Kolumnist

Paradokset e “Ballkanit të Hapur” - Nga Artan Fuga

Koncepti Ballkan i hapur nënkupton, sipas meje, dy horizonte kryesore.

E para, hapje e vendeve ballkanike me njëri-tjetrin për tregëti, qarkullim njerëzish, kulturash, etj.

Këto nuk i shpiku ai, por erdhën në kuadrin e proceseve me frymëzim evropian pas rrëzimit të regjimeve komuniste të Lindjes.

Në këtë kuptim, është një mashtrim i madh që ta quash “Ballkanin e Hapur” si një shpikje. Shpikja qendron vetëm në terminologji. Kaq.

Kush nuk e do hapjen e shkëmbimeve njerëzore, ekonomike, kulturore, politike midis të gjitha vendeve të Ballkanit? Vetëm budallenjtë. Eshtë njësoj si të krenohesh që ke shpikur se njerëzit pijnë ujë. 

Po aq mashtrim do të ishte të thoje se “Ballkani i Hapur” është vazhdim i konceptit “Mini-Shengen”. Sepse ky i fundit, po të mos ishte kundërshtuar rreptë donte të thoshte që Kosova, Serbia, Shqipëria, etj., të krijonin parlament të përbashkët, bankë të përbashkët, polici të përbashkët, politikë të Jashtme të përbashkët, etj.

Kjo nuk do të kishte qenë më shumë sesa rikapje nga ana e Serbisë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Se koncepti “Shengen” atë nënkupton. Do të ishim futur në qorrsokak të rëndë për një shekull tjetër.

Horizonti i dytë, është që koncepti “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj fuqive dhe vendeve jashtëballkanike.

Mirë ne hapemi ndaj aleatëve perëndimorë, por a nuk do të thotë kjo pastaj që Serbët të hapen ndaj aleatëve të tyre rusë? Ballkan i Hapur për ne, Ballkan i hapur për ata!?

Nuk mund të jetë i hapur ku duhet të hapemi ne, dhe i mbyllur sikurse do të donim ne për Serbët. Se do të kishte qenë një paradoks logjik.

Atëherë ne çfarë kemi që edhe gudulisemi pas “Ballkanit të Hapur” edhe hiqemi se jemi kundër influencave ruse në rajon?

Politika e Ballkanit të hapur e nënkupton këtë. Pra, mirëkuptim që Serbia të hapet sa të dojë ndaj influencave ideologjike, gjeopolitike, ekonomike dhe ushtarake ruse.

Pra, ose nuk dime se çfarë bëjmë dhe themi, ose jemi hipokritë, ose nuk dimë se çfarë të themi, sepse konceptualisht kemi pranuar hapje pa kushte.

“Ballkani i Hapur” si koncept e fut zonën tonë në një gjendje histerie, sepse nga njëra anë pranon orientimin perëndimor të “Ballkanit të Hapur” dhe nga ana tjetër nënkupton influenca të shtuara ruse në Ballkan, një lloj epilepsie politike.

Para luftës në Ukrainë kjo gjë nuk dallohej mirë, kurse sot kjo është e qartë, koncepti hyn në paradoks logjik.

©Artan Fuga