Kolumnist

Rama, drafti i tij dhe detyrimi kushtetues - Nga Dritan Goxhaj

Në 32 vjetorin e ndërrimit të emrit të PPSH në Parti Socialiste, kryetari i kësaj organizate dhe njëherësh edhe kryeministër i vendit, Ed(vin) Rama sërish me oportunizmin që e konsideron dhe që e ka sjellë deri në këtë pozitë ku është sot, nuk mund të linte pa përmendur edhe çështjen e draftit që ky ka paraqitur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por kësaj radhe jo se mori përsipër të sqarojë ndonjë gjë nga ajo çka ky draft përmban, por e shfrytëzoi situatën për të akuzuar si gjithnjë publikisht ata që e kundërshtojnë këtë iniciativë të tijën.

Dhe ndër të tjera ai tha: “Atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha. E dyta u them se ky rajon nuk është vetëm i tyre, ky rajon është edhe i yni, edhe i disa të tjerëve.”

Me sociopatinë që e karaktrizon, ai po bën atë që sociopatët dinë të bëjnë më së mirë, të manipulojnë nëpërmjet akuzave perverse dhe perfide.

Në deklaratën e tij: “Duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria”, Rama bën një manipulim total të realitetit, pasi askush as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka kundërshtuar asnjëherë asnjë ndihmë, këshillë ose propozim të ardhur nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Por në këtë rastin specifik është kundërshtuar andej e këndej apriori propozimi i bërë nga Rama dhe është thënë e thuhet se nuk duan të dëgjojnë asnjë propozim nga Rama. Por Rama e zëvëndëson veten me Shqipërinë, sepse në mendjen e tij perverse mendon se ai vetë është Shqipëria.

Edhe unë jam një nga ata që e kundërshtojnë çdo gjë që ofrohet nga Rama, jo se duke e kundërshtuar unë dikujt i bëhet vonë, ose dhe Ramës vetë, por e kundërshtoj a priori për mënyrën si e bën.

Ҫfarëdo propozimi që ai ka për zgjidhjen e një problemi në Kosovë më parë duhet ta bisedojë me Kosovën, se pastaj nuk e kuptoj se përse duhen takimet e përbashkëta të dy qeverive, kur Rama e trajton Kosovën për probleme të saja madhore sikur ajo të jetë ishujt Maldive ose Fixhi dhe propozimet ia çon ndërkombëtarëve, duke e injoruar totalisht qeverinë e Kosovës dhe vetë Kosovën si pjesë të zgjidhjes së çfarëdo problemi që ai mendon se ekziston.

Gjithashtu kundërshtoj fuqimisht edhe të gjithë ata shqiptarë jo vetëm andej e këndej kufiri por, edhe ata që jetojnë përtej këtyre zonave tona gjeografike dhe që janë munduar ta justifikojnë veprimin sociopat dhe empatik të Ramës në kuadër të detyrës së tij kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Detyrë kjo që e përcakton Neni 8 pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë ku shkruhet “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Do t’ju lutesha ta lexoni me vëmendje këtë paragraf ku qartësisht përcaktohet se në këtë rast Rama duhet të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ndërsa Rama propozon një draft për të zgjidhur të drejtat kombëtare të serbëve në Kosovë.

Pasi Asociacioni dhe bërja e tij në çfarëdo lloj mënyre e drafti, pavarësisht se nga vjen kjo ofertë është në kundërshtim dhe cënon të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Ju lutem më thoni se mbi ç’të drejtë kushtetuese qëndron një draft propozim për të mbrojtur të drejta kombëtare të popujve të tjerë që cënojnë popullin tim e tëndin dhe të këtij të marri?

Rama na akuzon se ne që e kundërshtojmë a priori ofertën e tij jetojmë në komunizëm ku kundërshtohej personi dhe jo ajo çfarë propozonte. Dhe në këtë paragraf ai kundërshton veten në paragrafin e parë që sapo e sqarova më lart.

Por vërtetë e kundërshtojmë në bazë të emrit, por jo se jetojmë në komunizëm por jetojmë në një kohë që kemi parë se që kur Rama ka qënë në pushtet nuk ka bërë asgjë në shërbim të Kosovës ose të çështjes shqiptare, por gjithnjë ka qënë kundër saj, duke nisur që nga lufta e UҪK, gjatë të cilës Rama nuk linte rast pa folur kundër saj. Dhe pas saj në rastin më të parë për inat të shqiptarëve i dha çelësin e qytetit dhe e bëri qytetar nderi një çetnik i cili u këndonte çetnikëve serbë që kishin prerë boshnjakë e shqiptarë.

Por do thoni ju që e mbështesni se ai ka bërë rezolutë në PE për Kosovën dhe këtu vimë tek perfiditeti i tij dhe i veprimit të tij.

Mos mendoni se gjërat Rama i ka rastësore, jo asnjëherë. Si gjithë sociopatët dhe për më tepër kur janë edhe të dirigjuar, ata i bëjnë veprimet e kontrolluara me qëllime të caktuara për të ardhmen.

Edhe veprrimet e Ramës në mbështetje të Hashim Thaçit, edhe ajo farë gjysëm rezolute, edhe ai komisioni hetimor në Kuvend që nuk e cënonin aspak Sërbine për gjoja krimet  e akuzuara nga Dik Marti, e pastaj kërkesa e tij në PE për një rezolutë të re, në pamje të parë të mbushin mendjen se janë mbështetje për Kosovën.

Në realitet ajo është thjesht një lëvizje mashtruese e Ramës e dirigjuar nga Serbia për të mbërritur këtu tek ky draft propozim. Pra të krijohet ideja se ky është atdhetar i madh dhe nuk bën gjë kundër çështjes shqiptare.

Ndërsa perversiteti i deklaratës së tij qëndron totalisht në paragrafin e fundit ku thotë “Ky rajon nuk është vetëm i tyre, ky rajon është edhe i yni e i disa të tjerëve”. Me këtë shprehje ky mundohet të barazojë viktimën me agresorin.

Në asnjë moment ne shqiptarët, jo vetëm ne që e kundërshtojmë Ramën, asnjëherë as para lufte, as gjatë luftës, e as pas lufte nuk kemi pretenduar, as artikuluar, e as vepruar asnjëherë me mentalitetin që Rama kërkon të krijojë se ky rajon është i yni dhe vetëm i yni. Asnjëherë nuk ua kemi mohuar jetesën edhe atyre të tjerëve, e në veçanti serbëve në këto territore.

Edhe atëherë kur Serbia, mike e Ramës i vriste, e i përzinte shqiptarët nga trojet e tyre etnike pikërisht mbi këtë mentalitetin që Rama mundohet në manipulim e sipër të na e veshi neve, ne kurrë nuk e bëmë atë që fqinjët tanë na e bënin neve. Jo se na munguam mundësitë, por se ne nuk i përkasim atij mentaliteti.

Ne gjithnjë kemi thënë se ata të tjerët i kemi fqinjë dhe se edhe ata kanë të drejtë të jetojnë aty ku janë, por ama ata që jetojnë në Kosovë duhet të respektojnë Republikën e Kosovës e jo të jetojnë në Kosovë nën tutelën e Republikë së Sërbisë.

Prandaj aludime të tilla manipuluese të Ramës janë totalisht në kundërshtim jo vetëm me të drejtën kombëtare të shqiptarëve, por ato janë totalisht nxitëse për luftë dhe diskriminuese.

Edhe sot që po shkruajmë, nuk jemi ne që ju mohojmë të tjerëve të drejtën për të jetuar në këtë rajon, por vazhdojnë të jenë miqtë e Ramës, Sërbia e Vuçiçit e cila edhe sot po vazhdon pastrimin etnik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga trojet e tyre etnike me ligjin për pasivizimin e adresave.

Dhe në asnjë rast Rama në këto 12 vjet të tij në këtë pushtet si kryeministër kurrënjëherë nuk e ka thënë një fjalë për të mbrojtur të drejtat kombëtare të këtyre shqiptarëve në këto tre komuna në Jug të Sërbisë, edhe pse kjo është detyrë kushtetuese, detyrë për të cilën përkrahësit e tij e justifikojnë.

Por le të marrin guximin e ta pyesin përse Rama është treguar e vazhdon të tregohet kaq empatik ndaj këtij problemi kombëtar të shqiptarëve?

Dhe pikërisht bazuar edhe mbi këtë biçim mbrojtje që Rama i bën veprimit të tij në lidhje me draftin më mbushet edhe më shumë mendja se asnjë propozim i ardhur prej këtij individi jo vetëm që nuk mund të jetë asnjëherë në të mirë të Kosovës ose të çështjes shqiptare, por çdo veprim i tij është kryekëput antishqiptar.

Ҫdo lloj drafti i Ramës i shërben vetëm agjendës politike të Ramës e të atyre që e kan kapur për hunde, e aspak shqiptarisë e shqiptarëve, e aq më pak Kosovës.

© Dritan Goxhaj