“Jakupi jemi ne” - Nga Enver Robelli
Fjalimi i Jakup Krasniqit para Gjykatës Speciale në Hagë e shpalos krejt mënyrën se si funksionojmë historikisht si shoqëri. Historia jonë është një tragjedi me elemente naiviteti e - qe besa - nganjëherë edhe komedie. Por nuk është komedi gazmore. Në këtë kuptim “Jakupi jemi ne” si shoqëri, si mentalitet, si qenie sociale.
Mbajmë fjalime të mëdha e prodhojmë libra të vëllimshëm (ndokush mund të thotë: libra të trashë), vringëllojmë me dokumente në betejat e përditshme politike, duam t'ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit, kundërshtarin politik duam ta eliminojmë, jo vetëm ta nxjerrim nga gara, ngjarjet e vogla i glorifikojmë në beteja legjendare deri te Molla e Kuqe, pa e menduar se nesër Mollën e Kuqe duhet ta quajmë mollë të kalbur.
Andaj Jakup Krasniqi është ajo mesatarja e kosovarit të cilit patetika ia lëkund patriotizmin. Po, vërtet: “Jakupi jemi ne”. A është dashur ky proces për ta kuptuar këtë? Jo. Kemi pasur rast të mësojmë. S'kemi mësuar. As kuptuar pothuaj asgjë. Andaj tronditja e zhurma në llozhën e patriotëve është hipokrizi kolosale.
Një shoqëri që i nënçmon rreziqet, që i trajton ato me noshalancë, një shoqëri që nuk e sqaron raportin e saj me të vërtetën (edhe kur ajo është e hidhur), herët apo vonë zë në thua. Tragjedia tjetër pret pas derës tjetër, nëse nga përvoja e 25 viteve të shkuara dhe nga ky proces nuk nxirren mësime. Mësimi i parë dhe më i rëndësishmi: të funksionuarit brenda kornizës dhe kulturës bazike institucionale.
© Jakup Krasniqi