Flasshqip, një projekt dashurie - Nga Jeta Dedja
5 vjet më parë, si një njeri me energji të pashtershme, Taulant Dedja ndjente se kishte kohë e mundësi për të punuar më shumë. Ai mendonte se duhej të krijonte një media online për diasporën shqiptaro-kanadeze. Dashuria e tij për gjuhën shqipe ishte shtysa për të hapur një portal që t’i shërbente komunitetit në gjuhën amtare. Kishte hedhur idetë e tij në letër, me një kaligrafi perfekte dhe ashtu butë-butë më bëri edhe mua pjesë të planeve të tij. Zhgarravitjet e mia kritike mbi bukurshkrimet e tij ishin testi më i mirë i durimit dhe këmbënguljes për të realizuar këtë projekt.
Pas disa muajsh bërjesh e zhbërjesh rubrikash, variante logosh nga Ermali, na duhej të dilnim online me faqen tonë. Kështu që u kërkuam Julit dhe Fjorës, mjeshtrave të ndërtimit të faqes, që të na e konceptonin sa më thjesht nga ana pamore, ndërkohë që serverin na e kishte siguruar Rudini dhe skicimin e reklamave të para Besmiri.
Duke i vënë në vijë çështjet teknike, filluam nga puna, së pari të hulumtonim për autorë të pavarur, mendjet e lira që shëtisnin rrjeteve sociale. Dolëm në “gjueti” të lëvruesve të kritikës dhe gjetëm pena të sprovuara. Vazhduam të kontaktonim bashkëatdhetarët tanë në Kanada e t’i ftonim të bëheshin pjesë e portalit me intervista e shkrime, duke synuar shpërndarjen e modeleve të punës e suksesit, dashurisë dhe përkushtimit.
Ndiheshim kaq ngrohtë në zemër kur çdo ftesë mirëpritej dhe iniciativa jonë inkurajohej. E kapërcyem kufirin duke publikuar bashkëatdhetarë me banim në USA e pse jo edhe Europë kur hasnim në shkrime me vlerë. Vendosëm standarde sa i përket rregullave drejtshkrimore dhe të drejtës së autorit; asnjë publikim pa korrektim dhe pa lejen e autorit.
Sot ndihemi krenarë që jo vetëm u kemi ofruar lexuesve talente dhe shkrimtarë të njohur, por kemi arritur të jemi një pikë referimi sa herë flitet për diasporën shqiptaro-kanadeze. Për më tepër, Flasshqip e ka mbuluar Kanadanë nga njëri oqean në tjetrin, jo vetëm me ngjarje por edhe me identifikime e përkrahje autorësh brilantë dhe qindra histori suksesi. Dhe kjo nuk është vetëm merita jonë, por edhe të gjithë atyre dashamirësve që na kanë mbështetur në këtë projekt dashurie.
E them që është projekt dashurie sepse nisi nga dashuria për gjuhën shqipe, për bashkëatdhetarët, për kulturën, për njëri-tjetrin, dhe është dashuria jonë dhe e juaj ajo që e ka mbajtur në këto 5 vjet portalin Flasshqip.ca aktiv dhe që do ta mbajë në vitet e ardhshme. Falenderime nga zemra!
Me dashuri dhe mirënjohje!
Jeta Dedja, Kryeredaktore-Flasshqip.ca
7 Mars, 2023










