Diaspora naive apo dora e zgjatur e “Sektit rilindas”? - Nga Milaim Nela
Me shumë shqetësim kam parë këto ditë prononcime të eksponentëve të ndryshëm të Diasporës për Shqipërinë e Lirë për situatën post zgjedhore në Shqipëri.
Ajo që mbizotëron në ligjërimin e tyre është nevoja për një përfaqësim të ri politik në Shqipëri. Me gjysmë zëri dhe sa për të larë gojën e thonë që në Shqipëri është vjedhur dhe tjetërsuar vota, e këtë vetëm kur sfidohen dhe pyeten direkt nga gazetarët.
Me një gjuhë të maskuar ligjërimi i tyre në fakt është në të njëjtën linjë me tymueset qeveritare në Shqipëri. Bërtasin fort që duhet vota e diasporës duke e paraqitur veten si faktor super të rëndësishëm politik në diasporë, duke krijuar përshtypjen që janë kaq të fuqishëm sa vetëm vendet në Parlament iu mungojnë.
Ne shqiptarët kudo ku jetojmë - të nderuar diasporistë - po shohim se Shqipëria po rreshqet jo në autokraci siç është bërë e modës të quhet sot, por në diktaturë të mirëfilltë. Kush ka sy e ka përpara.
Ne kemi parë që si asnjëherë tjetër, pushteti ka masakruar jo vetëm një parti politike liderin e së cilës në kushte normale mund të mos e pëlqejmë shumë prej nesh duke parë me dylbitë e rehatllëkut nga vendet ku jetojmë, por është shkallmuar opozita shqiptare, është rrënuar pluralizmi politik.
A nuk e vëreni këtë të nderuar diasporistë?
Si mund të thoni opozita nuk frymëzoi kur ne e dimë që operacionet e tmerrshme politike dhe ekstraligjore të regjimit nuk lejojnë të regjistrohet ligjërisht vullneti i 500 mijë shqiptarëve por mjaftoheni me konstatime bajate?
A nuk e kuptoni ju - të nderuar diasporistë - që një grupim politik i opozitës që unë i kam quajtur delenxhinj, pa kryetar, pa forume dhe pa anëtarë, të financuar rëndshëm nga KQZ, e dëmtuan keqas opozitën reale, jo vetëm duke shpërndarë mjegull në popullin opozitar përmes studiove të cilat hapën dyert për çdo lloj anonimi mjafton të ishte kundër Sali Berishës.
Vetëm dje ky grup votoi në unison me pushtetin për rritjen e rrogave të tyre kur njerëzit e thjeshtë mezi mbyllin muajin.
Në cilin vend (të madh apo të vogël) ku jetoni ju - të nderuar diasporistë - që do bëni namin nesër me partiçkën tuaj ndodh që ambasadorët e vendeve të huaja sillen me deputetet vendas me arrogancë duke iu bërë presion se kë duhet të mbështesin e me kë nuk duhet të bashkohen?
Gojët e liga thonë që me disa ambasadorë në Shqipëri takoheni shpesh edhe ju. Nëse jeni takuar, të paktën na e thoni atë që nuk na e thonë neve publikisht.
Në cilin vend të botës ku jetoni ju - të nderuar diasporistë - ndodh që kursi i këmbimit të valutës 3 javë para zgjedhjeve tronditet në mënyrë drastike duke e zhvlerësuar atë frikshëm? Shumë prej jush punoni në instuticione financiare. A na e shpjegoni dot? Apo kjo ndodh se nuk frymëzon opozita?!
Në cilin vend të botës ku jetoni ju - të nderuar diasporistë - ndodh që një parti politike si ajo e Tom Doshit pa asnjë program apo ofertë politike, të ketë aq ndikim në zgjedhje sa të dalë parti e dytë jo në një, por në disa zona zgjedhore?
A e besoni ju - të nderuar diasporistë - votimin elektronik që u aplikua në Shqipëri? Jo për gjë po shumë prej jush e mbani veten si ekspertë të shkencës kibernetike!?
A na jepni ndonjë shembull nga vendet ku jetoni si votën e fut për X e të del Y?
Nuk ju dëgjova të flisni për këtë.
Në cilin vend të botës ku jetoni ju - të nderuar diasporistë - partive që janë në pushtet iu rritet mbështetja nga mandati në mandat paçka se vendi braktiset e korrupsioni rritet në mënyrë eksponenciale?
Tani ju lutem ndajeni mendjen e mos na merrni për leshko të paktën neve që jetojmë si ju në përendim: ose opozita nuk frymëzon, ose në Shqipëri është bërë kasaphanë me votën e lirë. Sepse na u shprehët që në zgjedhjet e fundit keni patur edhe përfaqësuesit tuaj.
Shumë pyetje më kanë munduar për ju dhe individë të caktuar prej jush që drejtoni këtë organizatë që duket se nuk vuan për financime se këtej ku jetoj unë të paktën ne nuk ta fal njeri kollaj paranë, por kjo nuk është objekt i këtij shkrimi.
Bashkëatdhetarët tanë në Shqipëri nuk kanë nevojë për një parti të re politike qoftë edhe diasporiste, sepse i kanë nja 150 të tilla, por duan ndihmë që botës së qytetëruar e qendrave vendimarrëse t’iu bëhet e ditur çfarë po ndodh me opozitën shqiptare. Ti bëhet e ditur se Shqipëria një vend edhe ashtu i vogël po zhbëhet nën hundën e ambasadorëve të tyre. Kjo sepse në Shqiperi regjimi i ka mbyllur thuajse të gjitha gojët e lira.
A nuk e dini ju - të nderuar diasporistë - se ndryshimi politik në Shqipëri nëse do bëhet ndonjëherë do ndodhë vetëm nga brenda e kurrë nga jashtë?
Si do ta ligjëroni ju votën e diasporës kur nuk keni në dorë asnjë mekanizëm ligjor për ta bërë këtë? Po pse more kujtoni ju se me ato lojërat me Kushtetuesen që e kontrollon një njeri i vetëm do na hidhni hi syve?
Shqipëra nuk ndihmohet duke hedhur tymuese që ndihmojnë vetëm pushtetin, por duhet ndihmë që vendit ti rikthehet pluralizmi politik dhe vullneti i njerezve të çlirohet nga litarët e pushtetit.
Shqipëria nuk ndihmohet duke fragmentarizuar opozitën akoma me shumë me partiçka të reja sepse 20 vitet e fundit çdo parti apo grupim i ri politik ka dështuar që në embrion për shkak të sistemit vrasës dhe hermetik që nuk e mundëson një gjë të tillë.
Ju e dini fort mirë - të nderuar diasporistë - që edhe sikur nesër regjimi ta lejojë votën e diasporës, ajo sërish do jetë minimale në krahasim me peshën që do kishte në Shqipëri pasi jo vetëm jemi të shpërndarë si zogjtë e korbit, por shumica e shqiptareve janë pa status të përcaktuar ligjor në vendet ku punojnë e jetojnë e do jenë indiferentë ndaj të drejtës së votimit.
Pse more kujtoni ju sa ata na përzunë neve që të jemi faktor? A jeni në metro?
Ju besoj se nuk ushqeni ndonjë iluzion të çmendur që regjimi do lëshojë pe në kontrollin e institucioneve përfshi atë të votës e të na lejojë neve të votojmë nga vendet ku jetojmë. Ju mund ta besoni, unë jo.
Edhe nëse ndodh hataja ata do lejojnë votimin elektronik si në Kamzë e Elbasan ose votimin me postë që votat t’i numërojë Taulanti me Elisën.
Po pse kujtoni ju se regjimi na ka përzënë që ne të organizohemi e t’i shembim me parti politike nga jashtë?
Ata të mërguarit e para 90-ës kanë qenë burra më të zot se ne, por as nuk patën shansin më të vogël edhe duke patur mbështetjen e Perëndimit e sot ky Përendim ku jetojmë ne, nuk na mbështet neve, por republiken e kontenierëve të bananeve të Ramës.
E për fund - të nderuar diasporistë - shqiptarët nuk kanë nevojë as për parti politike të diasporës që Rama në rastin më të mirë t’iu japë dy tre vende në Parlament, as për njerëz apo organizata që janë dora e zgjatur e “sektit rilindas”, por për ndihmë për të fuqizuar dhe reformuar opozitën ekzistuese në Shqipëri, sepse ajo është mënyra e vetme për ta rikthyer sistemin pluralist në Shqipëri.
Unë i kam ndjekur qëndrimet tuaja politike inkonsistente dhe tejet të dyshimta që para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 e kam shkruar edhe herë të tjera për to.
Personalisht e kam të pjekur qëndrimin se kujt i shërbeni e në mulli të kujt çon ujë narrativa juaj edhe sikur të jetë e sinqertë, që në rastin më të mirë është naïve, por nuk mund të rri indiferent që ju t’i fyeni inteligjencën shqiptarëve.
P.S.: Iu kërkoj ndjesë atyre aktivistëve të Diasporës për Shqipërinë e Lirë që ndihen të atakuar e kontribuojnë ndershëm me mish e me shpirt për çeshtjen shqiptare, por ky shkrim nuk është shkruar për ata, por për kupolën vendimarrëse të kësaj organizate.
©️ Milaim Nela - Britania e Madhe, 24 Maj 2023