Kolumnist

Shkolla përballë Influencuesve - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Prej disa kohësh në disa shkolla kanadeze ka filluar të eksperimentohet mbledhja e pajisjeve elektronike të nxënësve çdo mëngjes, paketimi i tyre në këllëfe të posaçëm dhe shpërndarja në fund të ditës shkollore. Gjatë pushimit, nxënësit mund t’i marrin pajisjet për t’i dorëzuar sërish ato në minutën që bie zilja paralajmëruese.

A po ecën kjo strategji? Nxënësit raportojnë dhjetra tipe hilesh e gënjeshtrash për të shmangur dhënien e telefonit të tyre, duke siguruar po dhjetra arsye për të mos e dorëzuar mjetin e shtrenjtë në çdo kuptim të këtij mbiemri. Domethënë, pavarësisht shpenzimeve për zbatimin e këtij projekti, nxënësit e atashuar pas telefonëve, vazhdojnë të jenë po aq të pandarë prej tyre.

Kur i pyes ata se çfarë do t’u mungonte më shumë nëse do të dorëzonin telefonin, e dini se çfarë është në krye të listës? TikTok e Insta.

Sepse shumë të rinj sot shprehin një nevojë urgjente për të ndjekur disa "Influencues" në këto rrjete sociale. Kjo nevojë përkthehet në mendime obsesive e sjellje kompulsive.

Çfarë gjejnë në TikTok?

Një nxënëse që mu referua për këshillim me arsyen e mungesës së motivimit dhe qëndrimeve anti-shkollë, më tregoi se adhuron një modele TikTok-u që e ka lënë shkollën dhe është bërë e pasur përmes videove që poston. E frymëzuar prej kësaj modeleje, nxënësja 14-vjeçare filloi të mos bënte më detyrat dhe të praktikonte në koridoret e shkollës ecje pasarelash. Ajo  kontrollonte disa herë në një orë mësimi profilin e “Influencueses” dhe po aq herë zhytej në mendimet se po harxhonte kohën në shkollë. Vajza kish filluar tu kërkonte prindërve veshje të ngjashme me atë që ndiqte në TikTok dhe t’ia ndalonte mamasë parkimin në oborrin e shkollës në mënyrë që shoqëria e saj të mos ia shihte makinën, pasi nuk ishte “fancy”.

Një djalë, ndjekës i Andrew T. thotë me adhurim se ky është mashkulli ideal i njerëzimit dhe stresohet nëse nuk merr dozën e tij të frymëzimit duke klikuar çdo gjë të mundshme në lidhje me A.T.

Influencer si Andrew T, Holly H, apo një djalë me edukim modest në Vancouver kanë me miliona ndjekës. Tipi nga Vancouver video-regjistroi veten së fundi para trupit të pajetë të dikujt që sapo ishte vrarë duke shoqëruar pamjet me tekstin “ky bir k..sapo vdiq, o shoku.”

"Ja ky tip, vetëm se ka arritur të mbledhë ndjekës, është bërë i pasur. Nuk i është dashur të studiojë. Ka mjaftuar një celular dhe WiFi. Pse mos bëhem edhe unë influencues"? Kështu tregonte një nxënës duke u përjekur të racionalizonte idetë e tij për të mos vazhduar kolegjin.

“Brezi Z ka dalë prej duarsh”-thonë ata që nuk kanë ZH në alfabet. E vërteta është që të rinjtë sot gjenden si mes katër rrugëve në botën virtuale dhe njëkohësisht mes krizave konstante panshoqërore që reflektohen në çdo aspekt të jetës së njerëzve.

Sot, plot prej tyre dëshirojnë të bëhen influencues në vend të mjekë apo inxhinierë le të themi, sepse u duket rrugë më e shkurtër drejt famës dhe pasurisë. Modelet që ndjekin janë të shumëllojshëm, me të cilët krahasimi dhe identifikimi bëhet më i mundshëm.

Nga ana tjetër, shkolla është e papërgatitur përballë prurjeve të shpejta që realiteti virtual sjell. Është njëlloj si të shkosh në një luftë me shpatë e jataganë përballë një kundërshtari që përdor armë të shkatërrimit në masë.

Duke qenë se shumë të rinj preferojnë të jenë TikTok-er sesa “peshkopë”, studiuesit propozojnë aplikimin e mësimit me platforma interaktive në pajisje elektronike me idenë se në këtë mënyrë do arrihet rezultati fitore-fitore, sigurisht duke shpjeguar edhe kufizimet e strategjisë, të cilat nuk janë të pakta. Ndërkohë distanca mes familjes e shkollës po rritet. Në letra ngrihen komisione prindërish e borde mbikëqyrjeje por ato nuk janë të fuqizuara për të ndërmarrë aksione. Bordet shkollore janë hedhur drejt rrjeteve sociale për ndihmë të integrojnë aty pjesë të edukimit, megjithatë ende nuk kanë grumbulluar ndjekës mjaftueshëm. A po kanë sukses me këto ndërhyrje? Për momentin nuk ka konkluzione të mjaftueshme.

Një gjë është e sigurt. Megjithë përpjekjet, sistemi i edukimit kudo në botë ka mbetur shumë pas realitetit dhe në vështirësi të adresojë problematikat e reja. Mësuesit kthejnë sytë nga bordet shkollore për udhëzime të përditësuara e ndërsa ato dalin, në të njëjtën kohë janë shtuar të panjohura të tjera që teknologjia prodhon.

©JetaDedja/Flasshqip.ca