Kolumnist

Republika e liderit suprem po troket - Nga Milaim Nela

E vërej që ka një alergji të popullit virtual kur flitet për Lulzim Bashën dhe organizatën e tij që u tubua dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Unë ju kërkoj ndjesë që sërish po shkruaj për PD-në e Bashës, por këtu dua të bëj një sqarim që kur unë shkruaj për PD-në zyrtare dhe Bashën, unë nuk shkruaj për opozitën, por për pushtetin, sepse ata janë pushteti.

Lulzim Basha nuk është opozitar por është aseti më i vlefshëm i Ramës në këto momente për vazhdimin e pushtetit të tij dhe realizimin e ambicieve të tij imperiale apo mbretërore, quajeni si të doni. PD e tij nuk është opozitë, por leva më besnike dhe më e dobishme e pushtetit mafioz të “Rilindjes”. Tubimi i tij i djeshëm e dëshmoi këtë më së miri.

Nëse nuk ka patur një plan të mëhershëm diabolik për infiltrimin e Lul Bashës në labirintet e pushtetit në Shqipëri për llogari të mafias rilindo-sorosiane, nga viti 2014 e këtej apo që nga momenti kur ai në krye të opozitës la në dorë të pushtetit reformën territorial, nuk besoj se ka nevojë të përmend bëmat e tij të mëvonshme si prova të argumentit tim.

Kuvendi i tij i djeshëm edhe për më naivët ka dhënë sinjalet më të qarta të bashkëpunimit të tij me Ramën dhe “Rilindjen” e zezë.

Jam shumë i shqetësuar që bashkëatdhetarët e mi në Shqipëri nuk po kuptojnë (apo larg qoftë janë pajtuar) që i ashtquajturi “koalicion i madh”, koalicioni që dështoi të implementohet në shtatorin e vitit 2021 falë Sali Berishës është më afër se kurrë.

Ju që lexoni politikë mes rrjeshtave, ju gazetarë dhe analistë të politikës që nuk mbaheni me rrogat e regjimit ju lutem kthehuni dhe rishikojeni fjalimin e Lulzim Bashës sa herë e përmend Edi Ramën dhe aktet korruptive shkatërruese të “Rilindjes”.

A foli ndonjë fjalë për incereratorët? A foli ndonjë fjalë për portin e Durrësit? A foli ndonjë fjalë për vjedhjet e zgjedhjeve? A foli ndonjë fjalë për vjedhjen e pasurive energjitike të shqiptarëve? A foli ndonjë fjalë për ministrat e 313-es?

Jooo asnjë fjalë të vetme! Të gjitha bateritë e tij ishin kundër opozitës reale.

Po ju lajmëroj dhe ndaç më merrni seriozisht, ndaç besoni përrallat e patronazhistëve mediatikë se e keqja e këtij vendi është Sali Berisha.

Organizimet e reja politike brenda dhe jashtë vendit janë të kurdisura dhe karikuara nga regjimi vetëm për të bërë tym dhe çoroditur juve. Thjesht mbjellin konfuzion dhe hutim.

Edi Rama do ta çojë shumë shpejt vendin në zgjedhje të parakohshme dhe bashkë me Bashën dhe makinerinë e “votimit të llogaritur” do fitojë mbi 95 vende në Kuvend, të mjaftueshë këta për të ndryshuar Kushtetutën.

Ai nuk do të presë vitin 2025, sepse për atë është shumë vonë e nuk i dihet se ç’ndodh në gjeopolitikën botërore. Ai do ta realizojë planin e tij diabolik para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Edi Rama do ta bëjë Shqipërinë republikë presidenciale, ku kryeministri do të ketë kompetenca të ngjashme me ato të presidentit të sotëm. Edi Rama do të jetë monarku apo sundimtari suprem i Shqipërisë deri sa të ketë frymë.

A e imagjinoni Shqipërinë nën thundrën e pushtetit të tij të përjetshëm? A do të donit të jetonit ju në Shqipërinë e tij?

Ka shumë pak kohë në dispozicionin tuaj për ta parandaluar këtë gjëmë. Shumë pak kohë.

Harrojeni Sali Berishën dhe foltoren. Zëreni për një moment se ata nuk ekzistojnë. Shikoni kë keni përballë e çfarë po ndodh.

Edi Rama nuk është problemi dhe fatkeqësia vetëm e të djathtëve apo demokratëve, por problem i të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjeje politike dhe nuk është problem i lehtë, pasi ka mbi 20 vjet që veç është konsoliduar dhe ka lëshuar rrënjë.

Ndaleni sa nuk është tepër vonë!

Koalicioni “i madh” Rama-Basha është “de facto” realitet. Pritet vetëm të bëhet “de jure”.

© Milaim Nela