikat e tjera janë edhe mungesa e një jurie e ngjashme me gjykatën e krijuar në Kosovë dhe përdorimi i gjykatës për krimet e organizuara “të zakonshme”.

Edhe në këtë gjykatën e ndërtuar në Kosovë ish-pjestarët e UҪK po gjykohen dhe akuzohen edhe për vepra të supozuara të kryera mbas lufte. Por pas lufte të gjithë këta individë janë civilë dhe jo ushtarakë, ndaj mbi ta nuk mund të përdoret një gjykatë speciale, por nëse ka prova për ato vepra që pretendohet duhet t’i gjykojnë gjykatat e tjera në Kosovë.

Ndërsa për ata që do pretendojnë së kjo gjykatë po gjykon edhe vepra të supozuara të ndodhura gjatë luftës, u kujtoj në radhë të pare se duhet të rilexojnë sërish deklaratën e kryehetuesit amerikan të Task Forcës Speciale të cilën e kam shkruar më lart, që këto krime i përkisnin si gjykim Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Kujtoj gjithashtu se cilëtdo që akuzohen dhe dënohen si në rastin e Sali Mustafës, pas plot 22 viteve, edhe ata janë civilë dhe jo ushtarakë, pasi UҪK ka pushuar së egzistuari që në qershor të 1999. Dhe në gjithë këtë shpjegim të sipërcituar gjënden dy nga faktet kryesore që hedhin poshtë narrativën e rreme të Bedri Islamit e gjithë Bedrinjve të tjerë andej e këtej Drinit, se kjo gjykatë do krijohej nga OKB.

Fakti i parë është se OKB e ka krijuar një gjykatë për krime lufte dhe ajo është Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Dhe duke qënë se edhe Kosova është pjesë e ish-Jugosllavisë atëherë nuk do të mund të krijonte një gjykatë tjetër ndërkombëtare të veçantë për këtë zonë gjeografike.

Fakti i dytë është se ajo nuk mund të krijonte një gjykatë të ngjashme me një tjetër për të cilën një nga organizmat e saj ka përpiluar një raport tepër kritik.

Fakti i tretë që hedh poshtë këtë narrativë të rreme është se krijimi i një gjykate apo edhe miratimi i një rezolute nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kërkon votimin unanim të të gjithë anëtarëve të sajë, pasi në këtë këshill asnjë vendim apo rezolutë nuk quhet e miratuar me shumicë votash.

Dhe një gjykatë të tillë ashtu si pretendojnë Bedriu dhe gjith Bedrinjtë e tjerë, për më shumë edhe e propozuar nga Rusia në asnjë mënyrë nuk do të votohej nga Amerika.

Dhe kjo sidomos mbas vitit 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë. Që pas atij viti të gjithë këta po të kishin qënë sadopak të vëmendshëm dhe hulumtues do e kishin parë që në KS të OKB nuk ka kaluar asnjë rezolutë e propozuar nga Rusia, pasi Amerika nuk e ka votuar atë.

Dhe pas gjithë këtij sqarimi pak të gjatë lind pyetja: Këta që vazhdojnë të krijojnë narrativën se kjo gjykatë do të krijohej nga OKB po të mos e miratonte vetë Kosova, janë injorantë apo janë manipulues?

Unë nuk e di se ç’janë, por ama e di se edhe injoranca, edhe manipulimi, të çojnë në tradhëti.

Ashtu si injoranca e çoi Hashimin dhe shokët e tij në tradhëti kombëtare me miratimin e kësaj Gjykate dhe Prokurorie Speciale.

Dhe po të tradhëtosh UҪK dhe idealin e saj, do të thotë të tradhëtosh Kosovën dhe rrjedhimisht do të thotë ta shesësh atë.

P.S. “Kolaboracionisti” Mid’hat Frashëri thoshte “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”.

©Dritan Goxhaj