Kolumnist

Varfëria intelektuale po na përndjek! - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Aq e varfër është katandisur në ide dhe programe media në Shqipëri, saqë kur ndodhin, le ta zemë, konferenca qeveritarësh apo protesta opozitarësh gëzojnë të dalin “live” me lidhje nga vendi i ngjarjes dhe përcjellje të linjës në studio, ku presin të zhvillohen biseda të lodhshme prej portretesh pesimistësh apo entuziastësh kronikë. Të duket sikur befas telekomanda del jashtë funksioni kur ti shtyp butonët të ndërrosh kanal, pasi të gjithë ekranet duken njëlloj përveç logove të tyre, meqë edhe të ftuarit shkëmbehen nëpër emisione. Dikush ua vë fajin pronarëve të mediave që nuk janë profesionistë, por veç ca parellinj aksidentalë, dikush ua mvesh moderatorëve të shitur e blerë me dhjetra herë përgjatë rotacioneve politike, dikush tjetër sigurisht popullit që bëhet palë me apo pa dashje në gatesat pa shije, por plot me erë.

Edhe pse e konstatoj varfërinë ideore në media, unë sërish dyshoj të jetë veç çështje varfërie idesh. Më tepër dyshoj tek implikimet e interesave, por pse bëhet gjithçka kaq trashë e shëmtuar?? Edhe mediat në botë nuk mbeten më pas sa i përket interesave, por ama gëlojnë departamentet për të sjellë risi në programacione dhe figura ekspertësh e profesionistësh. Është për t’u shqetësuar varfëria intelektuale që paraqitet sot për sot në mediat elektronike shqiptare. Duket sikur kanë bërë një marrëveshje mes tyre të shfaqin frenetikisht në publik pseudo-gjithfarët. Të zë frika të premteve të ndezësh TV kur fëmijët ende nuk kanë fjetur. Do mbetesh pa gojë nëse të pyesin për ndonjë personazh që ka zaptuar fashën e prime time në një televizion kombëtar, vetëdija e të cilit nuk është aq e zhvilluar sa ta kuptojë që ndodhet aty si butafori.

Të zë tmerri të shtunave, të dielave dhe të hënave, po ashtu të martave, të mërkurave e të enjteve. Mos o Zot, tmerri i përndjekjes nga figurat e tejetkonsumuara. Gjuha e tyre është mahisur nga përdorimi, gjithë kravatat e kanë bërë qarkullimin e muajit, po ashtu këpucët e buzëkuqet e zonjave e kanë tejkaluar spektrin e ngjyrave. Dikush t’u thotë të bëjnë një pauzë mediatike. T’i japin vetes dhe shqisave të publikut të paktën ca pushim. Ndërkohë edhe moderatorët e vijës së parë ta mendojnë njëherë pensionin e parakohshëm.

Gjithkush ka nevojë për rigjenerim. Mania për t’u kudondodhur si të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm, mund t’u sjellë dëme në shëndetin mendor. Të mos flasim për dëmet në aspektin profesional, pasi ato nuk vihen re në Shqipëri. Profesionalizmi është temë që pret në stol rezervë. Sot është çështje konsumi. Lajmi është konsum, debati konsum, ashtu siç edhe çështjet që ato kohët e fundit kanë në qendër. 

Droga, dëshmitarët, ambasadorët, ministrat, protestat. Të gjitha hidhen për konsum dhe konsumohen me të shpejtë pa u përtypur mirë. Sigurisht, që do ndodhë kështu përsa kohë mediat dominohen nga pseudo-gjithfarët. S’është ndonjë gjë e madhe!

S’është gjë e madhe as vjedhja e projekteve televizive, as kopjimet e programeve, apo materialeve. Dihet që ka spostime me lezet/pa lezet për krijues apo gazetarë që paraqesin kërkesa apo standarde të larta. Janë potencialisht të alienuar në tregun mediatik. Atyre u kërkohen projekte dhe për shumë arsye bëjnë sikur nuk i paguajnë dot hakun që ata kërkojnë, i refuzojnë ose mbajnë peng të premtimeve, por ama projektet e tyre kanë mbetur në tavolina shefash apo email-e drejtorësh. Qari i ndonjë pseudokrijuesi apo pseudo-moderatori të lodhur nga vitet e vegjetimit, të përfitojë të gatshëm një projekt e ta zbatojë mysybet.

Kështu ndodh që programet të arrijnë në këtë derexhe që janë edhe sot. Zor se gjen origjinalitet apo të dallosh diku shpirtin e lirë të krijuesit. Tek-tuk ndodh të kënaqen sytë nga ndonjë program, tek-tuk dallon edhe ndonjë të ri që premton shpresë. Përgjithësisht obeziteti intelektual apo varfëria mendore e atyre që miratojnë bashkë me komplet shpurën shoqëruese bëjnë që shumica e mediave elektronike të ofrojnë për teleshikuesin programe surrogate. E kjo do të ndodhë e do të përkeqësohet më tej, pasi krijuesit e vërtetë, me elegancën e tyre janë duke u lënë targën siç thonë adoleshentët sot, mediave tradicionale.

Shumica e tyre po eksplorojnë gjerësisht mundësitë e internetit për të shprehur fjalën e lirë, shpirtin krijues dhe për t’i ofruar publikut kohën e mençurinë e tyre përmes blogjeve apo portaleve të vetë-administruara ose të përzgjedhura për të bashkëpunuar.

©JetaDedja/Flasshqip