Kolumnist

Ishte kryeministri i Qipros, a i Shqipërisë!? - Nga Andi Bejtja

Drafti i propozuar sot nga kryeministri Shqiptar Edi Rama për asociacionin në Kosovë, mund të merrte kuptim nëqoftëse do të ishte një draft i një kryeministri të njërit nga ata pesë vende europiane që nuk e njohin Kosovën, por është e pamendueshme të vijë nga një kryeministër i një republike, që jo vetëm e ka ndihmuar për pavarësinë, por dhe i një republike që i përket një kombi të njëjtë.

As ligjërisht (pa u konsultuar me institucionet e Republikës së Shqipërisë), as kombëtarisht pa u konsultuar me autoritetet e Kosovës, ose minimumi pa i vënë në dijeni, kjo iniciativë në thelb, mjerisht, dëshmon se Edi Rama jo vetëm nuk i respekton autoritetet e Kosovës, por në vetvete dhe nuk e njeh Kosovën.

Thirrjet që policia e Kosovës të largohet nga territori i saj nuk janë as më pak e as më shumë, por thjesht antikushtetuese. Edhe shprehjet se “ndërkombëtarët janë Zot Shtëpie në Kosovë”, në vetvete nuk janë gjë tjetër veçse minim “elegant” i këtyre institucioneve. Për më tepër e gjitha bëhet në një kontekst kur kryeministri i vendit, Albin Kurti, po bën përpjekje titanike për të sqaruar ndërkombëtarët për pozicionin e tij, mision që është në rrugë e sipër.

Për të mos shkuar më thellë, në rastin më të mirë Rama në këtë konflikt, mund të gjejë hapësira prej negociatori, për t’u bërë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ata ndërkombëtare që “paktin për stabilitet” e kanë më të rëndësishëm se “pakti për demokraci”, i rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit dhe më gjerë, por edhe kjo me vetëdije a pa vetëdije, është një loje e rëndë për shqiptarët kudo që jetojnë dhe nuk ke hezitim për t’i vënë etiketën më të rëndë të mundshme.

© Andi Bejtja