Kolumnist

Tirana, Shkupi, shqiptarët - Nga Xhevdet Nasufi

E çuditshme, sikur me fanfarë liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut u mblodhën në Tiranë para ca ditëve. Motivi i takimit, sipas standardit mistik-komunist të Bujar Osmanit, ishte darkë për vitin e ri me Ramën, kurse për vetë Ramën, takim për shqyrtimin e proçesit integrues në Maqedoninë e Veriut. Nëse i referohemi kurtuazisë diplomatike, takimi ishte ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Ama Rama është përjashtim. E vetmja, Maqedonia e Veriut, e mbështeti Ramën pa ngurrim në projektin konfuz “Ballkani i Hapur” dhe natyrshëm në sensin më elementar, Rama kthen borxhin si ndjesi morale. Pra, edhe sikur të duam të mbulojmë takimin me idenë e bashkëpunimit mbarëshqiptar, takimi nuk ishte i tillë dhe në këtë distancë të shkurtër kohore u qartësuan disa qëllime kryesore të tij:

-Së pari, Rama hyri në vitin zgjedhor për pushtetin vendor dhe takimi i realizuar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është për efekt zgjedhor për socialistet të cilët realisht, gjer tani e kanë sfiduar për të keq funksionimin e pluralizmit politik, bile pushtetin vendor e kanë të “okupuar” tërësisht.

-Së dyti, Kovaçeski në bashkëqeverisje me Ahmetin janë në krizë politike dhe shteti si asnjëherë, po u rrëshqet në konfuzion dhe pasiguri juridike. Bile, disa ikje spektakolare të kriminelëve në prezencë dhe vrojtim shtetëror, përfshi edhe Gruevskin, apo akordimi i shtetësisë një oligarku, pse jo edhe agjenti rus (shqiptarë të shumtë me dekada nuk mund të marrin nënshtetësinë), apo edhe ndërhyrja e paralajmëruar amerikane në luftën kundër korupsionit (së pari në gjyqësor) janë sinjale të elementëve ogurzinj të krizës së thellë, të mungesës së vullnetit dhe të kapaciteteve për t’u përballur me te.

Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese (bullgarët të futen në preambulen e Kushtetutës), edhe më efektshëm do të faktorizojë dhe thellojë krizën. Propaganda joparimore, manipulimet politike, apo edhe sfidat jo të sinqerta me kundërshtarët politikë të BDI, mosndryshimi i Kushtetutës për interes të bullgarëve, do të godasë fort koalicionin qeverisës aktual. Kjo, sepse më shumë se njëzet vjet në qeverisje, BDI si levë propaganduese e ka patur eurointegrimin, i cili fillimisht si bumerang duhet dhe do të godasë BDI, për devijimet në komunikim me publikun, për mungesë sinqeriteti me qytetarët, për politizimin e skajshëm të shtetit. Si përfundim, aparenca logjike duket se është që LSDM dhe BDI po diskreditohen jo vetëm në raport me proçesin eurointegrues, por nga ana tjetër edhe me qeverisjen.

-Së treti, takimi në Tiranë dukshëm influencon në qeverisjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në rrafshin që mundësisht, të gjitha partitë politike shqiptare të hyjnë në qeveri, të çveshura nga koncepte ideore apo programore dhe të instalohet qeverisje unikale, pluraliste vetëm në sferen e kuadrove dhe punësimeve partiake. Në fakt, hyrja e Aleancës së Shqiptarëve në pushtet nuk është ogur i mirë. Më së pari, kjo jo se i ndryshon numrat e votimi, të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, pasi shqiptarët proamerikanizmin dhe proevropizmin nuk e kushtëzojnë nga pjesëmarja në qeveri; Po ashtu, hyrja pothuajse e gjithë partive në qeveri, nuk e ndihmon as qeverisjen efektive (koalicionet e këtilla janë luftë për pozicione dhe garë partiake), por edhe më pak interesat kombëtare të shqiptarëve. Si përfundim, ky amalgam qeverisës (të majtë, të djathtë, centristë, klerikë, radikalë...) është benefit vetëm e vetëm për BDI, që edhe më tej të ushtrojë pashallëkun  pa konkurencë reale politike.

Gjithsesi, takimi në Tiranë pasi nuk reflektoi nevojat reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriu (ridefinimi  i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, riformulimi i kohezionit qeverisës shqiptar-maqedonas duke plotësuar Kushtetutën në rrafshin e ushtrimit të funksionit të Kryetarit të Shtetit (së paku nënkryetar shqiptar), ushtrimit të funksionit të kryeministrit (së paku rotacioni si model...), ushtrimit të funksionit të ligjvënësit (së paku të eleminohet mbivotimi për çështjet e hapura të barazisë etnike), vetvetiu  dëshmohet  se takimi në Tiranë ka patur  në fokus interesin e fragmentarizuar  partiak të BDI dhe PS dhe liderëve të tyre.

Pra, siç është bërë traditë shumë herë dhe për shumë gjera gjertani, Rama dhe Aliu pacifizmin politik e kanë në fokusin e veprimit, kurse temat kombëtare shqiptare shumë pak e aspak i fusin në agjendat e tyre. Me zell të pashembull liderët në fjalë u qasen politikave mondane, në hapësirë dhe përmbajtje. Sikur të ishte ndryshe nga kjo, pse nuk kërkohet pas kaq vite qeverisje të Aliut dhe Ramës, të hapet Kushtetuta në Maqedoninë e Veriut edhe për shqiptarët, por vetëm për bullgarët dhe grekët? Mos vallë dikush mendon se edhe në këto rrethana globale dhe gjeostrategjike është e nevojshme edhe një luftë (absurd neveritës) për të ndryshuar Kushtetuten?

Nëse liderët shqiptarë mendojnë që Maqedonia e Veriut të shpëtohet nga tendenca antievropizuese, kjo nuk mund të bëhet në Tiranë, por në Shkup, nuk mund të bëhet me presion ndaj shqiptarëve (e kanë të dëshmuar proglobalizimin), por me presion ndaj maqedonasve etnikë.

©Xhevdet Nasufi