Parlamenti si “Shkolla e vagabondëve” - Nga Ilir Gjini
Me përjashtimet e shpeshta të deputetëve opozitarë që kërkojnë ngritje të komisioneve hetimore apo interpelancë me kryeministrin Rama për skandalin McGonigal, Parlamenti i sotëm më kujton shkollën e dikurshme të “riedukimit” që në zhargonin popullor quhej “Shkolla e vagabondëve”.
E hapur në vitet e komunizmit në Yzberisht të Tiranës, në këtë shkollë dërgoheshin fëmijë “problematikë” që kishin braktisur shkollën apo kishin vjedhur ndonjë torbë kumbulla, ose nga familje të divorcuara, që të “edukoheshin” me normat e moralit komunist përmes izolimit dhe punës. Më kujtohet kur dilte ndonjë film i ri dhe ne vraponim te kinema “Republika” ngjitur me Ambasadën Turke, me dhimbje shikoja këta fëmijë të rreshtuar si ushtarë me koka të qethura si të burgosurit, që na vështronin me ndrojtje e zili, ndërsa ne përtypnin fara e bërtisnim duke komentuar për skenat e filmit.
Këto skena të dikurshme më erdhën në mendje kur shikoj gardistët e rreshtuar para hyrjes së parlamentit që bllokojnë hyrjen e deputetëve të përjashtuar të opozitës, pse kërkuan vetëm të drejtat minimale që iu jep Kushtetuta. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë postkomuniste të parlamentarizmit, që opozitës t’i mohohet një e drejtë kushtetuese siç është ngritja e komisioneve hetimore.

Kërkojnë thjesht interpelancë me kryeministrin, por z. Rama i refuzon dhe u thotë të përgatisin pyetjet te Fevziu. Shkojnë të regjistrohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, po Çelibashi i thotë që unë njoh Alibeajn, se këtë njeh dhe qeveria. Çojnë në Gjykatën Kushtetuese ministreshën Xhaçka për konflikt interesi pasi ka përfituar në mënyrë të paligjshme titullin “investitor stategjik”, por Gjykata u thotë që se kuptova pyetjen?! Sqaroheni më mirë radhën tjetër! Denoncojnë në SPAK aferën McGonigal, por prokurorët e SPAK kërkojnë nga opozita edhe aktakuzën e Prokurorisë amerikane. Kërkojnë komision hetimor për udhëtimet me charter të Ramës, por u thonë që janë sekret shtetëror që e dinë vetëm hakerat iranianë.
Znj. Nikolla e ulur në kolltukun e kryparlamentares, shikon me bisht të syrit reagimet e kryeministrit si muzikantët e orkestrës shkopin e dirigjentit dhe u tregon derën deputetëve të opozitës. Tani s’ka mbetur gjë tjetër vetëm të ndryshojnë rregulloren dhe t’i përjashtojnë edhe kur shikojnë vëngër kreun e qeverisë.

Znj. Nikolla më kujton një zyshë në Lice që na mësonte fizikën. Zysh Dhora quhej. Qe e fiksuar pas disiplinës dhe kur na shkëputej vëmendja për një çast e shihnim nga dritarja ajo menjëherë na paralajmëronte:
- Shënim në regjistër se pe nga dritarja.
- Po pse zysh?
- Shënimi i dytë. Shënim të tretë nuk ka. Do iu vë katër.
I mësuar me opozitë të tipit “kërpërata”, Ramën tani e bezdisin edhe diskutimet e opozitës në Parlament. Nga ana tjetër shohim edhe banaqet televizive të mbrëmjes që fillojnë e mbarojnë me analizimin e opozitës. Mos vallë opozita po e qeveris këtë vend prej 10 vitesh? Mos vallë është opozita gjykata, prokuroria apo media?
Nuk është opozita që çon pas hekurave zyrtarët e korruptuar. Madje denoncimet e opozitës në SPAK kanë qenë më efikase se vetë puna e prokurorëve të këtij institucioni që shërben si zjarrfikëse e gjithë dosjeve të nxehta ku mund të shkrumbohet qeveria.
Për sa kohë Parlamenti do kthehet në “Shkollë riedukimi” të deputetëve të opozitës dhe drejtësia në zjarrfikëse e skandaleve të qeverisë, demokracia dhe pluralizmi si thelb i demokracisë do rrezikojnë të humbasin. Do kthehemi te Parlamenti i “kërpëratave”, i pëlqyer shumë nga Rama.
© Ilir Gjini











