Kolumnist

Shqiptarët, “heronjtë” e heshtur - Nga Jeta Dedja

Çfarë është një hero? Një person që admirohet për guximin, arritjet e jashtëzakonshme ose cilësitë fisnike. Bazuar në këtë përkufizim unë them se të gjithë shqiptarët janë “heronj” që kanë arritur të durojnë fyerjet e talljet që pushteti apo kryeministri u bën publikisht. Janë “heronj” që me guxim vazhdojnë të jetojnë mes korrupsionit e varfërisë. Janë “heronj” që nuk nxjerrin zë e të ankohen për shkeljen e të drejtave e lirive të tyre, por pranojnë fatin kokëulur.

Shqiptarët janë “heronjtë fisnikë” që e lanë të shkojë Ardit Gjoklaj kur fadroma e Erion Veliajt ia dhunoi të drejtën djaloshit për të jetuar.

Shqiptarët janë “heronjtë” që përcollën të riun Klodian Rasha në banesën e fundit pasi Policia e Shtetit të Edi Ramës ia dhunoi të drejtën për liri dhe siguri.

Shqiptarët treguan se janë “fisnikë të pandreqshëm” kur nuk u ngritën ndaj dhunimit të jetës së tyre private e familjare nga armata e patronazhistëve.

Shqiptarët janë ata “heronjtë” që nuk u ndjenë fare kur Edi Rama dhunoi lirinë e shprehjes duke urdhëruar mbylljen e emisioneve të gazetarëve të pavarur nga ai, e po ashtu edhe televizioneve.

Shqiptarët nuk reshtin së “rezistuari” me “heroizëm” ndaj çdo lloj diskriminimi që kryeministri famëkeq Edi Rama shpalos kurdo e kudo, duke shkelur kështu nenin 14 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Shqiptarët duruan me “heroizëm” edhe kur pronat iu kthyen në resorte pasanikësh edhe kur trashëgimitë kulturore e historike iu shembën para syve.

Shqiptarët vazhdojnë të admirohen për mosbraktisjen e shërbimeve publike si shkollat e spitalet, ndryshe nga pushtetarët, e që me “heroizëm” dërgojnë fëmijët e tyre atje.

Shqiptarët janë “heronj” që edhe pse u djeg shpirti nga malli për fëmijët në kurbet, sërish gjejnë “force” t’ia falin qeverisë paaftësinë për t’i kthyer ata në atdhe.

Këta janë shqiptarët, që duhen duartrokitur për “arritjen” e tyre të jashtëzakonshme; mbajtjen në pushtet të njeriut që bën të mundur shkeljen e të drejtave të tyre dhe shndërrimin e Shqipërisë në vatrën e mjerimit.

Këta jemi ne shqiptarët, “heronjtë” e heshtur, dikur luftëtarë të paepur.

© Jeta Dedja/Flasshqip

Tagged under Jeta Dedja Flasshqip.ca