Kolumnist

Riformatimi kozmetik i kabinetit qeveritar Trudeau 3 - Nga Fazli Mazreku

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, duke ndërruar ministra nga një ministri në një ministri tjetër, duke shkarkuar ministra dhe duke emëruar ministra të rinj në disa ministri.

Shtrohet pyetja se cila është arsyeja që kryeministri, i cili drejton vendin nga viti 2015, të bëjë ndryshime të tilla në kabinet, ndryshime të cilët nuk premtojnë rezultate në gjysmën e mandatit të qeverisë, sepse largimi i një ministri nga një ministri në tjetrën, është rotacion simbolik, për të krijuar përshtypjen në opinion dhe tek votuesit, se qeveria po reflekton për gjendjen e vështirë që e ka kapluar shoqerinë kanadeze, dhe se kabineti i riformatuar po merr përgjegjësi të reja për zbutjen e gjendjes së vështirë sociale dhe ekonomike.

-Qeveria Trudeau 3* është qeveri e pakicës, e cila gjatë mandatit të saj të tretë nuk ka treguar shumë efikasitet dhe madje, gjatë kesaj kohe vendi është zhytur në vështiresi të mëdha në shumë fusha. Për këtë, përgjegjësia bie për kryekreje mbi supet e qeverisë aktuale;

-Qeveria Trudeau gjatë kohës së pandemisë Covid-19 nuk ishte efikase në ndërmarrjen e masave adekuate për furnizimin e qytetarëve me vaksina dhe maska. Ajo aplikoi masa shumë restriktive ndaj lëvizjes së njerëzve në hapësirat e brendshme publike, siç jane aeroportet, transporti publik, shitoret, etj;

-Qeveria Trudeau pagoi punetorë, të cilët me arsye apo pa arsye nuk kanë shkuar në punë në sektorin publik, apo atë privat dhe kështu është rritur borxhi i brendshem në përmasa galopante për ekonominë e vendit;

-Qeveria e tanishme dhe ato më të hershme, nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për lehtësimin e jetës së klasës së ulët, që është pjesë dërrmuese e shoqerisë kanadeze. Jeta e kanadezit të thjeshtë po bëhet skëterrë, sepse çdo ditë po rritet numri i të pastrehëve dhe atyre që kërkojnë ushqim në shporta të mbeturinave apo pranë të ashtuquajturave “banka” ushqimore. Shporta ditore e konsumatorit kanadez është 3-4 herë më e shtrenjtë se ajo e konsumatorit amerikan;

-Qeveria aktuale dhe të mëparshmet, nuk kanë bërë asgjë kundër monopolit të kompanive në fushën e telekomunikacionit, telefonisë mobile dhe internetit. Tri apo katër kompani kanë monopol në këto fusha dhe shërbimet janë 3-4 herë më të shtrenjtë se në SHBA;

-Qeveria aktuale dhe ato të mëparshmet nuk kanë bërë asgjë në sistemin shendetësor, i cili ka humbur totalisht në mjegullën e pritjes në pafundësi të pacientëve deri në tre vjet për një vizite te mjeku specialist, apo ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët familjarë janë shndërruar në përshkrues të recetave dhe asgjë më tepër. Mjekët nuk janë fajtorë, sepse sistemi shëndetësor i kolapsuar i ka bërë të tillë;

-Qeveria aktuale dhe të mëparshmet nuk kanë bërë asgjë që fermeret kanadezë të arrijnë të fusin prodhimet e tyre në tregun evropian dhe atë amerikan, ndërsa prodhimet evropiane dhe amerikane gjenden në tregjet kanadeze. Kjo është arsyeja e çmimeve shumë të larta të shportës ushqimore ditore;

Kanadaja ka edhe shumë çështje të tjera që meritojnë trajtim dhe qasje të re, sepse një pjesë e madhe e legjislacionit kanadez është e tejkaluar dhe e shterrur në kohë, dhe nuk i përshtatet trendit të ri dhe dinamikës që po përshkon shoqerinë kandeze, shoqëri e cila për çdo ditë po ndryshon strukturën e saj të brendshme, për arsye të ardhjes së imigrantëve të rinj, me edukim dhe shkollim nga bota në zhvillim.

Kanadaja ka liderë politikë që mendojnë për marrjen apo mbajtjen e pushtetit, duke ruajtur status quo-në, por nuk ka liderë të cilët kanë IDEAL të ardhmen e vendit deri në fundin e këtij shekulli.

Sidoqofte, riformatimi kozmetik i kabinetit qeveritar është sinjal, se jo shumë larg, ndoshta mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare për Dhomën e Komunave. E kush do t’i fitojë zgjedhjet, është pyetje jo e lehtë për t’i dhënë përgjigje, sepse Partia Konservatore në opozite ka patur disa ndryshime të lidershipit të saj dhe liderit të ri i duhet shumë punë për ta dobësuar karizmën popullore të kryeministrit aktual, i cili ka një trashëgimi të dyfishtë politike: atë të trashëguar nga babai i tij, ish-kryeminister dhe atë të krijuar në tre mandate.

Megjithatë, ka ardhur koha për ndryshime, për qasje të re dhe për guxim politik, për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë sociale dhe ekonomike. Për të bërë ndryshime, zgjedhjet janë ilaçi më i mirë, sepse qeveria në pakicë e Liberalëve nuk po dëshmon se ka plane konkrete dhe mjete për të ecur përpara dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë.

*Qeveria aktuale kanadeze ka 38 ministra.

© Fazli Mazreku - London, Ontario