I telekomaduari Enkelejd Alibeaj, një Çiçikov i epokës sonë - Nga Ilir Gjini

Enkelejd Alibeaj kryetari me komandim i të ashtuquajturës Partia Demokratike, sot ngjason me një personazh të famshëm të shkrimtarit rus Gogol, Pavël Çiçikov.
Në Rusinë Perandorake të gërryer nga korrupsioni, Çiçikovi bridhte lart e poshtë provincave ruse për të blerë frymë bujkrobërish të vdekur, por që zyrtarisht ende “jetonin” në regjistrat e burokratëve, pasi bujkërobrit rusë ishin një mall që mund të shitej apo blihej sipas interesit të pronarit.
Shikojeni edhe të komanduarin Enkelejd që bredh me vulën e PD-së në xhep, të dhuruar nga pushteti, në kërkim të kandidatëve për kryebashkiakë. I mbrojtur nga Garda, i rrethuar nga mikrofonë mediatikë të pushtetit, i pagëzuar nga ambasadorja Kim si lider i opozitës dhe i telekomanduar nga Taulanti në Parlament, nuk po gjen dot as një çerekun e kandidatëve për kryetar.
Edhe ata që i kishte po i firojnë rrugës. Përballë neglizhencës dhe përbuzjes së demokratëve që i shikojnë si vegla të qeverisë, po dorëhiqen për të mos u turpëruar nga rezultati që do marrin në fund të garës. E kur nuk po nxjerrin dot as kandidatë në garë, do gëzojnë të gjitha benefitet që siguron ligji duke marrë rreth 2 milionë euro nga buxheti i shtetit, kohë të barabartë mediatike me kandidatët e qeverisë, e ç’është më e rëndësishmja, do kenë edhe komisionerët që do numërojnë votat. Kur as kandidatë nuk kanë, si do mund të gjejnë komisionerë?
Por për Enkelejdin, pak rëndësi ka fakti që partia që ai zyrtarisht përfaqëson nuk po merr dot pjesë në garë. Pak rëndësi ka rezultati. Ai po i hyn “detit me këmbë” jo për t’u matur me pushtetin, por për të prishur punë. Për të hequr disa vota që mund të rezultojnë deçizive në fitoren e opozitës. Nëse Belindi e Luçiano apo Zef Hila, lanë mandatet e deputetit për të garuar, askush nga deputetët që mbështesin Enkeledin, nuk bëri të njëjtën gjë. Ata fshihen pas një mandati të fituar nga votat e demokratëve, të cilët nuk i përfaqësojnë më.
Kur zgjedhjet të mbarojnë dhe rezultati do jetë katastrofik për PD-në, Enkelejdi sërish do krekoset para kamerave me vulën në xhep. Do akuzojë “armiqtë e brendshëm”, që i pamundësuan fitoren dhe do vazhdojë te telekomandohet në prapaskenë nga Tulanti i Ramës e Lulzimi i fishkur i PD-së së vulës që kurrë nuk dha dorëheqje. Do vazhdojë të theksojë rrokjet duke i dhënë “ngjyrë” fjalimeve të tij pa erë e ngjyrë. Do vazhdojë misionin e tij si Çiçikovi në kërkim të shpirtrave të vdekur.
© Ilir Gjini - Toronto
*Karikatura nga Mjeshtri Bujar Kapexhiu












