Kosova dhe një deklaratë e presidentit të ri malazez Milatoviç - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Viteve të fundit opinioni publik në Kosovë me të drejtë është zemëruar kur janë përhapur lajme se filan shtet ka çnjohur apo e ka ndërmend të çnjohë mëvetësinë e Kosovës. Por ka edhe shembuj të tjerë në shtete të tjerë ku, përkundër zërave për çnjohje, politikanët qartë thonë se tërheqja e njohjes së Kosovës nuk mund të jetë fare në rend të ditës. Për shembull në Mal të Zi. Politikanë dhe parti proserbe kanë kërkuar tërheqjen e njohjes. Ndoshta mund të kenë pasur ndonjë shpresë se këtë do ta bëjë presidenti i ri Jakov Milatoviç. Këto shpresa po duken të kota. Pa kaluar tri ditë nga zgjedhja, Milatoviçi ngarendi të sqarojë se një gjë është shumë e qartë: s'ka çnjohje të Kosovës!
Milatoviç deklaroi se Mali i Zi do të angazhohet për marrëdhënie më të mira me të gjithë fqinjët. Pas kësaj deklarate udhëheqësit politikë të Kosovës, duke respektuar rregullat bazë të komunikimit diplomatik e publik, duhet t'ia urojnë zgjedhjen kryetarit të Malit të Zi. Ai është zgjedhur në mënyrë demokratike.
Presidenti i deritanishëm Milo Gjukanoviç e ka pranuar humbjen. Ndryshimet demokratike nuk duhet të shihen si drama para apokalipsit. Një politikan që qeveris (dhe sundon) mbi 30 vjet si rasti i Gjukanoviçit, një ditë duhet të shkojë. Kjo i bën mirë edhe demokracisë.
Gjukanoviç ka merita historike për pavarësinë e Malit të Zi. Qëndrimet e tij kundër politikave hegjemoniste të Beogradit në rajon shpesh kanë qenë më të qarta se të ndonjë politikani shqiptar në Tiranë.
Por kjo është vetëm njëra anë e qeverisjes së Gjukanoviçit. Ana tjetër për të cilën s'pëlqehet të flitet shumë ndër përkrahësit e tij edhe përtej Malit të Zi, është shndërrimi i republikës së vogël malazeze në firmë private të familjes Gjukanoviç, shoqëruar me të gjithë fenomenet e postkomunizimit. Partia e Gjukanoviçit ka qenë pasardhëse e Lidhjes së Komunistëve të Malit të Zi, e cila e mori pushtetin më 1945. Pra, ka sunduar rrafsh 78 vjet. Nuk është pak.
© Enver Robelli












